E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave mobilizon Flamurin për listën e deputetëve

Nga Antena brenda familjes

Lajmi se gripi i derrave po i afrohet Evropës, e alarmoi Flamurin. Si mjek që s’ka pasur rastin të ushtrojë profesionin, ai shqetësohet, sa herë dëgjon për epidemi të tilla. I alarmuar se mos epidemia mbërrinte në Shqipëri, në kulmin e fushatës elektorale, Flamuri thirri në takim urgjent ministren e Shëndetësisë, zonjën Godo, ministrin e Bujqësisë, zotin Gjana, dhe ministrin e Mjedisit, zotin Xhuveli.

- Si është situata? - iu drejtua fillimisht zonjës Godo.

- Po mirë duket, - i tha ajo. - Akoma nuk ka shenja, por problem është se infeksioni nuk vjen nga ushqimi, por nga ajri….

- E mora vesh, - tha Flamuri, - dhe kjo më shqetësoi. Se po të ishte nga ushqimi, së paku kishim shpëtuar gjysmën e popullsisë që janë myslimanë dhe nuk hanë mish derri. Kurse tani nuk ke se nga të ruhesh.

- Më kanë thënë që është kombinim i gripit të njeriut me gripin e pulave, - tha Jemin Gjana.

- Po të jetë kështu, është e lehtë, - tha Flamuri, - se i bëjmë analizat Sami Gjergjit dhe e kuptojmë se cila është mesatarja e një gripi për një njeri që rrit pula dhe duhen krahasuar me analizat e Ponit, kur e zë gripi.

- Ta marrim seriozisht, - tha Jemini, - se mund të na bëhet vërtet problem në fushatë. Pak akuza ka pasur kjo qeveri... Na kanë akuzuar se kemi sjellë një model të ri korrupsioni, se kemi sjellë Fazlliçin, se kemi sjellë Gërdecin, se kemi sjellë serbët në biznes, se kemi sjellë Lul Bashën, tani të na akuzojnë se kemi sjell dhe gripin e derrave. Kjo është hata.

- E vërtetë është, - tha Flamuri. - Si t’ia bëjmë të shmangim kontaktet fizike të njerëzve me frymëmarrje?

- S’ke si ia bën, - tha zonja Godo, - se është fushatë dhe do kemi mitingje. Ne si republikanë vetëm salla të mbyllura mund të përdorim, se në miting jashtë nuk na vjen njeri. Kështu që nuk e shmangim dot.

- Ju nuk u gjen gjë më si parti, se keni marrë vaksinën e Gërdecit, - tha Flamuri, - po ç’t’i bëj unë këtyre të mive, që janë gati për çdo sëmundje, se u ka rënë imuniteti.

- Unë them t’i bëjmë mitingjet në shesh të hapur, - tha Xhuveli, - dhe në distancë një njeri për metër katror. Kështu që nuk ka mundësi që pështymat e njërit të prekin tjetrin. Secili të shikojë përpara dhe të thonë vazhdimisht të njëjtën fjali. Për shembull: “Shqipëria po ndryshon”, “Shqipëria në NATO”, “Mos luani me vdekjen”, “28 Qershori, Gërdeci i opozitës” etj., por të jenë të gjitha të përcaktuara. Kështu ruajmë njëri-tjetrin, pasi llogarisim dhe drejtimin e frymëmarrjes për secilin.

- Kjo qenka ide e madhe, - tha Flamuri. - Me një njeri për metër katror unë e mbush sheshin “Skënderbej” çdo ditë. Dhe kështu ka shans që gripi t’i ngjitet vetëm opozitës.

- Mirë është mos të kapë njeri, - tha zonja Godo, - se prapë ne do të na e hedhin fajin. Unë propozoj që dhe kandidatët për deputetë, para se të vendosen në listë, të bëjnë analizat për virusin.

- Kjo qenka ide fantastike, - tha Flamuri. - Do ta marr vetë si iniciativë. Ai burri s’ia doli dot me dosjet dhe po i vjen mendja vërdallë, se nuk ka se si i eliminon ca e ca nga lista. Tani i them unë që do bëjmë analizat dhe unë si mjek do jem kryetar komisioni. Kështu e di vetë unë kë nxjerr nga lista. Ky grupi i Bamir Topit njëherë ikën i gjithi, se janë shokë me Sami Gjergjin dhe ai ka shanse ta zërë gripi, pasi, siç dihet, është kombinim i gripit të pulave me të njeriut. Me një të rënë të lapsit heq dhe ndonjë nga këta të KOP, se janë delikatë, dhe çdo grip që kalon, i zë. I vetmi problem këtu është Poni, - tha, - që nuk e zë asnjë grip. Këtë si ta heq?

- Thuaj që përhap viruse, - tha Xhuveli, - se ka oreks derri, kur ha.

- E gjeta dhe këtë, - tha Flamuri. - Tani jam i qetë. I fus një të krehur listës, ta jap ty zonja Godo, m’i nxirr pozitivë dhe negativë ata që duhen dhe më 14 maj t’i kemi gati. Më 15 i çojmë në KQZ dhe s’ka më njeri kohë të bëjë analiza. Kështu që e zgjidhëm problemin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›