E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thjesht një gazetar (II)

Nga Indro Montanelli

E posaçme në 100-vjetorin e lindjes (22 prill 1909 - 2009)

2.

Kjo e përdyjavëshme e marrun fund ishte farkëtuesja e talenteve më të mira të brezit tim. Botohej në 1000 ose 1500 kopje dhe nuk paguante asgjë. Edhe unë u përfshiva në këte aventurë me një impenjim dhe një pastërti për të cilën ende nuk kam keqardhje. Fashizmin e kishim ndërruar për një fabrikë të fuqishme të vetëdijes kombëtare dhe civile, një lloj rruge e shkurtër e papërfillshme për demokracinë. Gjithë shtetet, për t’u bërë kombe, do të duhej t’i nënshtroheshin një autoriteti qendror pak a shumë despotik. Në fashizmin ne shihnim një pushtet absolut që, edhe pse në vonesë, mund të realizonte ate që Rilindja nuk ia kishte arritur: t’i jepte Italisë një vetëdije kombëtare dhe të shuante ndarjen midis Veriut dhe Jugut. Dhe këte farsë të deri asokohe, shpresonim ta shndërronim në një revolucion të vërtetë të formimit të një tipi të ri italiani. Ajo për cilën Ricci më shumë se dhënie idesh, shpaloste një shembull për ata që ishin përreth: përmend si rastësisht, Bilenchi-n dhe Garrone-n, Pellizzi-n dhe Rodolo-n, Galvano-n dhe Cesarini-n, e mandej Rosai-n i cili në “Universale” ishte një lloj ati shpirtëror.

Ashtu si shumë fashistë të orëve të para, më mbas edhe Rosai u gjend ngushtë. Një ditë qe thirrë në Romë prej Duçes. Nuk qe e thënë që të vishte kostumin fashist dhe na u desht fort për ta bindur të vinte të paktën kravatën. Erdhi të nesërmen. “E Mussolini?”, e pyetëm. “Si me më pritë kamerieri i tij: një njeri i zakonshëm, i veshur në të bardha si një akulloreshitës”. “Po ishte vetë Duçja!”. “Kjo do të thotë se edhe ai qe bërë kamerieri i vetvetes”.

Në atë ditë të ’34, Mussolini e ngriti në qiell me elozhe dhe e ftoi të bashkëpunonte me “Popolo d’Italia”.Çka do të thoshte se kështu i kishte treguar masën që ne kishim tejkaluar. Nëse vigjiluesit e Mbasluftës do të kalonin në sitë çdo radhë që unë shkruaja në “Corrirere” për të gjetë ndonjë hap komprometimi, do të duhej të shfletonin koleksionin vjetor të “Popolo d’Italia”, e këtu do të gjenin artikujt tejet të fashistizuar. Sidoqoftë, prej këtij takimi kishim dalë të gjithë fitimtarë dhe të bindur. Duçja na kishte besuar ne detyrën për të realizuar fashizmin e vërtetë, qoftë dhe kundër njerëzve të dobët, konservatorët e tij mandarinë. Pak rëndësi kishte se po ky mandat i qe dhënë edhe atyre të “Cantiere”-s, revista rivale ndaj nesh, e cila duke sjellë korporativizmin e skajshëm mëkatoi në komunizëm, teksa predikonte të kundërtën e asaj që thonim ne.

Në një çast të dhënë Mussolini e pyeti Berton përse e kritikonte reformën Gentile. Ai i tha: “Sepse është e frymëzuar nga idealizmi, për të cilin duhen të përshkohen tre ose katër breza diletantësh të cilët njohin gjithë teoritë e tornos, por që nuk dijnë si me i përdorë.” Polemika kundër Croce-s, kreu i madh i kulturës akademike italiane, ishte një prej kuajve të betejës së “Universale”-s. Mussolini shtangu për një çast, mandej e pyeti: “Ju mos jeni anarkist?” “Militant”, iu përgjegj Berto. Dhe Duçja i kënaqur: “Edhe unë, ndonëse jo militant”. Mbas një viti, ai e mbylli “Universale”-n dhe të gjitha gazetat e vogla opozitare, e madje, mû si një bjondin i thekun, vuri edhe ligjet raciale.

