A jemi gati për të aplikuar në BE?
Gjon KEKA*
Bashkimi Europian, si shtrat i një sistemi të përbashkët vlerash të kombeve dhe popujve, ka arritur t’i bashkojë kohërat e vjetra me ato të reja, por gjithnjë duke shembur hendeqet dhe muret e nacionalizmave të vjetër. Sukseset e kësaj bashkësie në lidhje me procesin e zgjerimit të saj përbën një ndër arritjet më të mëdha që nga koha e pasluftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë, dhe me gjithë mend mund të konsiderohet si një proces i arritjes së madhe në historinë e saj.
Ky sistem vlerash, në jo më pak se një dekadë, arriti të konsolidojë reformat e thella demokratike dhe ekonomike në tërë Europën Qendrore dhe atë Lindore. Kjo, para së gjithash, tregon edhe një progres të arritjeve të mëdha, duke hapur kështu perspektivën e përbashkët të kombeve drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Proceset që mbart në krah ky sistem i përbashkët vlerash janë të padiskutueshme, duke bërë një shndërrim të thellë të shoqërive të vjetra, apo atyre që kanë dalë nga kolonializmi, drejt një shoqërie me ndryshime rrënjësore.
Tani, në shekullin XXI, ka ardhur koha që edhe Gadishullit Ballkanik, pas ngjarjeve që ndodhën, mund t’i hapen dyert në integrimin e këtij rajoni në këtë bashkësi vlerash të përbashkëta, por kjo mund të realizohet vetëm duke parë se në këtë rajon është duke u krijuar një perspektivë bindëse politike; po plotësohen standardet e domosdoshme dhe obliguese në të gjithë sektorët e shtetit që dëshiron të bëhet pjesë e BE-së. Për të kapur këtë ritëm, shtetet e rajonit të Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë, duhet të analizojnë të gjitha sferat e jetës dhe funksionimin e institucioneve në të gjitha nivelet, dhe, pasi të shohin që gjërat kanë ndryshuar, duhet të hedhin hapin drejt procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Duhet theksuar se të gjitha kombet dhe popujt që sot janë anëtarë të familjes europiane kanë kaluar nëpër disa faza të rëndësishme, por edhe të mundimshme të proceseve të ndërtimit dhe realizimit të ëndrrës së tyre. Të gjithë e dinë se Ballkani ka nevojë të ngutshme që të kapërcejë pragun e mospajtimeve të brendshme, por edhe të kapërcejë dobësinë e ecjeve në drejtim të progresit dhe të plotësimit të kritereve bazë të bashkësisë ndërkombëtare; për t’u bërë pjesë e ritmeve të përbashkëta të zhvillimeve bashkëkohore.
Sot të gjithë janë të bindur se komuniteti ndërkombëtar është duke u përballur me një përgjegjësi të re historike ndaj çështjes së zhvillimit, të demokratizmit dhe të paqtimit të Ballkanit si dhe të proceseve integruese të këtij rajoni. Ky angazhim i ri i ndërkombëtarëve tregon edhe një herë që Ballkani, në asnjë mënyrë, nuk mund të kthejë kokën prapa. Tani mund të thuhet se në rajonin e Ballkanit është duke u përdorur një strategji e re për arritjen e objektivave të tij strategjikë, politikë, ekonomikë, kulturorë etj. Kjo po bëhet nga aktorët ndërkombëtarë, në bashkëpunim me qeveritë e shteteve të qëndrueshme dhe të dobëta të rajonit, për t’i nxitur ata që të bëjnë ndryshime të thella e rrënjësore brenda sistemeve shtetërore, në mënyrë që rruga e drejtë e integrimit të jetë sa më e shkurtër dhe synimet të bëhen një realitet historik.
Kjo nxitje nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, qoftë për rastin e Shqipërisë, e cila tani po bëhet gati të aplikojë për në Bashkimin Europian, ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit, mund të konsiderohet një sukses i mjaftueshëm si dhe një tregues i qartë i angazhimeve të përbashkëta. Ndërkaq, bashkësia europiane po përballet me disa probleme në lidhje me shtete që kanë elemente të jo-qëndrueshmërisë, jo-funksionalitetit të brendshëm, jo-legjitimitetit, jo-demokratizimit, jo-zhvillimit, jo-respektimit të të drejtave të njeriut etj. Kështu që, nëse Shqipëria aplikon këtë vit për procesin e integrimit në strukturat e Bashkimit Europian, ajo duhet të bëjë disa pyetje me veten e saj: A i ka kryer ndryshimet e mëdha? A e ka arritur suksesin që i nevojitet për ta bërë këtë akt, që mund të konsiderohet edhe historik, pasi është një rikthim në familjen e lashtë e të braktisur nga shekujt e hershëm? A ka arritur që Shqipëria të ndryshojë të menduarit e politikës? A ka ardhur në të vërtetë koha e Shqipërisë europiane, apo duhet punuar ende për të hedhur këtë hap drejt procesit të integrimit!? A ka arritur vërtet shteti shqiptar që të heqë të qafe sistemin e modeleve të vjetra dhe klasike, duke e shndërruar atë në një shtet modern me demokraci të qëndrueshme?
Aplikimi i shtetit shqiptar s’ka dyshim se është i një rëndësie historike dhe do të zhbllokonte shumë procese të tjera. Dhe së fundi, duke gjykuar se shteti shqiptar do të ketë realizuar kushtet e kërkuara dhe duke gjykuar se për t’u integruar në sistemin e vlerave të përbashkëta europiane, duhet të hiqen të gjitha anomalitë e brendshme të sistemit, duhet hequr velloja dhe abstraksionet e panevojshme, duhen ndërruar të gjitha nivelet e sistemit keqndërtues. Në të kundërtën, nuk do të mund të ketë një bashkësi me sistemin e tërësor të vlerave të Bashkimit Europian.
*Autori i shkrimit ka studiuar dhe jeton në Austri
11 Mars 2009