E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saranda, çmime konkurruese për pushuesit në këtë sezon

Flet për “Albania”-n Edmond Gjoka, kryetar i Bashkisë së Sarandës. Ai tregon për investimet shtetërore dhe private dhe resurset turistike

Këtë vit Saranda do të ketë çmime konkurruese krahasuar jo vetëm me qytetet e tjera bregdetare të vendit tonë, por edhe me zonat e tjera turistike të rajonit. Kjo deklaratë është bërë nga kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, i cili rrëfen për gazetën masat që janë marrë për këtë sezon dhe kalendarin e aktiviteteve që do të organizohen për të argëtuar turistët.

Çfarë investimesh po bëhen në sektorët publikë në kuadrin e përgatitjeve për fillimin e sezonit të ri turistik?
Fillimisht dua t’ju falënderoj për këtë intervistë, pas çeljes zyrtare të sezonit turistik veror 2008 më 3 maj. Tashmë e shtuna e parë e muajit maj të çdo viti është përcaktuar nga Këshilli Bashkiak si dita zyrtare e çeljes së sezonit turistik veror, pasi në Sarandë dhe në rajonin e saj pelegrinazhi turistik vazhdon, pavarësisht nga flukset përgjatë 12 muajve të vitit. Festimi i kësaj dite është kthyer në një traditë të bukur, duke u shndërruar në një festë qytetare. Qyteti, në sajë të masave të marra nga Bashkia dhe investimeve për përmirësimin e infrastrukturës në përgjithësi dhe asaj turistike në veçanti, erdhi në promovimin e çeljes së sezonit veror 2008. Saranda, për frymë të popullsisë ka thithur investime të ndjeshme. Por, e rëndësishme është që kjo prirje e mbështetje duhet të vazhdojë edhe më tej, pasi impakti i këtyre investimeve në zhvillimet turistike në Sarandë është i drejtpërdrejtë. Në prag të çeljes së sezonit u përurua nga kryeministri Berisha rruga nga hotel “Butrinti” në Kanalin e Çukës, me një gjatësi rreth 3 km dhe me vleftë 3,5 milionë dollarë. Rehabilitimi i këtij aksi rrugor i ka ndikuar pozitivisht në zhvillimet turistike në këtë zonë ku intensiteti i njësive hoteliere dhe turistike në përgjithësi është më i lartë krahasuar me zona të tjera të qytetit. Rritja e prodhimit dhe furnizimit të ujit të pijshëm me 50 për qind si rezultat i vënies në punë të pusit të tretë në Vrion, 6 km larg qytetit, përfundimi i dhjetëra kilometra asfaltime në brendësi të blloqeve të lagjeve, mbjellja e mbi 600 pemëve dekorative në qytet etj., ishin disa nga investimet e përfunduara në prag të sezonit veror turistik. Nga ana tjetër, me investimet e Bashkisë dhe biznesit privat po bëhet i mundur përmirësimi dhe rritja me 50 për qind i kapacitetit të plazheve si dhe përmirësimi cilësisht i infrastrukturës turistike e mjedisore të qytetit. Dua të përmend këtu se Bashkia investoi nga të ardhurat e saj për rikonstruksionin dhe rivënien në punë pas gati 20 vjetësh të muzeut arkeologjik të qytetit “Onhezmi”, i cili është bërë një nga pikat më të vizituara në qytet, duke shërbyer njëkohësisht edhe si një informacion për sitin arkeologjik të Onhezmit (Saranda Antike shek. V-VI pas Krishtit), por edhe për qendra të rëndësishme të turizmit kulturor si Butrinti dhe Foinike. Kanë përfunduar e janë duke filluar nga zbatimi projekte madhore me impakte të fuqishme në cilësinë e jetës së qytetit e të komunitetit të tij. Së shpejti do të fillojnë punimet për përfundimin e Rrugës Nr.5 (Loti 2 +3) me vleftë 2.5 milionë dollarë; rruga hyrëse e qytetit me vleftë 3.5 milion USD e mjaft objekte të tjera të rëndësishme si shëtitorja përgjatë bregdetit, 3 kilometra e gjatë e 10 metra e gjerë, që parashikohet të nisë nga hotel “Butrinti” - në Kanalin e Çukës, me vleftë 15 milionë dollarë etj. Investimet publike që po kryhen aktualisht konvergojnë e japin impakte në rritjen e performancës turistike të qytetit e të zonës urbane përreth tij.
Cilat janë kapacitetet dhe resurset turistike në qytetin tuaj? Sa operatorë turistikë janë të licencuar në qytetin tuaj?
Turizmi është identifikuar si dimensioni më kryesor i zhvillimit të qytetit sot e në perspektivë. Saranda po karakterizohet përherë e më shumë nga zhvillime e risi konkurruese në tregun turistik edhe në optikën rajonale. Është pozicionuar aktualisht, të themi, në pikën relativisht më të lartë të hierarkisë turistike të vendit. Në qytet, sipas statistikave, funksionojnë 120 njësi hotelerie e të shërbimit me kapacitet akomodues 5 mijë shtretër. Po kaq kapacitete turistike funksionojnë edhe në mjediset familjare. Në Sarandë funksionojnë 7 operatorë turistikë, që bashkëpunojnë me agjenci turistike në rajone të ndryshme të botës. Sezoni turistik veror i vitit të kaluar shënoi frekuentimin me rreth 200 mijë turistë, prej të cilëve, sipas të dhënave që disponon Drejtoria e Turizmit në Bashkinë tonë, ishin të huaj nga më shumë se 75 vende të botës. Me pasuritë e trashëgimisë kulturore, me plazhet, pikat e preferuara të turizmit kulturor, me kapacitetet akomoduese, të shërbimit dhe argëtimit, ajo po kthehet përherë e më tepër në një destinacion turistik të pëlqyeshëm. E ndodhur mes dy qytetërimeve antike: Butrintit dhe Foinikës, Saranda dhe rajoni i saj disponojnë mbi 97 asete në natyrë dhe trashëgimisë kulturore. Muzeu Arkeologjik, ai i Etnografisë, sinagoga hebraike në qendër të qytetit, qyteti antik i Butrintit, 18 km nga qyteti, pasuri e UNESCO-s, kalaja e Lëkurësit, manastiri i 40 shenjtorëve, 2 km në kurorën e Sarandës, manastiri i Mesopotamit, 11 km larg qytetit, Syri i Kaltër, 23 km nga Saranda, qyteti antik i Foinikës etj., janë vetëm disa nga resurset të cilat i pasurojnë gudiat e çdo vizitori që zgjedh Sarandën.
