Një falënderim për mediat dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile
Drejtuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, dëshirojnë t’u shprehin falënderimet e tyre disa prej analistëve e gazetarëve më të angazhuar të vendit, mediave të pavarura, në mënyrë të veçantë gazetës “Shekulli” dhe televizionit “Vizion Plus”, përfaqësuesve të Organizatave për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, shoqatës “Mjaft”, të gjithë individëve që ngritën zërin kundër arrestimit arbitrar dhe keqtrajtimit që iu bë Besnik Lulës, Sadrit Danajt, Eneid Hamzait, Viron Feratit dhe aktivistëve të tjerë të Lëvizjes për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës nga organet e rendit dhe drejtësisë në Vlorë pas protestës së datës 1 prill 2008.
Solidariteti i pazakontë që ngjalli kjo ngjarje e rëndë për demokracinë shqiptare, na jep besim së çështja e mbrojtjes së mjedisit tonë dhe e së ardhmes të fëmijëve tanë përballë lakmive që i janë drejtuar Gjirit të Vlorës, nuk është aspak e humbur.
Letër e nënshkruar
Kryesia e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës