E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i KKSH: “Dhuroni gjak rregullisht, nuk mjafton vetëm një herë”



Të dhurosh gjak do të thotë të japësh shpresë, të dhurosh jetë! Nëse secili do të pyes vetveten se çfarë bën duke dhuruar gjak do të kishte një përgjigje pa ekuivok: “Bëj atë që do dëshiroja ta bënin të tjerët, nëse vetë do kisha nevojë për gjak”. Ky është apeli që bën Kryqi i Kuq Shqiptar në Ditën Botërore të dhurimit Vullnetar të Gjakut. Duke qenë se nevojat për gjak në vendin tonë janë tepër të larta secili prej nesh duhet të kryeje një akt të tillë humanitar, pasi një ditë edhe ne mund të kemi nevojë për gjak. Nevojat minimale vjetore për gjak dhe produkte të gjakut në vendin tonë janë rreth 35 mijë njësi gjaku, ndërsa mblidhen rreth 20 mijë njësi gjaku. Në vëndet me sistem shëndetësor të zhvilluar numri i dhurimeve vullnetare pa pagesë është 5 për qind, shifër kjo që në vendin tonë është mjaft e ulët, rreth 0.8 për qind. Shqipëria është vendi i fundit në botë lidhur me dhurimin vullnetar papagesë. Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut, organizohet për të falenderuar e nderuar të gjithë dhuruesit vullnetar kudo në botë. Në botë çdo vit, mbi 81 milion njësi gjaku mblidhen nga dhuruesit e tij. Ndërkohë që shumë më tepër milionë duhen ende për të plotësuar nevojat e përgjithshme aty ku duhet dhe kur duhet. Sllogani i Ditës Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut për vitin 2008 është: “Të dhurojmë gjak rregullisht”, me qëllim që të mbështeten programet e dhurimit të gjakut duke ndërtuar një bazë të qëndrueshme të dhuruesve të papaguar të gjakut të cilët përbëjnë një angazhim afatgjatë në dhurimin e gjakut. Ndërsa sllogani “Nuk mjafton vetëm njëherë” plotëson slloganin kryesor me qëllim që të theksojë rëndësinë e dhurimit të rregullt nga dhurues të përshtatshëm. Kjo rrit mundësinë për të pasur rezerva gjaku, për të planifikuar nevojat, kërkesat për grupe specifike të gjakut dhe komponentët e gjakut, e kështu të sigurohet një mundësi për një transfuzion me gjak të sigurt.

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›