E Shtunë, 31 Tetor 2026

A jemi bukëpërmbysës?

Njëra ndër ngjarjet më të mëdha të historisë së re të Kosovës, që të mos themi ngjarja më e madhe e shekullit, është hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë. Ditë më të lumtur dhe gëzim më të madh shqiptarët e Dardanisë nuk patën në 100 vjetët e fundit. Është fatbardhësi që i takuam brezit, i cili e priti këtë ditë, është për të të ardhur keq për brezat që nuk e pritën ditën kur ua pamë thembrat serbëve. Ende i kemi parasysh pamjet e pritjes madhështore që iu bë çlirimtarëve që na shpëtuan nga gjenocidi; ende e kemi parasysh se çfarë euforie mbizotëroi atë ditë të bekuar, që kurrë nuk do të harrohet. Rrëfimet janë tronditëse, pamjet edhe me emocionuese: mijëra shqiptarë të tronditur e të sfilitur, të frikësuar e që mezi kishin shpëtuar nga gjenocidi, qanin dhe brohorisnin, derisa tanket e NATO-s në kolona të gjata marshonin nëpër qytetet e fshatrat tona. Pritje më emocionuese dhe me madhështore, raportonin mediat e huaja elektronike e të shkruara, nuk kishte parë në historinë mbi pesëdhjetëvjeçare, kurse trupat e NATO-s kurrë nuk kishin pasur fatin që dikush t’i presë me aq gëzim, me aq eufori dhe me aq entuziazëm. Madje raportohej se edhe ushtarët e oficerët perëndimorë ishin emocionuar e qanin me banorët.

Njerëzit edhe sot e kësaj dite kur e tregojnë atë ditë flasim me emocione dhe me eufori.

Me hyrjen e trupave të NATO-s ikën forcat serbe dhe Kosova u çlirua. Ky është realiteti, këto janë faktet, të cilat janë shumë kokëforta e të freskëta, sepse nuk kanë kaluar shumë vjet, brezi që e përjetoi këtë ditë nuk ka ikur, prandaj nuk mund të manipulohet me faktet dhe me të vërteten. Është çështje tjetër se si ia bëjmë qejfin vetes, se si përpiqemi të vetëmashtrohemi, ashtu sikurse me dhjetëvjetëshe e kemi mashtruar veten me heronj të shpifur, me kolosë të paqenë, ndërsa i kemi injoruar ata që dhanë shumë për shtetin dhe për kombin. Përpjekje të këtilla ka pasur jo pse edhe ata janë mosmirënjohës, por sepse mendonin se në këtë mënyrë do të fitojnë pikë politike, se do të bëhen më të mëdhenj dhe më të popullarizuar, nëse flasin e veprojnë ndryshe.

Me vjet e kemi festuar këtë ngjarje të shënuar, kemi organizuar manifestime nga më të ndryshmet, herë të një niveli të lakmueshëm, herë me më pak nivel, por ajo që është më e rëndësishmja dhe kryesorja kemi bërë përpjekje që të mos na kalojë pa u shënuar dhe pa i falënderuar si duhet çlirimtarët dhe ata që na shpëtuan nga gjenocidi, ata që ishin të gatshëm të sakrifikojnë, të prishin qetësinë e tyre dhe të ndihmojnë një popull të persekutuar e të ndjekur. Me fjalë të tjera përfaqësuesit e institucioneve, pjesa më e madhe e partive politike dhe mbi të gjitha popullata, dëshmuan se janë mirënjohës, se dinë të falënderojnë deri në amshim për atë që bënë shtetet perëndimore, e sidomos SHBA-ja, për popullin shqiptar të Kosovës.

Por kjo mirënjohje, kjo eufori, sivjet duket se ka rënë dukshëm, se nuk jemi në nivelin e mirënjohjes proverbiale e të ngulitur në gjene. Sivjet jo vetëm se nuk ishte euforia e festimeve të mëparshme, jo vetëm se nuk u angazhuam dhe nuk e përtëritëm ditën e gëzueshme të 12 qershorit të vitit 1999, por gati se e harruam. Ndërkaq, sivjet kishim arsye shumë më të forta e më të mëdha që ta festojmë me një organizim më të madh: sivjet e shpallem pavarësinë e Kosovës dhe këtë pavarësi na e pranuan edhe shumë shtete të tjera.

A jemi bukëpërmbysës? Populli kurrë nuk ka qenë bukëpërmbysës, nuk është as tash, sa herë bie biseda për ata që na shpëtuan, për ata që na ndihmuan dhe për ata që sakrifikuan për ne, ata flasin me pietet të veçantë, ata i bekojnë shtetet e NATO-s dhe e lusin Zotin për to. Por sivjet dështuan institucionet, dështuan njerëzit, dështuan individët. Dhe një dështim i këtillë që të shënohet 12 qershori-Dita e Çlirimit është i pafalshëm, nuk është dashur të ndodhë, nuk është dashur që të jemi aq neglizhentë dhe aq harrestarë: pos me ceremoni shtetërore, gjithë ditën dhe gjithë natën e lume është dashur të buçasin qytetet e vendbanimet me muzikën dhe me këngët e ndryshme, për të treguar se sot kishim festën më të madhe, ishte dita e kur iu vunë themelet pavarësisë dhe u dëbuan okupuesit njëherë e përgjithmonë. Pse u harrua kjo ditë, si u bë që njerëzit dhe institucionet përgjegjës të merren me trivialitete e të mos e shënojnë këtë ditë, ashtu sikurse shënohej vjet me radhë, me parakalime e me muzikë. Vetëm në qendrën e Prishtinës ta kishte ëndja të kaloja mbrëmjeve të 12 qershorit dikur, sepse ishte atmosferë festive, sepse e kujtonim shpëtimin tonë. Kjo harresë është sikur hebrenjtë të mos e shënojnë ditën e shpëtimit të tyre nga holokausti, ne e përjetuam holokaustin dhe shpëtuam, prandaj sot është dashur të dridhen edhe Prishtina, edhe Kosova. Ne nuk jemi bukë përmbysës, nuk duhet të jemi kurrsesi, ishin përgjegjësit e institucioneve ata që harruan ditën e sotme, por ata i zgjodhëm vetë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›