Shqipëria, “Italia e vogël” që i mungon Europës
Shkruar nga Renato Farina
E diel, 28 qershor 2009
Në Tiranë është një rrugë e madhe (bulevard) në mes të qytetit. Ajo shtrihet përgjatë dy shesheve. Njëri prej tyre mban emrin e Nënë Terezës, ndërsa tjetri atë të Skënderbeut, që të dy heronj kombëtarë dhe figurat më të shquara të këtij vendi. Pikërisht në atë rrugë këto ditë u zhvillua një ritual përpara një sfide mes gladiatorësh. Dhe gladiatorët janë Sali Berisha dhe Edi Rama. I pari është kryeministri i vendit dhe kryetari i Partisë Demokratike (i qendrës së djathtë dhe që si simbol ka flamurin blu). I dyti është kryebashkiaku i Tiranës dhe kryetari i Partisë Socialiste (i qendrës së majtë, e simbolizuar nga ngjyra e kuqe). Që të dy këta bura janë më të gjatë se mesatarja, flasin si aktorë, me një zë të thellë dhe të vendosur. Që urrehen mes tyre, kjo duket. Edhe pse janë kryqëzuar kanë mbetur të padukshëm për njëri-tjetrin, si dhe përpara vëzhguesve të huaj të ardhur nga Europa për të vëzhguar zgjedhjet. Sot në Shqipëri votohet për Parlamentin shqiptar. Nga ky proces do të zgjidhen 140 përfaqësuesit e popullit, deputetë për Parlamentin shqiptar. Nga sondazhet flitet se e djathta është në avantazh. Ndërsa socialistët e rinj janë në duel edhe me socialistët e vjetër që përfaqësojnë të kaluarën (ish-komunistët), duke mos qenë mjaft të qartë se kundër kujt duhet të luftojnë më fort. Por deri tani të tjerët nuk llogariten. Ata që janë më të rëndësishmit janë dy sfidantët kryesorë dhe në sfond më e rëndësishme është e ardhmja e Shqipërisë, një vendi që më pro italian nuk bëhet edhe pse për ne është kaq i panjohur.
Programet binjake
Ditën e mitingjeve përfundimtare në zemër të bulevardit të madh të Tiranës (qytet prej 1 milion banorësh), i pastër, i rregullt, është njësoj si të jesh në një stadium përpara fillimit të derbit. Drejt sheshit “Nënë Tereza” ndodhen socialistët. Ata identifikohen me numrin e tyre 33, njësoj sa vitet e Krishtit (ndër të tjera në Tiranë ka edhe një restorant “Jezus Krishti”). Rreth një kilometër më tutje janë mbledhur demokratët, që identifikohen në garë me numrin 10. Në mes të dy mitingjeve ka një hapësirë boshe që duket si toka neutrale dhe nuk i përket askujt, por që ruhet nga policia. Ajo s’i përket askujt dhe të dyve. Situata duket e qetë në sipërfaqe, edhe pse zien nën të.
Kemi lexuar këto ditë për dy atentate kundër kandidatëve dhe anëtarëve të partive. Njëri prej tyre, kreu i Partisë Demokristiane (PDK) në një zonë të veriut të vendit është hedhur në erë me gjithë makinën e tij nga një autobombë. Ndërkohë, krerët politikë të të dyja partive në këtë zonë na kanë thënë se ngjarja në fjalë nuk kishte lidhje me politikën, pasi personi ishte një njeri me precedentë kriminalë. Ndërkohë, në garën mes dy të mëdhenjve, që sa vjen dhe bëhet më e ashpër, dy protagonistët tani i kanë lyer “muskujt me vaj” dhe ngjajnë si ata luftëtarët antikë, edhe pse nuk ka asnjë thërrime dhune. Shihen vetëm flamujt kuq dhe blu, që valëviten në mitingjet përkatëse, në një kohë që simpatizantët e djathtë përpiqen të ulërijnë më fort. Madje të djathtët kanë marrë me qira edhe një aeroplan të vogël, që fluturon në kuota të ulëta dhe që tërheq nga pas një banderolë ku shkruhet “Shqipëria po ndryshon”. Përveç të rriturve, të veshur mirë, që u përkasin të dyja partive, shikon edhe fëmijë, të cilët shëtisin me motoçikleta të vogla dhe që mbajnë në duar flamujt e partive. Edhe ata duken si luftëtarë mesjetarë që zihen me heshta nga kuajt. Pastaj nisin mitingjet, pak para mbrëmjes dhe përfundojnë përpara se të niste një rrebesh si ata tropikalët. Programi është i njëjtë për të dy protagonistët e kësaj gare: modernizim, lufta ndaj korrupsionit (duke e identifikuar këtë te partia e kundërshtarit) etj. Por ndryshimi i vetëm midis tyre është përkatësia pranë secilit klan. Ndërkohë që premtimi më i madh i kësaj fushate dhe i njëjtë për të dyja forcat është: “Do të realizojmë qarkullimin e lirë të shqiptarëve në Europë pa viza”. Kjo pritet që t’u japë fund radhëve të gjata dhe pritjeve pa fund nëpër sportelet e ambasadave të vendeve të BE-së. Ndërkohë, Berisha ka vënë në siglën e fushatës së tij edhe stemën e NATO-s. Kjo lidhet me meritën e qeverisë së tij që ka ndërtuar rrugë, që ka drejtuar ekonominë e vendit në një ecuri normale, pavarësisht fazës së krizës, por mbi të gjitha që futi më 4 prill të këtij viti Shqipërinë me të drejta të plota në Aleancën Euroatlantike, si dhe nënshkroi me BE-në paktin e parë për stabilizim-asociim prej nga ku mund të krijohet mundësia që edhe ky vend të bëhet anëtar i kësaj familjeje. Kjo ka bërë që stema e NATO-s të jetë po aq e njohur për shqiptarët sa dhe ngjyrat e Juventusit, Milanit dhe Romës për italianët. Në këtë vend Europa është akoma një mit dhe po aq edhe Amerika. Kjo shihet edhe në mitingjet e fushatës, ku bashkë me famujt e partive politike, valëviten edhe ata me 12 yje si dhe ndonjë flamur amerikan. Po ashtu edhe të votosh në këtë vend konsiderohet akoma si një shpresë. Ky është si një rit rifillimi për Shqipërinë, një vend i lashtë, i njohur si Iliri dhe i pushtuar nga romakët dhe i ungjillëzuar nga Shën Pali. Ky është një vend ku demokracia e re është si një i ri adoleshent që ka kthyer sytë nga jeta perëndimore dhe nga mirëqenia pas 50 vitesh të një diktature të egër komuniste si dhe 10 vjetësh në një tranzicion të ashpër dhe në prag të luftës civile.
