Biznesi: Shkurtimet në buxhetin, kujdes me investimet
Konfindustria këshillon që përcaktimi i projekteve të investimeve, që do preken nga shkurtimi i financimeve për pjesën e mbetur të vitit fiskal në vazhdim, të bëhet në mënyrë profesionale, nisur nga rëndësia e tyre publike
Konfindustria pranon parimisht rishikimin e buxhetit të vitit 2011, me qëllim ruajtjen e ekuilibrit makroekonomik në kushtet e uljes së dukshme të rendimentit fiskal të ekonomisë shqiptare në 6-mujorin e parë, nëpërmjet uljes së shpenzimeve publike, por ruajtjes së domosdoshme të nivelit të tashëm të sistemit të taksave. Konfindustria këshillon që përcaktimi i projekteve të investimeve, që do preken nga shkurtimi i financimeve për pjesën e mbetur të vitit fiskal në vazhdim, të bëhet në mënyrë profesionale nisur nga rëndësia e tyre publike dhe shkalla e thithjes së deritashme të financimeve. Buxheti i vitit 2011 ka trashëguar në pjesë të rëndësishme mënyrën e vjetër të përzgjedhjes së projekteve, pa u mbështetur në vlerësimin ekonomik-financiar krahasues të secilit projekt përsa i përket dobishmërisë publike të tyre. Tashmë është koha që ripërcaktimi i investimeve kapitale të buxhetit 2011 të kryhet jo subjektivisht dhe politikisht, por vetëm nëpërmjet vlerësimit ekonomik-financiar krahasues të secilit prej tyre. Gjithashtu, investimet kapitale në buxhetin e rishikuar të pjesës së dytë të vitit financiar në vazhdim duhet të shkojnë drejt përqendrimit të domosdoshëm të projekteve, që do të vazhdojnë të financohen gjatë vitit 2011. Është për t’u theksuar se në buxhetin e vitit 2011 parashikohej, nën ndikimin edhe të fushatës zgjedhore, një numër mjaft i madh dhe pjesëzim i theksuar i projekteve të parashikuara për t’u financuar, çka ka rrezikuar seriozisht uljen e efektivitetit dhe cilësisë. Konfindustria këshillon marrjen parasysh të vërejtjeve të mësipërme në rishikimin e buxhetit 2011, sepse në rast të kundërt rrezikojmë që pikërisht në kohën kur: 1- financat publike në Shqipëri, sikurse edhe në një shumicë vendesh të rajonit dhe BE për arsye të krizës globale kanë pësuar goditje të ndjeshme dhe të dukshme dhe 2- tregjet botërore të parasë janë shtrenjtuar ndjeshëm, të përballemi me gjendjen krejt të papranueshme të përdorimit me efektivitet të ulët të parave publike të siguruara me kaq vështirësi. Në këtë rast pasojat do të jenë të rënda për ekonominë kombëtare dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptare jo vetëm për vitin 2011, por në afatgjatë.