“Java e Shkencës” në Prishtinë
Të mërkurën në Prishtinë fillon manifestimi tradicional i zhvillimeve shkencore në Kosovë “Java e shkencës”, ku pritet të marrin pjesë shkencëtarë nga vendi dhe diaspora.
Gjatë tri ditëve sa do të zgjasë “Java e shkencës” do të paraqiten të arriturat e fundit të shkencëtarëve kosovarë në dhjetë disiplinat e parapara për diskutim gjatë kësaj konference.
Konferenca do të zhvillohet në dhjetë seanca të ndryshme sipas këtyre fushave të hulumtimit shkencor: burimet natyrore; energjia dhe mjedisi, bujqësia dhe sigurimi i ushqimit; projektet ndërkombëtare shkencore dhe mundësia e shkencëtarëve kosovarë për pjesëmarrje në to; hulumtimet shkencore në mjekësi; studimet shoqërore dhe ekonomike; studimet gjuhësore dhe kulturore; studimet historike; hulumtimet shkencore në fushën e edukimit dhe arsimit dhe shkenca, inovacioni dhe transferi i teknologjisë.
Në konferencë është konfirmuar pjesëmarrja e shkencëtarëve kosovarë edhe nga Shqipëria nga akademitë e të dyja vendeve, pjesëtarë të universiteteve private dhe publike, instituteve shkencore dhe organizmave të tjerë të shkencës.
Pritet gjithashtu edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve shtetëror të shkencës nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Turqia.