E Shtunë, 31 Tetor 2026

"A janë lajmet për rezerva nafte në Shqipëri, spekulime bursash?"

A janë lajmet për rezerva nafte në Shqipëri, spekulime bursash? Ndoshta, po, por ndoshta edhe jo. Duhet kujtuar se trualli jonë ka qenë një nga të parët që është "gjuajtur" për shfrytëzim nafte nga kompanitë me prestigjioze të botës, ndërsa shenjat e naftës (bitumit) dhe gazit janë vërejtur që në kohën e Strabonit e më shpejt. Ne, specialistët që kemi punuar për një kohë të gjatë në industrinë e naftës, jo vetëm që kemi besim tek kushtet e favorshme gjeologjike që ka territori ynë për gjetjen e rezervave të reja të naftës dhe gazit, por faktikisht është arritur që pothuaj në çdo 3 vjet, mesatarisht, kemi zbuluar një vendburim nafte dhe gazi.

Po kështu, duhet thënë se ai metrazh kërkimi që është realizuar për rreth 15 vjet mbas viteve '90, më parë realizohej brenda vitit, duke patur një koeficient suksesi rreth 30% që pothuaj është në normat ndërkombëtare. Dua të theksoje se e rëndësishme është që këtë pasuri që e kemi e do ta kemi, duhet ta shfrytëzojmë me një koeficient të lartë leverdishmërie dhe mos të bëhen krime të tilla (siç edhe është bërë!) që të eksportohet naftë bruto, e cila ka vërtetë vlerë në rritje, por që po ta eksportosh në formën e nënprodukteve, vlera e saj shumëfishohet me dhjetëra herë.

Prandaj, nuk është e thënë që vetëm kur prodhimi i naftës të arrijë 2 milionë tonë në vit, vetëm atëherë të ngrihet një rafineri nafte. Rafineritë e naftës ndërtohen në funksion të sasisë së prodhimit dhe me rritjen e prodhimit mund të shtohen edhe module të reja. Ai shtet (qeveri) që eksporton lëndë të para bruto (aq më shumë naftën bruto) i bën një krim të madh ekonomisë së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›