E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimi i shtetit, regjistrimet nisin javën e dytë të shtatorit

15/08/2011  Përzgjedhja e testeve të provimit do të bëhet nga një kompani angleze

Tarifat e plota që duhen shlyer për të marrë pjesë në testime

Përzgjedhja e tezave për provimet e shtetit, që do të aplikohet për herë të parë në vendin tonë gjatë këtij viti, do të bëhet nga një komani angleze. Drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) konfirmojnë se përgatitja e pyetjeve që do të përmbajnë këto teste do të bëhet në fshehtësi të plotë, bazuar në specifikat e programeve të përgatitura për 12 llojet e profesioneve. Tashmë është përcaktuar dhe koha kur do të jepen këto teste, të cilat do të iniciojnë në muajin nëntor. Por për të marrë pjesë në këtë provim, rezultatet e të cilit kushtëzojnë marrjen e licencës profesionale, kandidatët e sapodiplomuar në fusha të caktuara duhet të plotësojnë një sërë kushtesh, ku një ndër më të rëndësishmet është edhe kryerja e praktikës profesionale. Në javën e dytë të muajit shtator është planifikuar edhe çelja e regjistrimeve për kandidatët që duan të japin provimin e shtetit. Procesi i regjistrimeve do të kryhet pranë institucioneve përkatëse si Urdhri i Mjekut, ai i Farmacistit, i Infermierit, i Stomatologut, dikasteret e arsimit etj., të cilat do të përfundojnë në fillim të muajit tetor. Sipas kreut të AKP-së Petraq Papajorgji, aktualisht ka nisur puna përgatitore, ku janë ngritur dhe komisionet që do të hartojnë tezat e provimeve. Marrja e notave kaluese në këtë provim është tepër e rëndësishme, pasi, edhe pse një mjek apo infermier ka mbaruar studimet e larta, ai nuk mund ta ushtrojë profesionin e tij. Kandidati ka të drejtë ta japë atë 5 herë, ndërkohë që ai do të jetë me shkrim dhe me gojë. Po ashtu janë detajuar edhe tarifat që secili kandidat duhet të shlyejë për të marrë pjesë në këtë provim. Studentët e diplomuar në degët mjekësi, farmaci, infermieri, fizioterapi, veterineri, arkitekturë, inxhinieri, juridik ose në ndonjë program tjetër studimi, që njihet si profesion i rregulluar me ligj, duhet të paguajnë tarifa nga 30 mijë deri në 120 mijë lekë për të dhënë provimin e shtetit. Tarifat për provimin e shtetit për kandidatin që jep provimin për herë të parë është 30 mijë lekë, por pëson rritje të mëtejshme.

Tarifat për provimin e shtetit

Për kandidatin që jep provimin për herë të parë – 30 000 lekë.

Për kandidatin që jep provimin për herë të dytë - 50 000 lekë.

Për kandidatin që jep provimin për herë të tretë - 80 000 lekë.

Për kandidatin që jep provimin për herë të katërt - 100 000 lekë.

Për kandidatin që jep provimin për herë të pestë - 120 000 lekë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›