Dhoma e Tregtisë: Kriza ka pllakosur, qeveria të ndërhyjë me paketë stimuluese
Një prej grupimeve më të rëndësishme të biznesit shqiptar, Dhoma e Tregtisë, ka kërkuar dje ndërhyrjen e qeverisë dhe marrjen e masave prej saj për të përballur efektet e krizës ekonomike në vend, të cilat janë duke u përkeqësuar nga dita në ditë.
Dhoma e Tregtisë ka përgatitur një paketë të plotë antikrizë që ka në thelb, sipas saj, përballimin e rënies së ekonomisë për shkak krizës ekonomike dhe mbrojtjen e nivelit të punësimit dhe fuqisë blerëse për një periudhë afatshkurtër në vendin tonë duke qenë se të dhënat janë shumë shqetësuese dhe vendet e punës janë duke humbur pa ndalur.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Gjok Uldedaj, tha saktësisht dje se “në kushtet e krizës financiare ndërkombëtare, ne vlerësojmë se është koha që të ndërmerren stimuj fiskalë për të krijuar sa më shumë që të jetë e mundur frymëmarrje për bizneset. Një pjesë e propozimeve tona kanë të bëjnë me legalizimin e aseteve tregtare, si një masë që do t’i injektojë ekonomisë vlera të mëdha e të rëndësishme, që sot qëndrojnë jashtë sistemit të ekonomisë formale. Në paketën antikrizë propozohet heqja e TVSH për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore; të paguhet TVSH vetëm në rastin e ri-eksportimit të këtyre makinerive. Të ulet TVSH për importin e makinerive për përdorim në industrinë e ndërtimit dhe vlera e kësaj TVSH të paguhet me këste të zgjatura, si dhe heqja e pagave të referencës për sektorët e ndërtimit, të prodhimit dhe për biznesin e vogël (sh. p. k., ose person fizik)”. Sipas tij, këto janë programe realiste që ndihmojnë konkretisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe masa konkrete për promovimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale shqiptare. Duke vlerësuar masat që ka marrë qeveria në mbështetje të biznesit të vogël, Uldedaj kërkoi që kjo mbështetje të vijohet më tej në këtë drejtim. “Ne kërkojmë që për sektorë të tillë, si ndërtimi apo eksportet, për të cilët ka skema konkrete financimi, mbështetja të vijohet më me shumë forcë duke krijuar mundësinë e gjenerimit të vendeve të reja të punës”, - tha ai. “Të gjitha këto masa, - nënvizoi kreu i biznesit, - që duhet të ndërmerren në këto kohë të vështira, nuk duhet të përkthehen kurrsesi si një alarm, por një sinjal në kohë.” “Shqipëria vazhdon të jetë në rritje ekonomike pozitive dhe parashikimet janë po të tilla. Ne jemi optimistë se vendi dhe biznesi shqiptar i kanë kapacitetet për të vijuar rrugën e zhvillimit dhe për të mbajtur gjallë dinamizmin e ekonomisë”, - tha Uldedaj. Dhoma e Tregtisë i bashkohet shqetësimeve të organizatave të tjera të biznesit, të cilat prej kohësh kanë kërkuar marrjen e masave për shkak të krizës ekonomike.