E Shtunë, 31 Tetor 2026

A fshihet edhe dikush prapa kokës së prerë?

15/08/2011  Koka e prerë e gruas ende e pagjetur, misteri i masakrës së gruas 42-vjeçare në Korçë

KORÇË- Njeriu-monstër, 84-vjeçari Gaqo Dumka, masakruesi i gruas që u gjet e copëtuar në plehrat e qytetit, nuk pranoi të tregonte se ku e kishte hedhur kokën e saj. Duket se misteri i vrasjes ende vazhdon, ashtu si një ngjarje makabër në një film serial. Ngjarjen e rrethon sërish misteri. Ai e pranoi krimin: “Po, gruan e thera unë”, - tha ai, por nuk ka dashur të thotë asnjë fjalë se ku ndodhet koka e 42- vjeçares Liljana Arapi. Pse e mban të fshehtë kokën e gruas? A e di vërtet ai se ku ndodhet koka e saj? Mostregimi i vendndodhjes së kokës është një tjetër krim nga ana e tij: gruaja do të jetë edhe në varr me trupin e saj të paplotë. Mos vallë refuzimi është një shenjë hakmarrjeje, që në shpirtin e tij ende regëtin me të njëjtën forcë si paraditen e së enjtes, kur do të kryente krimin makabër? Si mundet që edhe pas disa ditësh pas krimit ai ende nuk është penduar?! A ishte ky njeriu që transportoi thasët me gjymtyrë drejt kazanit të plehrave, apo u ndihmua nga dikush tjetër dhe 84-vjeçari nuk ka asnjë dijeni se ku ndodhet koka e 42-vjeçares Liljana Arapi, banuese në Bilisht, që vetëm për një vit do të jetonte në Korçë? Çfarë fshihet pas kokës së pagjetur të gruas? Zyrtarisht policia e Korçës nuk dha asnjë sqarim se çfarë kishte thënë 84-vjeçari për kokën e prerë të gruas.

Komshinjtë: I dinim gjysh e mbesë

84-vjeçari, baba i katër fëmijëve të rritur, më i madhi 54 vjeç, kishte vetëm një vit që ishte larguar nga Dardha për të jetuar në Korçë në një banesë të marrë me qira në lagjen nr. 4. Pas identifikimit të autorit, ata që kanë mbetur krejtësisht të befasuar ishin komshinjtë e tij. Gjatë kohës që 84-vjeçari kishte jetuar pranë tyre e kishte prezantuar veten si një njeri të qetë. “Mbetëm të ngrirë nga ajo që dëgjuam”, - tha një grua. “Ishte vërtet e pabesueshme”, - tha një tjetër. Si mundi që një 84-vjeçar, që ndodhej në fund të jetës së tij, të therte një vajzë të re 42-vjeçe, me të cilën nuk kishte as një vit që bashkëjetonte?” - ishin komentet e fqinjëve. “Ajo që dëgjuam ishte një tmerr i vërtetë! E dinim që në shtëpinë e tij jetonte një vajzë, por ai gjithnjë na thoshte se e kishte mbesë, kurse vetë Liljana na thoshte se e kishte gjysh. Sigurisht që u besuam, sepse nuk mund të mendonim që ata të dy bashkëjetonin. Gaqo Dumka dukej një gjysh i mir녔 Të paktën këto kanë qenë opinionet e komshinjve për aq sa e kishin njohur. Askush prej komshinjve nuk di të thotë se kush i prezantoi ata të dy. Ndryshe nga opinionet e njerëzve të lagjes, njëri nga djemtë e 84-vjeçarit k në polici se i ati e kishte vrarë 42-vjçaren për xhelozi. Megjithatë, pati edhe komshinj që thanë: “Ai e mbylli brenda dhe nuk e linte për asnjë çast të dilte jasht녔 Gjithsesi, askush nuk ka një ide të qartë se pse ky njeri nuk tregon ku e ka fshehur kokën e 42-vjeçares.

