E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një miting pa leje!

Nga Mero Baze

Ka ndodhur një ngjarje sa komike aq dhe tragjike. Përfaqësuesit politikë të komunitetit çam në Shqipëri, PDI, dhe drejtues të shoqatës “Çamëria” kanë organizuar një miting pa leje me rastin e ardhjes së kryeministrit Karamanlis në Shqipëri. Shkaku i parë pse u bë pa leje është se nuk iu dhanë leje, por as i penguan; shkaku i dytë është se as datën zyrtare, kur do të vinte Karamanlis, nuk ua thanë në Ministrinë e Jashtme. E gjithë kjo reflekton në të vërtetë atë çfarë është prioritare për kryeministrin Berisha në këto momente në raport me Greqinë dhe problemet që ekzistojnë mes dy vendeve.

Kryeministri, Sali Berisha, i cili ka një histori problematike në raportet me Greqinë, ka bërë një kthesë rrënjësore në këtë drejtim që pas ardhjes në pushtet në vitin 2005. Kryeministri Karamanlis është kryeministri i parë që ai ka takuar në OKB që në javën e parë të ardhjes në pushtet dhe e ka vizituar atë në Greqi dy herë gjatë vitit 2006. Berisha ka arritur të ndërtojë me Karamanlisin një miqësi solide, duke ia bërë të lehtë Karamanlisit justifikimin e kësaj miqësie në opinionin grek. Duke qenë se Berisha është një lider i padëshiruar rajonal në Greqi, miqësia e Karamanlisit me të pritet gjithnjë si lajm, për faktin se Berisha lëshon më shumë se kushdo tjetër terren në kërkesat shpeshherë banale greke ndaj Shqipërisë. Kështu, Berisha u hapi rrugë ndërtimit të varrezave greke në Shqipëri, formalizimit të kufijve, shkollave në gjuhën greke, solidarizimit me politikat e liderëve ekstremë të pakicës greke në Shqipëri, siç është rasti Bollano, si dhe fshirjen nga axhenda e bisedimeve e çështjes së pronave të popullsisë çame, duke e konsideruar problem të mbyllur. Lajme të tilla natyrisht janë mbresëlënëse për opinion publik grek dhe kryeministri Karamanlis ka arsye të mjaftueshme të konsiderojë Berishën një aleat të rëndësishëm politik që nuk i krijon asnjë problem.

Madje, në disa raste, dhe kur nuk ka nevojë, Berisha krijon skena që të bëhet i dashur për të. Rasti i fundit i gjyqit ndaj kreut të “Omonias”, Bollano, ishte një skemë tipike politike e kryeministrit Berisha për të tërhequr vëmendjen e Athinës. Tri ditë para gjyqit, një deputet dhe ministër i rëndësishëm i zotit Berisha, Genc Ruli, bëri apel publik për dënimin e Bollanos. Ruli, i cili është deputet i Gjirokastrës, ku është e përqendruar pakica greke, u duk se përcolli te gjykatat mesazhin për dënimin e Bollanos dhe, sapo gjykata dha vendimin, Berisha doli publikisht kundër gjykatës dhe pro Bollanos. Kjo përpjekje e Berishës për t’u dukur tërësisht i reformuar dhe properëndimor në raport me politikat e vjetra etnike në Jug të vendit, ishte një mënyrë për t’ia bërë më të lehtë Karamanlisit axhendën e tij në Shqipëri.

Një tjetër aspekt politik i vizitës është dhe qëndrimi i pakicës greke gjatë zgjedhjeve të ardhshme. PBDNJ, partia që mbështetet te minoriteti grek, ka tendenca të qarta të futjes në koalicion me Partinë Socialiste, dhe zoti Berisha po tenton hapur ta paraqesë vizitën e Karamanlisit si një lobim për të përfshirë PBDNJ brenda koalicionit të tij.

Por mbi të gjitha zoti Berisha kërkon të përdorë vizitën e kryeministrit Karamanlis edhe për një gjest kokëfortë, që megjithëse është banalizuar, ka vendosur ta çojë deri në fund, atë të aplikimit për në Bashkimin Evropian sot, më 28 prill, edhe pse Brukseli zyrtarisht dhe publikisht e ka këshilluar të mos ta bëj këtë akt para zgjedhjeve, pasi nuk do të marrë përgjigje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›