“Paralajmërimi” i fundit - kështu e kishte emërtuar editorialin e tij dymujor - që Ricci firmosi para se të nisej vullnetar në Abisini - përmblidhej te ky epitaf krenar: “Kjo gazetë do të mbarojë kur duhet të mbarojë”. Ishte e vetmja rrénë që kishte thënë ndonjëherë. Për turp dhe për koherencë ai nuk donte assesi që të pohonte se e gjitha kjo ishte një gabim trashanik. Kur në ’37, para se të nisesha për në Spanjë, shkova tek ai për t’i thënë se besnikëria ime fashiste kishte marrë fund, ai më tha pa befasi dhe pa indinjatë: “Janë fakte, këta, të cilët secili duhet t’i marrë vetë përsipër, me vetëdijen e tij”. Mendonte megjithate që në këte rrugë duhet me e përshkue deri në fund. E pata takuar vetëm edhe një herë, në Napoli ku shkova ta përshëndesja për nisjen e tij si vullnetar në Libi. Kërkova ta mbaja duke i thënë: “Mos shko Berto. As ti nuk beson më”. Ai vuri buzën në gaz dhe tha: “Jam shndërruar një herë, nuk mund ta bëj edhe një here tjetër. Jam i vetmi prej ne rrémtarëve që nuk mund ta braktis barkën, edhe nëse shihet se po mbytet”. Nuk u kthye.

XXX

E kisha filluar si “gazetar i rrugës” më 1934, në Paris. Parimisht, siç e kam thënë, regjimi nuk iu jipte favore të rinjve të “Universale”-s, dhe kështu u gjenda praktikant i “Italie Nouvelle”, një gazetë e shkruar gjysmën italisht dhe gjysmën tjetër frëngjisht, e financuar prej Ministrisë së Shtypit dhe Propagandës, e ardhshmja Minculpop (Ministria e Kulturës Popullore) për t’i mbajtur lidhë me Italinë gjithë ata emigrantë që ndodheshin në Francë. Në fillim, në Paris kisha shkuar vetëm si student. Dhe mbasi e kisha thithë këte ajër, çdo pretekst ndihmonte për t’i ikë provincializmit fiorentin. Në “Italie Nouvelle”, megjithate, nuk ndeja shumë. Një mbrëmje, në një tavernë të Montmartre rastësisht u bëra dëshmitar i një zënke spektakolare. Të nesërmen mbasi ia tregova me hollësi një kronisti të “Paris Soir”, ai i dha një gjysmë faqeje kësaj ngjarjeje. Drejtori i gazetës, Pierre Rimbaud, deshti të përgëzonte personalisht redaktorin, që e kishte shkruar; por ai si një zotni, i spjegoi se merita në të vërtetë i përkiste një italiani biondin shtatlartë dhe i hollë si një gozhdë. Drejtori më thirri dhe menjëherë më mori në punë si kronist për kronikën e zezë duke më thënë: “Në Paris të gjithë kriminelët janë italianë dhe të gjithë policët janë korsikanë. Ju do t’iu ecë shumë mirë”.

Si i kronikës së zezë në Parisin e viteve Tridhjetë, unë u dëfreva jo pak. Madje në një Paris të basifondeve, ku profesioni më detyronte që të isha gjithnjë në sulm, për çka nuk u pendova asnjëherë. Fleja në një hotel në rrugën du Bac dhe shpesh me kënaqësi e shuaja urinë në një restorant franko-italian nga ana e Gare de Lyon, ku pronari, don Ciccio Vitamore, ishte kreu i madh i të gjithë mashtruesve parisienë: ose të atyre mashtruesve të vegjël, të cilët të veshur si marinarë anglezë, shisnin derë më derë stofra të Pratos, duke i paraqitur si prodhime prej leshi anglez. Don Ciccio ishte një fashist i shfrenuar, i cili tek regjimi shihte organizimin më të madh kontrabandist që kishte ekzistuar ndonjëherë dhe te Mussolini shihte një Al Capone - vetja i dukej si zëvendës i tij - më të madhin dhe më të fuqishmin. Kështu ai iu jipte me hangër gratis bashkatdhetarëve në këmbim të ndonjë anekdote, në të shumtën të shpikur, që ngrinte lart gjithpushtetin e Duçes. Ambicia më madhe e Don Ciccio-s ishte ajo e të fituarit të titullit “Cavaliere del lavoro”, nderim që asokohe iu jipej vetëm të martuarve. Ndërkohë, unë dhe Gianni Franciolini, një mik fiorentin i emigruar në Paris si asistent i René Clair-it, e bindëm që të merrte shpejt e shpejt për nuse një marsejeze mondane e mbiquajtur Princesha për shkak të flokëve të gjatë të pupluem. Në martesën e celebruar në Montmartre me të gjitha trajtat tipike nuk mungoi të vinte e gjithë kjo lloj parie si dhe putanat e Parisit.