A do të kenë këtë vit pushuesit 24 orë ujë dhe drita? Çfarë masash po merren për pastrimin e bregdetit?
Sikurse përmenda, si rezultat i vënies në punë të pusit nr. 3 në vend-marrjen e ujit të pijshëm në fushën e Vrionit, investim nga buxheti i shtetit, është dyfishuar sasia e ujit për konsumatorët. Me investimet në proces për rehabilitimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm me një vlerë prej 3 milionë dollarë parashikohet që brenda vitit 2009 të zgjidhet në mënyrë definitive; furnizimi me 24 orë ujë pa ndërprerje. Me masat e marra nga njësitë akomoduese pushuesve nuk u mungon uji përgjatë 24 orëve. Në lidhje me furnizimin me energji elektrike, tashmë dihet se Saranda prej disa vitesh nuk ka pasur kufizime gjatë sezonit veror turistik. Parandalimi i dëmtimit të bregut të detit nga mbeturinat inerte është preokupim i vazhdueshëm i Bashkisë, e cila ka aplikuar shpesh masa të ashpra administrative nëpërmjet Policisë Bashkiake. Sipas studimit të impaktit mjedisor dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis, të kryer nga kompania e specializuar daneze “COWI” në Gjirin e Sarandës, rezulton se ujërat e këtij gjiri janë nga më të pastrat, sipas parametrave europianë.
A keni planifikuar aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive për pushuesit gjatë muajve të verës?
Bashkia e Sarandës ka një kalendar të ngjeshur të veprimtarive kulturore e sportive përgjatë muajve të verës. Veprimtaritë kulturore e artistike, promocionale të çeljes së sezonit turistik veror pasohen me Javën Kombëtare të Fëmijëve, me edicionin e tretë të Festivalit Kombëtar të Orkestrave Frymore, me Festivalin Kombëtar Tradicional “Butrinti 2000”, me koncerte xhazi dhe buzuqe në kuadër të programeve ndërrajonale kulturore Interreg, vënia në skenë e premierës së veprës dramatike “Kthesa”, të Tankred Dorst, me regji të sarandjotit M. Kalemi etj. Disa veprimtari në sportin e notit, kanoe etj., janë gjithashtu pjesë e veprimtarive në kuadër të sezonit turistik veror “Saranda 2008”.
A ka qyteti juaj një guidë për turistët shqiptarë dhe të huaj?
Sigurisht që qyteti ka guida për turistët shqiptarë dhe të huaj. Vetë Bashkia, për orientimin e turistëve dhe frekuentimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, ka riçelur dy pika të informacionit turistik, duke angazhuar punonjës që zotërojnë gjuhë të huaja. Në guidën e qytetit përfshihet vizita në sinagogën hebraike dhe bazilikën paleokristiane të shekullit V-VI, si dhe në Muzeun Arkeologjik të Onhezmit dhe Muzeun Etnografik të Trevave të jugperëndimit të vendit. Por guida të plota për grupet turistike organizohen nga operatorët turistikë që veprojnë në Sarandë. Këto guida përfshijnë sinagogën, muzetë e qytetit, qytetin antik të Butrintit dhe muzeun e tij, si dhe pika të tjera atraktive si kalaja e Lëkursit mbi Sarandë, pika e Karahaxhit, Syri i Kaltër etj.
Sa kanë qenë të ardhurat e siguruara gjatë vitit 2007 nga turizmi? Sa parashikohet që të jenë të ardhurat për vitin 2008? Sa për qind të buxhetit të Bashkisë zënë të ardhurat nga turizmi?
Të ardhurat nga turizmi që kanë hyrë në Sarandë gjatë 2007-s arrijnë në 30 milionë euro. Janë disa milionë dollarë të ardhura nga turizmi. Në disa milionë dollarë llogariten edhe investimet e biznesit privat gjatë viteve të fundit në Sarandë. Saranda e ka projektuar tashmë zhvillimin afatmesëm dhe afatgjatë të saj. Destinon për zhvillim çdo vit 45% të buxhetit të saj modest. Janë identifikuar disa prej projekteve më të rëndësishme të saj si për infrastrukturën publike, edhe për sektorët socialë. Për t’i paraprirë këtij zhvillimi, Bashkia disponon e ka në proces projekte të gatshme për të absorbuar rreth 100 milionë dollarë investime.
Me impakte janë projektet që po zbatohen në infrastrukturën urbane si për sistemimin e asfaltimin e hapësirave publike, rehabilitimin e rrugëve të brendshme, për ndriçimin, për përmirësimin e furnizimit të komunitetit me ujë, për gjelbërimin etj.
Mendoni se çmimet që do të ofrojnë resurset turistike do të jenë të konkurrueshme krahasuar me qytetet e tjera? Po me vendet e rajonit?
Mund ta themi me siguri se çmimet që ofrohen nga hoteleria e Sarandës janë nga më të arsyeshmet në shkallë vendi. Më mirë nga të gjithë, këtë e dinë ata që kanë preferuar të akomodohen në njësitë hoteliere të qytetit tonë bregdetar. Përgjithësisht, çmimet që ofrohen edhe në lokalet e shërbimit, të cilat janë cilësore, mbeten të konkurrueshme me shumë qytete të vendit dhe sipas përshtypjeve të shumë turistëve të huaj; edhe me disa vende të rajonit. Biznesi turistik në Sarandë e ka kuptuar që imazhi është një çështje shumë e rëndësishme në promocionin e vlerave në një destinacion turistik si Saranda. Ndaj eksperienca jo realiste e disa viteve më parë mund të konsiderohet e kapërcyer.
A ka investime të reja të kryera nga sektori privat në fushën e turizmit për këtë sezon?
Ka disa investime në këtë fushë nga biznesi privat. Komplekse pishinash e baresh, hotele të reja që hyjnë rishtas në tregun turistik, disko dhe disa pika të tjera argëtimi, janë vetëm pak nga moria e investimeve serioze të biznesit privat për turizmin në këtë sezon turistik veror. Përmirësimi i disa akseve rrugore nacionale si rruga e bregdetit jonian, rruga Kardhiq-Sarandë, rruga Qafë Botë - Sarandë, Sarandë - Butrint etj., po e afrojnë Sarandën edhe më shumë me rajonet e tjera të vendit. Ftesa ime është: “Ejani në Sarandë dhe do të kërkoni të riktheheni përsëri shumë shpejt.

