Milani zbulon të fshehtat e merkatos së verës
Kantieri" Milan është në punë të plotë. Mendohet pa dyshim për të tashmen, duke synuar arritjen në zonën e Championsit, që do të siguronte hyrjen e miliona eurove në kasafortë, por po reflektohet para së gjithash mbi të ardhmen. Çfarë duhet bërë? Te kush duhet synuar? Përjashtohet hipoteza "e revolucionit": nuk është në stilin e Milanit. Presidenti Berluskoni shpesh ka konfirmuar besimin ndaj Karlo An]elotit dhe Adriano Galiani është i të njëjtit mendim: nuk duket se do të ketë surpriza në stolin kuqezi. Duhet arsyetuar te mënyra e drejtimit të grupit të ri, duke llogaritur që objektivi i parë i sezonit që vjen do të jetë titulli dhe Berluskoni e ka thënë shumë qartë. Ja të gjitha lëvizjet që do të kryhen:
PORTIERË - Problemi është shfaqur në mënyrë shqetësuese, pas pushimeve dimërore, kur Ançeloti vendosi ta zëvendësojë Didën me Kalacin. Drejtuesit po kërkojnë një zgjidhje. Kohët e fundit janë ndjekur braziliani Gomes i Psv Eindhovenit, polaku Boruc i Gllazgou Reinxhërsit, francezi Loris i Nisës, spanjolli Diego Alves i Amerias. Megjithatë, para se të merret një vendim, Galiani e Braida duhet të sistemojnë Didën (që ka një kontratë prej 4 milionë eurosh në sezon), Abiatin, Storarin dhe Kopolën (tre të fundit janë të huazuar). Përshtypja është se Milani do të synojë fort te Sebastian Frei i Fiorentinës: ka pasur disa bisedime dhe të tjera do të ketë deri dhe pas mbylljes së kampionatit.
MBROJTJËS - Berluskoni ka folur qartë për "një lojtar klasi për mbrojtjen". Bisedimet për Zambrotën janë mbyllur prej kohësh: lojtari është dakord të vijë në Milano: tani duhet të takohen Galiani dhe presidenti i Barcelonës Joan Laporta, për të caktuar çmimin e blerjes. Do të rikthehet nga Empoli i riu Marxorati dhe kuqezinjtë do ta lënë sulmuesin Poci në Toskanë. Do të përfshihet në grupin e skuadrës së parë "fëmija" Darmian, që po shkëlqen me skuadrën e të rinjve. Objektivi i madh është Mekses i Romës, por nuk do të jetë e thjeshtë të arrihet te francezi.
Qartësisht, Milanit po studion një strategji: një këmbim teknik (Xhilardino është një hipotezë), përfshi edhe paratë. Meksesi do të ishte "qershia mbi tortë", nëse, mbi të gjitha, Maldini vendos të tërhiqet, por vetëm në fund të sezonit do të mësohen qëllimet e kapitenit. Favalit, Serzhinjos e Kafusë me siguri nuk do t'u rinovohet më kontrata, edhe pse klubi nuk ka vendosur se ç'do të bëjë akoma.
MESFUSHORË - Duke parë se sa shumë janë aktivizuar në këtë sezon tre të paprekshmit (Gatuzo, Pirlo e Ambrozini), si dhe duke parë sa kanë vuajtur për këtë "lodhje", është logjike të pritet një ndërhyrje në këtë repart. Methju Flaminisë i skadon kontrata me Arsenalin dhe Milani ka hapur bisedimet me lojtarin dhe përfaqësuesin e tij. Flamini i pëlqen edhe Juves e Bajernit të Mynihut, por kuqezinjtë duken në epërsi të plotë. Është akoma për t'u vendosur fati i Joan Gurkufit, që në dy sezone nuk ka bindur vërtet: ose do të konfirmohet, ose do të huazohet. Në këtë rast, klubi kuqezi mund të të bëjë një sforcim ekonomik për të shkuar te një element në gjendje për të zëvendësuar të paprekshmit.
SULMUES - Të konfirmuar janë Pato, Kaka, Inzagi e Paloski. Është për t'u kuptuar se ç'do të ndodhë me Ronaldon, kontrata e të cilit është në skadencë. Pastaj është çështja "Xhilardino": lojtari nuk vlerëson një tjetër sezon pas "kuintave", por e ka rrogën të lartë dhe në Itali nuk është e thjeshtë të gjendet një zgjidhje. Roma dhe Fiorentina e Prandelit duken klubet më të interesuara, aq më shumë që kanë pasur dhe bisedime. Mbi frontin e ardhjeve mund të jepet i sigurt ajo e Andrei Shevçenkos. Pas sqarimit me Ançelotin dhe vlerësimit të shfaqur disa herë nga Berluskoni, mbi rikthimin e Shevës, gjithçka është aprovuar. Interesimi për Ronaldinjon është po ashtu një gjë e ditur: është një marrëveshje me lojtarin, por duhet të arrihet edhe ajo me Barcelonën. Berluskoni foli dy ditë më parë për "një sulmues të fortë në ardhje": mendohet për Drogbanë (e vështirë), Adebajorin (jo e thjeshtë), Gomezin (e lehtë). Është për t'u sqaruar edhe roli i Borielos, në bashkëpronësi me Xhenoan.