Por kjo bohéme nuk do të zgjaste aq sa do të kisha dashtë. “Paris Soir” në të vërtetë më dërgoi si korrespondent në Norvegji. Por duke qenë se atje kishte një farë korrespondenti, mua mu desht të shkoja për peshkim e të zëja merluc me një norvegjez me të cilin isha njohur në Paris, në Coupole. Prej aty qeshë transferuar në Kanada, ku për t’u gjetë në punë përfundova si llogaritar në një fabrikë në Alberta që i përkiste një italiani me emrin Donati. Pa pikë frike e dyshimi ai mi besoi mua financat e tij, dhe nuk kishte marrë vesh se United Press më kërkonte për të më propozuar punë. Artikujt e mi kishin rënë në sy te korrespondenti i tyre në Paris, i madhi Web Miller. Shkova në Nju Jork, si praktikant i agjensisë më të shquar të shtypit amerikan, por vazhdoja të bashkëpunoja me “Paris Soir”, që më dërgoi ndërkaq, për intervistën më të parë dhe më të madhe të karrierës sime: Henry Ford. Ishte si të thuash, takimi i parë dhe i fundit kapitalist i shtetit në të cilin unë rastisa. Mbasi e kishte mbyllur perandorinë e tij automobilistike, Fordi qe tërhequr në shtëpinë e tij në Dearborn, afër Detroitit ndalë te “early americans”, orenduar prej artizanatit të vjetër amerikan, dhe me orë me tingull që mbas çdo çasti të fundit, e bënte thuajse të pamundur bisedën. Ishte një plak i vogël, me krye të madh, me flokë të bardhë, që më vinte ta thirrja axhë. Edhe ngaqë më priti si të më kishte nip. Më la të habitur, kur më tha se nuk kishte as patentën e shoferit dhe bile nuk kishte as maqinë! Dhe filloi duke ngritur tepër lart Amerikën e Xhefersonit dhe të themeluesve të fshatrave dhe të traditave të viteve Shtatëqind. Vërente me thjeshtësi se ai vetë kishte qenë shkatërruesi i asaj Amerike. E shihja i habitur. “Si ka mundësi shkatërruesi?” “Eh, po a nuk jeni ju që e vutë Amerikën mbi rrota, ishin maqinat tuaja që rritën transportin, zhvillimin, komunikacionet…” Ai mi ngulte sytë i shtangun. Në fund të fundit, ashtu si të gjithë gjenitë, edhe vetë Fordi nuk kishte kuptuar asgjë prej asaj që kishte bërë.

Në United Press mbretëronte vetëm ky ligj: “Shkruaj në mënyrë që të të kuptojë edhe shpërndarësi i qumështit të Ohiao-s”. Hyra në një kurs mbrëmjeje të gazetarisë. Artikujt gjykoheshin jo vetëm prej profesorëve, por edhe prej një audience njerëzish të zakonshëm. Një herë, një dikush nga publiku, më bëri një vërejtje që asokohe më dukej jobindëse. Ai thuajse shpërtheu: “Nëse unë nuk iu kam kuptuar, kjo do të thotë se budallai jeni ju!” Atë ditë, unë që vija nga Italia e fryrë dhe mendjemadhe prej fashizmit, e kuptova që u mposhta prej demokracisë.

E përzgjodhi për botim dhe e përktheu

BESNIK DIZDARI

* Kapitulli i parë i këtij shkrimi është botuar të dielën e kaluar, në “TemA” të 18 prill 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›