E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi i numërimit, shënohen sërish incidente sporadike

Momente tensioni mes grupeve të numërimit në disa KZAZ të kryeqytetit. Incidenti më i rëndë në rrethe, goditet me thikë i riu që deklaroi votën në Exit Poll

Laureta Rryçi

Tiranë - Sërish sporadike janë shfaqur incidentet gjatë ditës së djeshme në procesin e numërimit të votave. Sipas informacioneve të mbërritura, disa nga këto incidente kanë ndodhur nëpër rrethe, por nuk kanë munguar edhe momentet e tensionit në qendrat e numërimit të kryeqytetit. Megjithatë, incidenti më i rëndë ka ndodhur në Roskovec, ku një i ri është goditur me thikë për shkak se ka deklaruar votën e tij në një nga kompanitë e Exit Poll-eve. Burime policore shpjeguan se i riu po merr ndihmën mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Sakaq po punohej për të ndaluar autorin dhe për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje, e cila ka konotacion politik.
Tirana
Që në orët e para të mëngjesit në kryeqytet nuk kanë munguar problemet në qendrat e numërimit të votave. Burime pranë këtyre komisioneve deklaruan dje për gazetën “Albania” se në Shijak është bllokuar numërimi i votave për më shumë se 30 minuta për shkak se përfaqësuesi socialist ka ngritur pretendimin se kishte probleme me një kuti. Më vonë, rreth mesditës, ka pasur tension në një nga KZAZ-të e kryeqytetit. Sipas informacioneve
në KZAZ-në Nr. 57 në Tiranë, edhe pse kryetarja ka deklaruar se situata ishte e qetë, njëri nga anëtarët e komisionit pretendon që në qendrën e numërimit kishin hyrë persona të paautorizuar. Menjëherë pas kësaj është kërkuar pezullimi i procesit të votimit. Po sipas informacioneve është mësuar se kryetari i Bashkisë Vorë kishte hyrë pa mandat vëzhguesi, edhe pse pretendoi se e kishte një të tillë. Pas kësaj situate, palët, brenda një kohe të shkurtër, e kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe kanë nisur sërish procesin e numërimit. Probleme ka pasur me numërimin e votave edhe në Njësinë Bashkiake Nr. 10, që ndodhet pranë sheshit “Avni Rustemi”. Informacionet kanë treguar se është bllokuar numërimi i fletëve të votimit për shkak të mosmarrëveshjeve me komisionerët. Më vonë probleme janë vënë re edhe në Paskuqan, ku procesi i numërimit është bllokuar sërish prej pretendimeve të komisionerëve.
Rrethet
Gjatë ditës së djeshme incidenti më i rëndë është shënuar në Roskovec të Fierit. Sipas burimeve të policisë së atij qarku në Roskovec të Fierit një 20-vjeçar është plagosur me thikë nga një 38-vjeçar, pasi ai foli me një kompani të Exit Poll-eve për votën e tij. Ky mësohet se ka qenë shkaku banal që i riu ra pre e agresorit. Ndërkohë, përsa i përket numërimit të votave, në disa KZAZ të qarkut të Fierit numërimi i votave ka filluar me vonesë për shkaqe të ndryshme.

Kronologjia e incidenteve, 29 qershor

08:30
Qendra e numërimit në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në qytetin bregdetar të Durrësit e ka nisur procesin në orën 04:00 të mëngjesit dhe në këtë proces janë përfshirë 10 grupe numërimi. Në çastet të para të numërimit në qarkun e Durrësit është shënuar dhe incidenti i parë në zonën e Shijakut. Sipas informacioneve, në një nga qendrat e votimit të kësaj zone është bllokuar numërimi pasi përfaqësuesi socialist ka ngritur pretendimin se kishte probleme në një nga kutitë.

09:45
Në Roskovec të Fierit një 20-vjeçar është plagosur me thikë nga një 38-vjeçar, pasi ai foli me një kompani të Exit Poll-eve për votën e tij. Ky ka qenë shkaku banal që i riu ra pre e agresorit. Ndërkohë, përsa i përket numërimit të votave, në disa KZAZ të qarkut të Fierit, numërimi i votave ka filluar me vonesë për shkaqe të ndryshme.

12:19
Në KZAZ-në Nr. 57 në Tiranë, edhe pse kryetarja ka deklaruar se situata ishte e qetë, njëri nga anëtarët e Komisionit pretendon që në qendrën e numërimit kanë hyrë persona të paautorizuar dhe menjëherë pas kësaj është kërkuar pezullimi i procesit të votimit. Mësohet se kryetari i Bashkisë Vorë kishte hyrë pa mandat vëzhguesi, edhe pse ai pretendoi se e kishte një të tillë.

