A janë të vërteta dyshimet se Adriatik Rizvani jeton ende në SHBA?
Një kalvar gati 11-vjeçar, një rini e shkatërruar dhe e harruar nga pasojat e një ngjarjeje tragjike... Viti i mallkuar ’97 rezultoi i tillë edhe për familjen Latollari. Ishte fillimi i vitit 1997. Fillimisht jeta e Aurorës me Astrit Kalaverin ishte normale, por që i ngjante më shumë një qetësie para stuhisë... Nga qyteti i Napolit ata u zhvendosën në fshatin Rivergaro të Piacenzës. Problemet po fillonin të lindnin mes çiftit. Në telefonatat që realizonte me familjen e saj, Aurora filloi të shprehte shqetësime për keqtrajtim nga ana e të shoqit. Data 14 tetor e vitit 1997 ka qenë dhe telefonata e fundit e vajzës me babain e saj. Ka ngjallur një interes të madh te publiku historia e vajzës nga Korça, Aurora Latollari, gjatë kohës që shfaqej në ekranin e Vizion Plusit. Një e re me emrin “Pamela”, punëtore në një lokal në Ankona, ishte personazhi më “surprizë” dhe i çuditshëm përsa i përkiste ngjashmërisë me Aurora Latollarin. Një javë më parë zërin e saj e dëgjuan Sotiri dhe Linda, dy prindërit e Aurorës, të cilët u habitën pasi ai zë dukej i dëgjuar edhe më parë... U desh që të publikohej dëshmia dhe fotografia e kësaj vajze që prindërit e Aurora Latollarit të shpërthenin në lot. Ajo ishte vajza e tyre... Të shokuar nga ajo çfarë i kishte ngjarë dhe fatkeqësia që asaj do t’i duhet të kryejë një terapi të gjatë për t’u rikthyer në normalitet, ata kanë mundur të shqiptojnë një “faleminderit”. Falënderimi ka qenë edhe nga ana e stafit të Aida Shtinos për të gjithë ata emigrantë shqiptarë në Itali, të cilët kanë mundur të thyejnë tabutë, paragjykimet arkaike dhe të mendojnë se “jo gjithmonë ajo që tregohet me gisht është fajtorja....”. Një nënë dhe një fëmijë janë vendosur shpesh në fokusin e emisionit “Njerëz të humbur”. Të njëjtën histori ka edhe një burrë 38-vjeçar. Fatmir Rama erdhi në jetë në vitin 1969 në Maternitetin e Tiranës dhe u braktis në po këtë institucion nga nëna e tij. Gjashtë vitet e para të jetës së tij i kaloi në “Shtëpinë e engjëjve pa krahë”, për t’u adoptuar më pas nga një çift më origjinë nga Baldushku. Me trajtimin e parë të historisë së tij në “Njerëz të humbur” mbërritën shumë telefonata nga persona të ndryshëm, të cilët mendonin se dinin copëza nga jeta e nënës së 38-vjeçarit dhe atij vetë. Fatmiri dukej tejet i emocionuar teksa priste ndonjë lajm pas një muaj kërkimesh. Në mënyrë krejt të papritur, në fillim të emisionit, daja i Fatmirit telefonoi dhe dha lajmin e mirë se nëna e tij gjithashtu mezi priste ta takonte, sepse e kishte parë që ai e kërkonte. Gjithçka mbeti në anonimat të plotë për të respektuar familjen e nënës së Fatmirit, e cila sipas të vëllait, kishte lotuar teksa dëgjonte Fatmirin tek citonte i përmalluar fjalët: “Fëmija pa nënë është si njeriu pa kokë”. Një arratisje e dyfishtë, një takim pas shumë vitesh atë e bir dhe një e vërtetë e pazbuluar ende. Adriatiku kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Gjirokastër. Më tej ai martohet nga kurorëzimi i së cilës lindin tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Në korrik të 1976-s Adriatiku arratiset drejt Greqisë. Pas 6 muajve, në familjen Rizvani vjen një telegram ku shkruhej se ai kishte ndërruar jetë, por pa dhënë asnjë hollësi. Në qershor të 1986-s babai i Adriatikut, Emin Rizvani, arratiset drejt Jugosllavisë. Në vitin 1990 djemtë e Adriatikut arrijnë të flasin në telefon me gjyshin e tyre. Emini pranoi faktin se babai i tyre nuk kishte vdekur në Greqi, por kishte shkuar në vitin 1986 në kampin e ish-Jugosllavisë, ishin takuar me njëri-tjetrin dhe të dy së bashku ishin nisur drejt SHBA-ve. Denoncimi i historisë në “Njerëz të humbur” vuri në lëvizje emigrantë të shumtë në SHBA të cilët natën e së shtunës treguan gatishmërinë maksimale në ndihmë të këtij rasti. Vendndodhja e tij aktuale u përcaktua Ilinois. Shokë të tij si dhe bashkëpunëtorë të “Njerëz të humbur” janë në përpjekje intensive që shumë shpejt historia “Rizvani” të zhvishet nga velloja 35-vjeçare e misterit dhe dy djemtë t`i japin fund ankthit së kësaj pritjeje të gjatë për babain e tyre. Sonte në “Njerëz të humbur” do të ndiqni: Një nënë braktis dikur fëmijën, por martohet më vonë me babain e saj. Cila është historia drithëruese e cila troket sonte në “Njerëz të humbur” ku të dy prindërit biologjikë vijnë për të kërkuar vajzën e tyre të madhe!? A janë të vërteta dyshimet e gazetarëve se Adriatik Rizvani mund të jetojë ende në SHBA!? Ku janë përqendruar kërkimet më të fundit dhe në ç`rezultat kanë arritur këto kërkime? Mos e humbisni për asnjë arsye sonte ora 21:00 “Njerëz të humbur” në Vizion Plus.
14 Qershor 2008