E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, përzgjedhja e degëve sipas pikëve

SHKRUAN: Jonida Tashi 04-07-2011 11:02

Pas daljes së notave për katër provimet e Maturës, ndërkohë që priten rezultatet vetëm për 2 lëndët me zgjedhe, maturantët duhet të marrin vendimet më të mira për të ardhmen e tyre, për studimet e larta. Maturantët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike të vendit, pasi të jenë njohur edhe me notat e provimeve me zgjedhje, që pritet të dalin në mesin e muajit korrik, do të plotësojnë duke filluar që nga data 20 deri më 30 korrik Formularin A2, për pranimet në universitetet publike të vendit. Këtë formular kanë të drejtë ta plotësojnë vetëm maturantët kalues në të gjitha provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje. Sipas kushteve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit, maturanti që dëshiron të vazhdojë studimet në universitetet publike, duhet të ketë fituar 5 rezultate: notën mesatare të 4 ose 5 viteve të studimit në shkollën e mesme, 2 nota të shkallëzuara në provimet e detyruara, Letërsi dhe Matematikë, dhe 2 nota të shkallëzuara në dy provimet me zgjedhje. Në bazë të këtyre notave, për secilin maturant llogariten pikët që ai fiton dhe që shërbejnë për të konkurruar për studime në programe të ndryshme studimi në universitete. Formula e thjeshtë dhe më e përdorshme për llogaritjen e pikëve është: [( D1 + D2 + MES)KSH + Z1xKZ1 + Z2xKZ2] x 100, ku: D1, D2, MES, Z1, Z2 janë respektivisht notat e shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore të Letërsisë, Matematikës, mesatares së shkollës, të lëndës së parë dhe të dytë me zgjedhje; KSH - është koeficienti i shkollës. Për secilën lloj shkolle, universitetet propozojnë koeficientin përkatës, në varësi nga drejtimi i shkollës së mesme. E thënë më thjesht, fakultetet për programet e studimit me drejtim natyror, preferojnë maturantët me më shumë prirje në shkencat ekzakte dhe për këto shkenca propozojnë koeficiente më të lartë. E gjitha kjo bëhet që fakultetet të thithin kontigjentet e përgatitura më mirë, në drejtimin e kërkuar nga programet e studimit që ofrojnë; KZ1, KZ2 - janë koeficientet e lëndëve me zgjedhje, që gjithashtu propozohen nga universitetet, mbi bazën e të njëjtit arsyetim. Hapi më i rëndësishëm prej nga nis edhe llogaritja e pikëve për secilin maturantët është përzgjedhja dhe renditja e preferencave në Formularin A2. Kështu, një maturant me rezultate shumë të larta, me pikët që grumbullon mund të jetë fitues në të dhjetë preferencat e zgjedhura prej tij, por sistemi atë e shpall fitues në preferencën e parë. Një maturant me rezultate shumë të dobëta, nuk shpallet fitues në asnjërën prej preferencave të tij. Nëse maturanti është me rezultate mesatare, shpallja e tij fitues varet nga rezultatet e grupit të maturantëve që kanë kërkuar po ato programe studimi, sikurse dhe ai. Sikurse duket qartë, faktori kryesor dhe përcaktues është merita, sasia e pikëve të grumbulluara. Duke filluar që nga viti 2007, në dispozicion të maturantëve vihet lista e programeve të studimit që ofrojnë universitetet publike. Kjo listë përbëhej nga 232 programe studimi në vitin 2009 dhe 265 programe studimi në vitin 2010, ndërkohë që për këtë vit në Formularin A2, do të jenë të listuara plot 290 degë. Me plotësimin e Formularit A2, maturanti shpreh dëshirën për të studiuar në një nga 10 ose më pak programet e studimit të preferuara prej tij, dhe shpallet fitues në preferencën më të lartë të grupit të preferencave ku shpallet fitues (pra arrin pikët e nevojshme). Kjo do të thotë që maturanti duhet të jetë shumë i kujdesshëm në plotësimin e preferencave.

Preferencat

Shihni edhe pikët e fituesve të fundit

Pikët e fituesit të fundit për çdo program studimi në katër vitet e fundit të Maturës (2007-2010) janë tepër të rëndësishme, për të bërë llogaritjet paraprake se në cilën prej degëve që preferoni keni më shumë shanse për t’u shpallur fitues. Çdo maturant, pasi njihet me listën e programeve të studimit, mund të bëjë një listë edhe me më shumë se 10 programe studimi, ku dëshiron të studiojë, në cilindo universitet të Shqipërisë. Më pas mund të llogarisë pikët për secilin prej programeve të studimit të listës që ka hartuar. Pas kësaj, maturanti duhet të krahasojë pikët e fituara prej tij me pikët e fituesit të fundit në secilin prej programeve të studimit të listës së hartuar prej tij. Kështu, secili mund të gjykojë se në cilin prej programeve të studimit ka shanse të fitojë. Kuptohet që në renditje vendet e para do t’i zënë programet e studimit më të preferuara prej maturantit, edhe nëse janë më të vështira për t’u fituar. Më konkretisht, nëse vendosni si preferencë të parë një program studimi në të cilin jeni të sigurt që fitoni, por nuk ju pëlqen shumë, mund të ndodhë që prej sistemit informatik të shpalleni fitues në këtë preferencë edhe pse në preferencat e vendosura më poshtë keni grumbulluar pikët e mjaftueshme për t’u shpallur fitues. Pra, konsultimi me tabelën e pikëve të fituesve të fundit është element shumë i rëndësishëm ndihmës para plotësimit të Formularit A2. Vetëm pasi të keni kryer veprimet e mësipërme, mund të rendisni 10 preferencat përfundimtare dhe të plotësoni me kujdes Formularin A2.

Ku do të shpërndahet Formulari A2

Formulari A2 do të shpërndahet në shkollën ku maturanti ka plotësuar Formularin A1.

Formulari A2 është i personalizuar për secilin maturant, sipas të dhënave që ai ka plotësuar në Formularin A1. Për të marrë Formularin A2, maturanti duhet të ketë kryer pagesën prej 2000 lekësh, në një bankë të nivelit të dytë, dhe të paraqesë faturën e pagesës së kryer. Përsa i përket të dhënave, Formulari A2 është i personalizuar me notën mesatare dhe preferencën e programeve të studimit, të shpallura nga institucionet e arsimit të lartë publik. Formulari A2 prodhohet i personalizuar, si kopje e vetme, për secilin maturant që ka plotësuar Formularin A1, si dhe kërkesën për provimet me zgjedhje. Të dhënat për maturantin kandidat merren nga Formularit A1. Në krye të Formularit A2, poshtë kokës së tij paraqiten: rrethi, qyteti ose fshati, emri i shkollës, emri, atësia, mbiemri dhe datëlindja e maturantit kandidat dhe në të djathtë ID e tij. Pra, siç kuptohet, askush nuk mund të marrë një Formular A2, që nuk i përket atij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›