Një vend i nënvlerësuar
Është e pabesueshme se si ne e nënvlerësojmë këtë vend. Të gjithë, po pikërisht të gjithë, të 4 milionë banorët e këtij vendi (1 milion banorë janë në Tiranë), flasin italisht. Kjo ndodh edhe në takimet zyrtare dhe ndërkombëtare ku italishtja është një gjuhë e preferuar. Nga ky shtet nuk nisen më drejt nesh gomonet. Kjo falë një akordi të respektuar mes dy shteteve tona, edhe pse kjo pati një ndikim negativ në ecurinë e turizmit të këtij vendi, si dhe për eksportet tona. Kjo erdhi nëpërmjet një ligji që miratoi qeveria shqiptare, i cili i ndalonte çdo barke me motor që të lëvizte nëpër brigjet shqiptare. Kjo gjë solli si rezultat braktisjen e porteve dhe moleve turistik, në një kohë që industria italiane e ndërtimit të gomoneve, motoskafëve dhe jahteve, të cilat mund të eksportonin në këtë vend prodhimet e tyre për borgjezinë e këtushme, por edhe për atë të vendeve ballkanike ngjitur me Shqipërinë, nuk e patën këtë mundësi. Ndërkohë, për këtë vend ne (Italia) jemi partneri kryesor tregtar, si dhe kemi bankën kryesore private në vend, Intesa-San Paolo. Nga ana tjetër, ky vend i ri, në një kohë që ne në 2008-n shkuam në recension ekonomik, rriti PBB-në në 6 për qind! Edhe këtë vit, në një kohë që në çdo anë të botës zhvillimi ekonomik po bie, këtu po rritet akoma, pak më pak se viti 2008, megjithatë, ai shkon nga 1.1-3 për qind. Ndërkohë borxhi publik që tek ne shkon nga 105-106 për qind, këtu ai shkon në 54,78 për qind. Këtu edhe pagat janë shumë të ulëta, ku një punëtor fiton në muaj në bazë të meritës nga 150-350 euro, në një kohë që edhe kostoja e jetesës është e ulët.
Shumë korrupsion
Halli më i madh është korrupsioni, i cili shtrihet në çdo nivel të shoqërisë. Një tjetër problem i këtij vendi është niveli i lartë i kriminalitetit të organizuar. Domethënë mafia. Por në këtë pikë ne do të bënim më mirë që të mbyllnim gojën. Në të vërtetë në Tiranë ka më pak vjedhje dhe zhvatje sesa në Milano dhe Romë. Kjo ka një domethënie, pasi kriminelët dhe hajdutët më të mëdhenj, sapo regjimi komunist ra, u nisën për në shtetet e tjera, si në Itali, ku kishte edhe më shumë për të bërë. Por ka pasur edhe nga ata, qofshin të ndershëm apo kriminelë, që janë kthyer. Thonë se këta të fundit janë kthyer tashmë me para dhe i janë futur politikës, në të gjitha partitë. Por kjo nuk është ndonjë gjë e re. Ka edhe të tjerë që e bëjnë këtë vend të lulëzojë, të paktën aty ku është e mundur.
Gjatë viteve ’90, viteve të tranzicionit, shumë zona në brigjet e Shqipërisë u betonuan dhe shumë pisha u prenë. Zonat që nuk mund të rikuperohen më janë ato të Durrësit dhe bregdeti i tij, por në Jug të vendit ka akoma shumë gjire të virgjra dhe të lezetshme.
Sot votohet. Mendohet që 250 mijë votues janë pa dokumente për të votuar, në një kohë që flitet para kohe edhe për manipulime. Aty demokracia është e re dhe shpresohet që dy gladiatorët të paktën të jenë të ndershëm.
Marrë nga: “Libero.it”
30 Qershor 2009