E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korça që na dha Orgocka

Kur bëhet fjalë për një festival monodrame, “përplasjet” profesionale midis aktorëve janë të drejtpërdrejta dhe aktrimi frymon në çdo qelizë. Të institucionalizosh monodramën në një Festival Ndërkombëtar do të thotë të kërkosh nivele më të larta aktrimi për prodhimin teatror shqiptar. Do të thotë të hysh në marrëdhënie me eksperienca dhe shkolla që e kanë lëvruar këtë gjini, që në fillesat e saj. Dhe për më tepër të ingranosh kulturën shqiptare brenda kulturës globale. “Në zemrën e këtij festivali qëndron një njeri dhe artist i madh”, - Nina Mazur

Korça që na dha Orgocka

Koha që jetojmë me pragmatizmin e vet, gjithnjë e më shumë ngushton hapësirat për njerëzit e ideve të bukura, për ëndërrimtarët stoikë që të tërheqin në ëndrrën e tyre. “Albamono” është ëndrra që ai formëzon prej tre vjetësh. Një shfaqje që zgjati një javë, me një trupë aktorësh nga Rusia, Armenia, Gjermania, Serbia, Kosova, Shqipëria, Polonia, Tiberia e largët, nën regjinë e Dhimitër Orgockës.

Atij që Korçën e ktheu në dekorin dhe vend-veprimin e këtij spektakli të madh të krahasueshëm me nivelet më të mira të simotrave në botë.

Monodrama- Pjesë teatrore me një person që flet dhe vepron e realizuar me ndihmën e korit në dramën antike. Zakonisht një ligjërim i gjatë që mbahet nga një karakter dhe që mund të dëgjohet por nuk mund të ndërpritet nga të tjerët. Bëhet fjalë për një interpretim prej një aktori të vetëm që në ditët e sotme quhet “interpretim solo”.

Në teatrin shqiptar kjo gjini mbërriti pas viteve ’90-të.

Kujtojmë “Idiotin” e Enver Petrovcit, “Sokratin” e Mirush Kabashit, “Zyshën Margarit” të Luiza Xhuvanit, “Ditari i një të çmenduri” nga Bajrush Mjaku apo “Amok” nga Dhimitër Orgocka.

Kur bëhet fjalë për një festival monodrame, “përplasjet” profesionale midis aktorëve janë të drejtpërdrejta dhe aktrimi frymon në çdo qelizë.

Të institucionalizosh monodramën në një Festival Ndërkombëtar do të thotë të kërkosh nivele më të larta aktrimi për prodhimin teatror shqiptar. Do të thotë të hysh në marrëdhënie me eksperienca dhe shkolla që e kanë lëvruar këtë gjini që në fillesat e saj. Dhe për më tepër të ingranosh kulturën shqiptare brenda kulturës globale.

Më shumë se për çdo gjë, nivelet e ndryshme profesionale në Shqipëri kanë nevojë për këto kontakte, dhe njerëzit që i realizojnë ato janë promotorët e një lëvizjeje kulturore. Pjesëmarrja e Nina Mazurit me cilësinë e kryetares së jurisë, (një personalitet evropian për teatrin, anëtare e sekretariatit të përgjithshëm të UNESKO-s për artet, anëtare e një sërë shoqatave për teatrin, presidente dhe organizatore e një sërë festivalesh ndërkombëtare) e diplomon “Albamono”-n e Orgockës.

Në web-site-in e festivaleve të monodramës në botë poshtë flamurit shqiptar lexohet “Albamono”, si një ofertë dhe test profesional për aktorët kudo në botë.

“Një njeri kalon përgjatë një hapësire boshe ndërkohë që

dikush tjetër është duke e parë atë, dhe kjo është e gjitha

çfarë nevojitet që të jetë pikënisje për një akt teatror”

Piter Bruk “Hapësira boshe”

Të njohësh Korçën nëpërmjet teatrit është një nga privilegjet që të ofron “Albamono”. Të udhëtosh në Voskopojën e David Selenicës, të shohësh “Farëmbjellësin” e famshëm aty nën dritaren e kishës, dhe më pas të ngjitesh në pikën e pushimit ku pranë një zjarri në oxhak, Galina Munzuk interpreton “Ninullën e nënës”.

Apo të shkosh në Dardhë, ku gratë dardhare i mirëpresin aktorët në çdo prag shtëpie me gota raki kumbulle, dhe më pas shkojnë së bashku në kishën e fshatit për të parë “Letër Orestit”. Në atë kishë të mbushur plot, ku banorët e këtij fshati në Shqipëri shijojnë ritin teatror si në kishat e mbarë Evropës.

Apo shfaqjet në katedralen e Korçës, aq të famshme për ditën e bekimit të flamurit kombëtar. Apo spektatorin e Maliqit që mbetet mbresëlënës me mikpritjen dhe dhuratat e veta përpara se të ndjekë gjithë entuziazëm “Mbretin Lir”

Ta nxjerrësh teatrin jashtë godinës së tij klasike, dhe të kërkosh për të hapësira dhe publik të ri, është një nga tendencat më bashkëkohore. Nga ana tjetër, vendosja e artistit në rolin e misionarit të artit të vet në komunitete ku teatri ngjan i largët është një tjetër sukses i “Albamono”-s.

Theatron

Fjala teatër vjen nga fjala greke theatron, që nënkupton “vend për të parë”. Përdorimi i hapësirës për të realizuar një përjetim teatror për një publik që shikon e bën këtë vend të veçantë - një vend për të parë-një theatron, një teatër. Falë “Albamonos”, Korça zbuloi shumë të tilla që janë të përshtatshme për realizimin e ngjarjeve teatrore, duke u bërë kësisoj një shembull nxitës për krijuesit e teatrit në hapësirat jotradicionale.

Por, “Albamono” në thelbin e vet është një presion i fuqishëm drejt punëve individuale dhe tërësisht profesionale të aktorëve. Nxitja drejt “palestrave” të fuqishme të aktrimit. Lëvrimin e monodramës si një thellim i procesit për krijimin e karaktereve aq shumë të munguara në prodhimet teatrore shqiptare. Zhvillimin e kësaj gjinie dramatike, me fillesat e saj që kur legjendari Thespis u shkëput nga kori antik, edhe ne ambientin teatër-bërës shqiptar.

Për të gjitha këto – për ofertën turistike dhe profesionale - dhe më tepër, “Albamono” e Orgockës, është një nga projektet më cilësore dhe më vizionare për integrimin e vlerave në kulturën shqiptare.

*Aktor i Teatrit Kombëtar

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›