KALENDARI I AKTIVITETEVE
Java Kombëtare e Fëmijëve
Festivali Kombëtar i Orkestrave Frymore
Festivali tradicional “Butrinti 2000”
Koncerte xhazi e buzukë në kuadër të Interreg
Premiera dramatike “Kthesa”, e Tankred Dorst
Veprimtari në sportin e notit, kanoe etj.

STATISTIKA
120 njësi hoteliere me kapacitet akomodues 5 mijë shtretër
7 operatorë turistikë të lidhur me agjencitë turistike
200 mijë turistë vizituan Sarandën gjatë 2007-s
30 milionë euro të ardhura gjatë vitit 2007
100 dollarë projekte për investime në Sarandë

DESTINACIONET
Sinagoga hebraike
Bazilika Paleokristiane të shekullit V-VI,
Muzeu Arkeologjik i Onhezmit
Muzeu Etnografik i Trevave të Jugperëndimit
Qyteti Antik i Butrintit
Kalaja e Lëkurësit mbi Sarandë
Pika e Karahaxhit
Syri i Kaltër

Në numrin e ardhshëm do të lexoni:

Viktor Gjika: “Si i pret Vlora pushuesit në këtë sezon”

Kryetari i Bashkisë së Vlorës flet për “Albania”-n, rreth përgatitjeve që janë bërë për këtë sezon

Organizimi i fushatës promocionale për këtë vit dhe investimet publike në sistemin e rrugëve dhe furnizimin me ujë e drita

Për më shumë, na ndiqni në numrin pas

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›