13:21
Shënohen probleme me numërimin e votave në qarkun e Tiranës. Në KZAZ-në e njësisë Bashkiake Nr. 10, që ndodhet pranë sheshit “Avni Rustemi”, është bllokuar numërimi i fletëve të votimit për shkak të mosmarrëveshjeve në grupet e numërimit. Probleme janë vënë re edhe në Paskuqan, ku procesi i numërimit është bllokuar nga komisionarët.

19.52 Gjirokastër
Procesi i numërimit të votave në KZAZ-në nr. 28 në Gjirokastër është ndërprerë gjatë orëve të mbrëmjes për të rifilluar në mesnatë. Burime nga kjo KZAZ thanë se procesi i numërimit të votave është ndërprerë me konsensus të anëtarëve të grupit të numërimit të votave, për disa orë pushim pas një pune të lodhshme që ka nisur natën duke u gdhirë dita e sotme. KZAZ e Gjirokastrës përfshin 122 qendra votimi dhe deri tani ka përfunduar shqyrtimi i 45 prej tyre. Në qarkun e Gjirokastrës funksionojnë tre KZAZ, përkatësisht në Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë. Në zgjedhjet përgjithshme që u zhvilluan dje u thirrën në votime 129600 zgjedhës nga qarku i Gjirokastrës, prej të cilëve votuan mbi 50 për qind e tyre.

Incidentet e ditës së zgjedhjeve

Gjatë procesit zgjedhor në ditën e votimit u shënuan një numër i konsiderueshëm incidentesh sporadike. Dita e diel nisi me bojkotimin e zgjedhjeve nga disa fshatra, të cilat preferuan të mos votonin për shkak të pakënaqësive nga politika e vendit.
Më tej incidentet vijuan në disa qendra votimi mes komisionarëve të PS-së dhe PD-së. Nuk munguan rastet kur militantë të PD-së kanë krijuar situata tensioni. Rasti i parë i dhunës fizike është shënuar në një zonë të qytetit të Korçës. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste ka denoncuar se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij disa të rinj militantë të Partisë Demokratike.
Më tej raste dhune janë shënuar në Fier, Berat, Lazarat dhe Mirditë. Rasti më i rëndë është cilësuar në kryeqytet, në dhunën që është ushtruar ndaj kandidatit të Partisë Socialiste, Saimir Tahirit. Pas përfundimit të procesit të votimit, shtëllunga tymi kanë zënë qiellin e kryeqytetit. Bunkeri i vënë nga lëvizja “Zgjohu” pak ditë më parë është përfshirë nga flakët. Drejtuesi i kësaj lëvizjeje mohon të jetë vetë protagonisti dhe është shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tij rreth kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, policia ka rrethuar vendin e ngjarjes duke mbledhur provat e para për të zbardhur sa më parë arsyen e ngjarjes dhe personin që ka kryer veprimin e kundërligjshëm. Policia e Shtetit, me mbylljen e procesit të votimit, ka kaluar në një fazë tjetër të rëndësishme të detyrave të saj zgjedhore. Në këtë fazë efektivët e policisë kanë marrë përgjegjësinë për shoqërimin e kutive me fletët e votimit nga qendrat e votimit për në vendet e numërimit të votimeve. Ky proces filloi pas orës 19:00 dhe ka vijuar normalisht pa pasur asnjë incident. Mbi 5500 oficerë dhe punonjës policie morën detyrën për të ruajtur rendin dhe qetësinë gjatë ditës së diel në procesin zgjedhor. Ndërsa 2500 punonjësit e tjerë të Policisë së Shtetit kanë qëndruar të “mbyllur” në repartet e tyre duke pritur një urdhër për të dalë vetëm në raste të jashtëzakonshme. Zëdhënësi i Policisë, Klodian Branko, është shprehur se situata gjatë ditës së procesit të votimit ka qenë e qetë dhe veprimet e policisë kanë vijuar normalisht, me të vetmin incident të ndodhur në Vrith të Pukës, ku ka marrë flakë një nga automjetet që transportonin materiale zgjedhore. Kanë qenë 4760 qendra votimi, të cilat ishin në mbrojtje nga policia. Veprimet e policisë kanë qenë në monitorim në mënyrë të vazhdueshme nga PAMECA III, ICITAP-i, OSCE-ja DHE ODIHR-i.

30 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›