E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, BSH-ja rrit mbikëqyrjen e bankave për administrimin e rrezikut



Banka e Shqipërisë ka intensifikuar mbikëqyrjen e bankave në vend. Sipas burimeve zyrtare të këtij institucioni, kjo është bërë me qëllim që të monitorohet nga afër procesi i administrimit të rrezikut dhe mënyrës se si bankat reagojnë ndaj zhvillimeve të reja. Në kushtet kur efektet e krizës botërore që sa vjen dhe bëhen më të dukshme në vendin tonë, institucioni kryesor bankar ka marrë disa masa për përballimin e këtij mjedisi në ndryshim. Në fjalën e tij në Malin e Zi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi se duke filluar nga tremujori i fundit i vitit 2008, Banka e Shqipërisë ka forcuar kontaktet dypalëshe dhe shumëpalëshe me përfaqësuesit e bankave, duke iu kërkuar atyre më tepër vigjilencë për shkak të situatës aktuale në tregun botëror. “Kemi ndryshuar dhe përmirësuar kuadrin e raportimit të bankave, në drejtim të kohës dhe cilësisë së të dhënave, në veçanti lidhur me ekspozimin e tyre ndaj tregjeve financiare (dhe bankave mëmë), detyrimet e tyre (depozitat dhe ekspozimin ndaj linjave të kredisë) ndaj bankave mëmë, si dhe lidhur me zhvillimet në portofolin e tyre të kredisë. Këto të dhëna po monitorohen nga afër, si dhe kemi përmirësuar analizat tona stress-test, në drejtim të paraqitjes së supozimeve më konservatore dhe teknike, të cilat mundësojnë kombinimin e skenarëve negativë të mundshëm”, - theksoi Fullani.

30 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›