E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është vrarë Neruda nga Pinochet?

Një koleg i vjetër i poetit Pablo Neruda ka shkaktuar një tronditje mediale duke pohuar se poeti kilian, fitues i çmimit Nobel për letërsi, ishte vrarë nga regjimi i ish diktatorit Augusto Pinochet. Nga Express më 15 maj 2011 në ora 14:35

Fondacioni Pablo Neruda ende insiston se poeti ka vdekur më 23 shtator të vitit 1973, nga kanceri në prostatë i ashpërsuar nga shqetësimi emocional, 12 ditë pasi Pinochet e kishte përmbysur, në një grusht shteti, mikun e Neruda-s, Salvador Allende.

Por, Manuel Araya, sekretar, asistent personal dhe shofer i Neruda-s, ka pohuar në intervistat e fundit se poeti ishte vrarë nga regjimi i ri ushtarak, nga frika se mos Neruda do të shkonte në mërgim si disident i një profili të lartë.

"Pinochet ka qenë vrasës. Ai e ka vrarë Neruda-n në mënyrë që ai të mos e braktiste vendin, sepse ai ka qenë intelektual të cilin Pinochet nuk dëshironte ta kishte si kundërshtar”, ka thënë, të mërkurën, 65 vjeçari Araya për AFP.

Araya, i cili ka qenë pranë krevatit të poetit deri pak orë para vdekjes së tij në moshën 69 vjeçare, ka thënë se ai ishte hospitalizuar në klinikën Santa Maria në Santiago ‘jo për shkak të shëndetit të përkeqësuar, por për shkak të sigurisë së tij’.
Ai ka thënë se Neruda ka qenë ‘i shqetësuar dhe i tendosur’, se besonte se regjimi i ri ishte i prirë ta eliminonte atë dhe ishte vënë në panik nga një injeksion i dhënë natën nga një mjek.

Araya ka thënë se Neruda kishte planifikuar të ikte në Meksikë më 24 shtator, por kishte vdekur një natë më herët.

Fondacioni Pablo Neruda, që mban të drejtat për botimin e veprave të poetit dhe është i ngarkuar për mbrojtjen e trashëgimisë së tij, e ka mohuar se ai ishte vrarë.
“Nuk ka ndonjë shenjë dhe asnjë dëshmi çfarëdo qoftë që sugjeron se Pablo Neruda ka vdekur nga shkaqe tjera nga kanceri, nga i cili ai po vuante”, është thënë në një prononcim.

“Nuk duket e arsyeshme të krijohet një version i ri i vdekjes së tij duke u bazuar vetëm në opinionin e shoferit të tij”.

Neruda, i cili e ka fituar çmimin Nobel për letërsi në vitin 1971, njihet më së shumti me poemat e tij të dashurisë sikurse edhe me ‘Canto General’, një poemë epike që flet për historinë e Amerikës Jugore dhe njerëzit e saj.

Ai ka qenë anëtar i lartë i Partisë Komuniste të Kilit dhe vepra e tij ishte ndaluar gjatë diktaturës ushtarake të Pinochet-it, prej vitit 1973 deri në vitin 1990.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›