E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ryshfeti, tentojnë të korruptojnë kontrollorin e doganës

Nuk ka pranuar të marrë ryshfetin e dhënë nga një pasagjer për të kaluar sa më shpejt radhën e doganës, ndërkohë që denoncimi i tij në polici ka sjellë arrestimin e një personi dhe procedimin penal në gjendje të lirë ndaj një tjetri. Një kontroll në doganën portale të qytetit bregdetar të Durrësit, ka vënë menjëherë në dijeni njësinë kundër korrupsionit në port, e cila pas verifikimeve, ka ndaluar dy persona nga qyteti i Elbasanit.

Gjithçka ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në doganën e portit Durrës, kur policia ka ndaluar dy persona, të cilët kanë tentuar të korruptojnë me para një punonjës të Policisë Portuale, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkaqe hetimore, për t’iu shmangur kontrollit kufitar të dokumentacionit.

Ngjarja është konfirmuar nga zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së këtij qyteti, Ornerla Cako, sipas së cilës, në pranga është vënë 32-vjeçari Arian Filja, i cili rezultoi të ishte me dokumente angleze, por që në fakt me identitet të ndryshuar, ndërsa ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 21-vjeçarit Elton Shëngjergji.

Megjithatë, sipas Cakos, mësohet se procedimi penal ndaj tyre nisi pas kallëzimit pranë strukturës kundër korrupsionit në Durrës, nga një punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë në Port, i cili deklaroi se shtetasit Astrit Shëngjergji dhe Elton Shëngjergji i kanë ofruar një sasi të hollash kundrejt mosushtrimit të kontrollit të dokumentacionit personal dhe të automjetit tek sheshi i trageteve në portin e Durrësit.

Ndërkohë, pas verifikimeve të kryera rezultoi se shtetasi Astrit Shëngjergji ishte rezident në Angli, ku është regjistruar si shtetas kosovar me emrin e mësipërm, ndërsa emri i tij i vërtetë ishte Arian Filja.

Pas saktësimit të identitetit të tij, policia ka marrë menjëherë masën e arrestit në kushtet e flagrancës për veprat penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe falsifikimit të letër-njoftimeve, pasaportave apo vizave. Sipas policisë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Renault Megane” me targa HK 03 TZV; dokumentet e mjetit, një telefon celular, pasaporta e shtetasit Arian Filja (Astrit Shëngjergji) dhe leja e drejtimit të mjetit të 21-vjeçarit Elton Shëngjergjit.

I arrestuar

Arian Filja, 32 vjeç

Nën hetim

Elton Shëngjergji, 21 vjeç

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›