E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sofa Surfers në Dokufest

Bendi i njohur austriak Sofa Surfers do të performojë në Prizren, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë Dokufest. Këtë risi organizatorët e festivalit e sjellin në përvjetorin e dhjetë të Dokufestit. Nga Alfred Beka më 15 maj 2011 në ora 17:00

Për të shënuar përvjetorin e dhjetë të festivalit, Dokufest do të sjellë edhe një risi. Kësaj radhe, organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë Dokufest kanë vendosur që të sjellin në Prizren bendin e njohur nga Austria Sofa Surfers, të cilët do të performojnë, në kuadër të Dokufestit, më datën 24 korrik.

Përmes një komunikate për shtyp, organizatorët e festivalit Dokufest, i cili do të mbahet nga data 23 deri më 31 korrik në Prizren, kanë njoftuar se kanë pranuar më shumë se dy mijë filma nga e gjithë bota.

“Dokufest sivjet shënon 10 vjetorin e festivalit. Në prill ka përfunduar afati për aplikimin e filmave për këtë edicion jubilar. Kemi pranuar më shumë se dy mijë filma nga e gjithë bota, që është një rritje e dukshme e numrit të aplikimeve krahasuar me vitet e kaluara. Stafi i programerëve të Dokufestit po punojnë në selektimin e filmave dhe përgatitjen e programit filmik”, thuhet në komunikatë.

Sofa Surfers është një bend alternativ, i cili u krijua në vitin 1996 në Vjenë nga instrumentalistët Wolfgang Frisch, Michael Holzgruber, Markus Kienzl dhe Wolfgang Schögl. Filmbërësi Timo Novotny dhe vokalisti Mani Obeya iu bashkuan Sofa Surfers në vitin 2005. Bendi është i njohur për eksperimentimin e tij me zhanre të ndryshme të muzikës. Ata bëjnë muzike mix nga rock, muzikë elektronike, trip-hop, dub dhe acid jazz. Ata po ashtu kompozojnë muzikë për film dhe teatër. Vlen të theksohet përfshirja e tyre në filmin dokumentar ‘Life in loops’, me regji të anëtarit të Sofa Surfers, Timo Novotny. Sofa Surfers vijnë në Dokufest me një performance 7 orëshe të kombinimit të muzikës live, filmit dhe efekteve vizuale. Më datën 25 korrik filmi ‘Life in loops’ do të shfaqet në Dokufest, i përcjellë me pyetje dhe përgjigje me regjisorin Timo Novotny.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›