A ishim të dielën në NATO?!
Albert Gjoka
Zoti Brus Xhorxh, një nga 4 personat që janë përzgjedhur për të certifikuar zgjedhjet e 28 qershorit, bëri ditën e djeshme një shaka shumë therëse: “Nëse NATO-ja do të ishte e regjistruar si parti politike në Shqipëri, pa dyshim që ajo do të ishte fitimtarja e zgjedhjeve”. Një konstatim i tillë i zotit Xhorxh, i cili ka qenë edhe më parë në cilësinë e monitoruesit të proceseve zgjedhore në vendin tonë, u bë pikërisht në “leksionin” e gjatë që bëri në prani të të gjithë vëzhguesve dhe mediave vendase dhe të huaja, të cilat prisnin frazën standarde që procesi ishte i ndershëm dhe i lirë. Në ndryshim nga herët e tjera, kjo shprehje nuk u artikulua asnjëherë për atë që ndodhi dy ditë më parë, sidomos nga përfaqësuesi i delegacionit të parlamentarëve që vinte nga Aleanca ku Shqipëria është anëtare zyrtarisht që prej 2 prillit të këtij viti. Gjithsesi, dita e diel mori me zor vlerësimin e institucionit që vulos proceset zgjedhore se ato ishin në përputhshmëri me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës për zgjedhjet demokratike si dhe me legjislacionin shqiptar. Dy ditë më parë, 3.1 milionë shqiptarët u drejtuan në kutitë e votimeve ditën e diel për të votuar si anëtarë të Aleancës me shpresën dhe ambicien për të zgjedhur një qeveri dhe institucione demokratike, një shtet ku sundon ligji dhe ku lufta ndaj korrupsionit mbetet sfida më e madhe për të ecur përpara. Por pikërisht në atë moment, sakrifica e bërë përgjatë 18 viteve të tranzicionit u zbut dhe filloi të shkërmoqej. Palët në zgjedhje reflektuan një mungesë të theksuar besimi dhe procesi desh hyri në shtigje të pasigurta. Foshnjës që sapo ishte ngritur në këmbë, kur besohej se mund të ecte e vetme, iu drodhën këmbët dhe desh ra. Presioni i ndërkombëtarëve dhe mesazhet publike, të drejtuara përmes kafeneve të kryeqytetit, ulën tensionet politike përkohësisht, për t’u rikthyer më pas me flamuj blu që valëviteshin mbrëmjen e së dielës, që të kujtonin historinë e zgjedhjeve që fituesi shpallet pa u mbyllur kutitë. Duket ashiqare se sërish këshilla e prindit bëri të vetën, e cila tashmë është kthyer në urdhër frikësues që mban të lidhur me zinxhirë politikën e paduruar të këtyre 18 viteve.
Flamujt e ditës së diel treguan se ne realisht nuk ishim në NATO; sepse Aleancën e vlerave e kishim harruar pikërisht në momentin që e arritëm. Fushata më shumë se 30-ditore e mbushur me vrasje mafioze e krime plot mistere, me mitingjet plot para, të cilat nuk dihet nëse janë të pastra apo të pista; me presione ndaj administratës dhe me shantazhe ndaj zgjedhësve tregoi se vendi me standardet e NATO-s ishte thjesht një propagandë dhe sfond flamujsh.
Shqipëria nuk ishte në NATO as dje; pikërisht në momentet kur një gjë e tillë u artikulua nga përfaqësuesi i Aleancës që monitoroi procesin zgjedhor të dy ditëve më parë. Artikulimi se këto zgjedhje nuk i arritën standardet e vendeve që pretendojmë se bëjmë pjesë, është shembulli më i qartë. Një vend anëtar i NATO-s do të kishte shpallur dje rezultatin e zgjedhjeve; pasi një gjë e tillë ndodh edhe në vendet që ruhen nga ushtarët e Aleancës. Ne tani kemi jo vetëm ushtarët afatgjatë, por edhe ushtarët afatshkurtër të OSBE/ODIHR-it, të cilët, nga frika e manipulimit të procesit të numërimit, po rrinë si xhandarë në komisionet e numërimit të votave. Kur kanë kaluar më shumë se 18 orë dhe kur pritet të kalojnë edhe një herë aq, askush nuk e di se kush ka fituar sepse individët e shtetit që nuk janë në NATO janë shumë dhe ata vazhdojnë ta tërheqin pas vetes vendin, drejt regresit. Edhe dje u tha se ky vend është shumë larg edhe BE-së, edhe kur shpresat për heqjen skllavërisë së vizave për shqiptarët apo pranimin e statusit të vendit kandidat në BE u duket fare afër dhe të prekshme.
Edhe sot nuk jemi në NATO.
30 Qershor 2009