PS dhe PD përplasen për shifrat e uljes së varfërisë në vend
Një anketë e realizuar nga Instituti i Statistikave në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Programin e Organizatës Botërore për Zhvillim për matjen e jetesës në Shqipëri është interpretuar në mënyra të ndryshme nga partitë politike në Shqipëri.
Socialistët
Socialistët përmes nënsekretarit për Programin, Ervin Bushati, thanë se është rritur varfëria në zonat rurale dhe se po thellohet hendeku mes rajoneve. Ai ka përmendur qarqet e veriut si më të varfrat.
“Varfëria është 50% më e lartë në zonat rurale se në qendrat urbane. Pabarazia rajonale për të ardhurat ekonomike të çdo familjeje është prezente në një formë ekstreme në Shqipëri.
Varfëria në qarkun Lezhë është 31%; në qarkun Kukës është 37% dhe në qarkun Dibër është 41% mbi mesataren e nivelit të varfërisë ne vend. Qeveria nuk ka bërë asgjë për të ulur varfërinë në qarqet e harruara prej saj; nuk ka marrë asnjë masë për të zhdukur diferencat rajonale në nivelin e varfërisë.
Berisha po shpenzon paratë e shqiptarëve, jo të tijat, në një festim elektoral të pakuptimtë, të dëshpëruar dhe të parakohshëm. Qeveria po na risjell parada absurde suksesesh, në vend që të lehtësojë sadopak varfërinë në vend. Gjendja e dëshpëruar bën qeverinë të marrë këto masa të dëshpëruara; masa të dëshpëruara që bezdisin zgjedhësit, të cilët i kuptojnë lojërat elektorale të një njeriu që po kapet me thonj pas pushtetit që po shket nën të.
Zhvillimi ekonomik në vend krijohet vetëm në sajë të energjisë së pashtershme të biznesit shqiptar që prodhon të mira materiale, pavarësisht gjithë ndërhyrjeve abuzive dhe lidhjeve nepotike të qeverisë”, - tha Bushati.
Qeveria
Nga ana tjetër, qeveria ka theksuar se varfëria po zbutet ndjeshëm. Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, tha se qeveria ka hequr nga skema e varfërisë mbi 200 mijë njerëz. Edhe pse statistikat tregonin se ritmi i rënies së varfërisë nga viti 2002 deri në vitin 2008 ka ndryshuar shumë pak, qeveria aktuale e sheh ndryshe këtë dhe mendon se gjatë periudhës kur ka qeverisur ajo, ritmi i rënies së varfërisë ka qenë më i lartë.
“Rezultatet për 2008 tregojnë se 12.4% e popullsisë është e varfër kundrejt 18.5% në 2005, dhe 25.4% në 2002”, - thuhet në deklaratën zyrtare të anketuesve.
“Ky studim ka konfirmuar edhe njëherë se varfëria në vendin tonë po vazhdon të shënojë rënie me ritme më të shpejta, krahasuar me vitet më parë. Nga 18.5% që ishte në vitin 2005, sot niveli i varfërisë ka rënë në 12.4% të popullsisë, me një rënie me mbi 35% në vitet 2005-2008, nga një rënie me 27% që ishte shënuar në periudhën 2002-2005.
Ky studim veç shifrave ka konfirmuar se kanë qenë politikat ekonomike e sociale të ndërmarra nga qeveria, që kanë bërë të mundur që mbi 200 mijë persona të shkëputen nga zinxhiri i varfërisë dhe të bëhen pjesë e rritjes ekonomike të vendit.
Konsumi mesatar për frymë është rritur me 7% që nga viti 2005.
Zonat qendrore e bregdetare janë zonat, të cilat kanë pasur një ulje drastike të varfërisë. 10% e popullsisë në këto zona është e varfër sot në krahasim me 21.2% të vitit 2005.
Fakti se ka patur një rënie të ndjeshme të varfërisë në zonat rurale, me 47% dëshmon se varfëria nuk është më sot një problem kryesisht rural.
Niveli i lartë dhe i konsoliduar i rritjes ekonomike gjatë këtyre viteve, në 7%, politikat qeveritare të mbështetjes e vëmendjes ndaj këtij problemi të ndjeshëm, dyfishimi i pensioneve, pagave, asistencës sociale, lehtësirat e të bërit biznes, taksat e ulëta, apo dhe programet e zhvillimit rural, investimeve publike, janë shpjegimi i vetëm i uljes së nivelit të varfërisë nga 18.5% në 2005, në 12.4% në 2008 dhe vërtetojnë që remitancat nuk janë më primare si dikur në zbutjen e varfërisë në vend”, - deklaroi Bregu.
Kur një deklaratë e PD përbën lajm
Tashmë është lajm, nëse një deklaratë e Partisë Demokratike nuk përmban fyerje ndaj personave, të cilëve u drejtohet. Të lexuara nga zëdhënësja e re e kësaj partie, formulimet e kryetarit të PD nisin me një fyerje ndaj kryetarit të PS, Edi Rama, dhe përfundojnë me një fyerje ndaj personit që lexon deklaratën nga krahu i kundërt politik. Kjo në rastin më të mirë, sepse në raste të tjera, deklaratat janë të mbushura me shantazhe dhe presione.
“Sot, Edi Rama vuri në gojën e Bushatit serinë e re të shpifjeve dhe trillimeve të zhurmimit dhe nxirjes së çdo lajmi pozitiv për këtë vend. Banka Botërore pak ditë më parë njoftoi se mazhoranca nxori nga varfëria mbi 200.000 qytetarë shqiptarë, ndërkohë që Bushati u thotë shqiptarëve se varfëria në qarkun e Lezhës është rritur me 31% duke harruar se pikërisht në qarkun e Lezhës, nga Fani gjer në Milot, janë investuar nga kjo qeveri vetëm në rrugë kombëtare mbi 600 milionë Euro dhe janë punësuar në ndërtimin e tyre, direkt në rrugë dhe objekte ndihmëse, mbi 4000 qytetarë të këtij qarku, i cili, sipas Ramës, qenka varfëruar me 31%. Por, po në qarkun e Lezhës, në rrugët rurale, ujësjellësit e kanalizimet janë investuar rreth 5 miliardë lekë në këto 3 vite, dhe kanë nisur punimet e investimeve private që në këtë qark shkojnë rreth 2 miliardë lekë. Duhet të jesh në psikozën e Ramës që të nxjerrësh trillime të tilla në tregun mediatik të besueshme sa ditëziu i tij”, - ky ishte teksti i deklaratës së djeshme, të lexuar nga Erla Mëhilli.