Pranimi i krimit

Një njeri tejet i moshuar, 84-vjeç (që edhe kur u arrestua mezi çapitej), me një pamje që tregonte se ndodhej në ditët e fundit të jetës së tij, gjë që reflektohej edhe te vështrimi i tij - dy sy me dritë të shuar i ishin ngulur në thellësi të kafkës së kokës - u mor në pyetje menjëherë pas arrestimit. Fillimisht ai tha: “Jo, gruan nuk e kam vrarë unë”, por kësaj deklarate nuk do t’i qëndronte dot gjatë. Deri në atë çast, në orën 17:00 të ditës së shtunë, strukturat e policisë në drejtorinë e policisë të qarkut Korçë, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe me prokurorinë e rrethit gjyqësor Korçë kishin bërë të mundur identifikimin e kufomës së gjymtuar; kishin zbuluar se kjo grua kishte bashkëjetuar me 84-vjeçarin në një banesë të lagjes nr. 4 në Korçë, që e kishte marrë me qira. Në shtëpinë e 84-vjeçarit ishin gjetur edhe gjurmë gjaku si në brendësi të banesës, ashtu dhe jashtë saj. Të gjitha këto flisnin se krimi ishte kryer në shtëpinë e tij. Aty ishte gjetur edhe sëpata, edhe dy thikat, edhe celulari i viktimës, edhe rrobat e saj. Plaku-monstër e kishte të vështirë të thoshte: “Jo, këtë krim nuk e kam kryer unë”. Përballë fakteve ai tha: “Unë e vrava Liljana Arapin.”

Koka e prerë

Megjithatë, i pandehuri do të përballej edhe me një pyetje tjetër: “Ku gjendet koka e 42-vjeçares?” Për këtë pyetje ai do të mbante një qëndrim refraktar. Nuk ishte i gatshëm të bashkëpunonte. Nuk donte aspak të tregonte. Gjatë gjithë kohës së marrjes në pyetje ai refuzoi të thoshte atë që dinte, mundi të qëndronte stoik përballë pyetjeve të oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorëve. Pati një çast që për të mos treguar vendndodhjen e kokës së prerë ishte i gatshëm t’i kthehej versionit të parë: “Jo, gruan nuk e kam vrarë unë.” Pyetja për kokën e bënte të ndihej mirë 84-vjeçarin. Ai kishte pranuar krimin, por nuk jepte sqarime për kokën. Pse vallë vendosi të mos tregonte ku ishte hedhur koka e prerë? Zyrtarisht policia nuk ka dhënë asnjë version se cila kishte qenë përgjigja e 84-vjeçarit, por e vërteta është se ai refuzoi të jepte një përgjigje të saktë për këtë gjë. Ndoshta kishte vendosur që këtë të fshehë ta merrte përjetësisht edhe në varrin e tij. Koka nuk u gjet. Mendohet që koka të jetë prerë në shumë pjesë (të jetë dërrmuar), por edhe kjo gjë nuk jep asnjë shans për mosgjetjen e saj. Flokët e gruas do të ishin edhe më të dukshëm se pjesët e gjymtyrëve.

Therja e gruas

Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja ka ndodhur paraditen e së enjtes, çka do të thotë se natën e së mërkurës dhe të së enjtes ata do ta kalonin bashkë. Gjithë konflikti do të lindte në orët e paradites të së enjtes. Plaku dhe gruaja do të përballeshin me njëri-tjetrin. Ajo nuk mundi të ikte, nuk mundi të mposhte 84-vjeçarin. Ai e vrau me thikë. Gjatë kësaj dite (kishte mjaft kohë) ai do ta priste gruan në copa, do të siguronte thasët e plastmasit (nuk dihet nëse i kishte pasur në shtëpi atë çast apo i kishte blerë në pazar), sepse do t’i duheshin që të paketonte gruan e therur. Me gruan e masakruar do të bashkëjetonte edhe gjatë gjithë ditës së enjte. Pastaj do të priste rënien e natës që gruas së pajetë t’i jepte lamtumirën e fundit. Të moshuarit sigurisht që i janë dashur disa ecejake (pa makinë) nga shtëpia drejt kazanëve të plehrave (të kalonte nëpër lagje) për të çuar thasët dhe këtë duhej ta bënte para orës 23:00, sepse në këtë orë kufoma u gjet, gjë që do të thotë se gjymtyrët janë çuar më shpejt dhe 84-vjeçarin nuk e pa askush me thasë ngarkuar. Megjithatë, nuk dihet asgjë nëse kokën e prerë të gruas e kishte vendosur në thasë apo e groposi diku tjetër larg shtëpisë së tij. Deri në gjetjen e kokës së prerë duket se misteri do të vazhdojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›