E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Marqinet: “Të bashkuar më 15 mars për të mos harruar plagët e Gërdecit”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me Rrjetin e Vullnetarëve të Partisë Socialiste kanë zhvilluar një takim në fshatin Marqinet, i cili ndodhet vetëm pak metra larg kraterit të Gërdecit. Vullnetarët e bashkimit të ri për ndryshim po përhapin në Tiranë dhe periferi të saj thirrjen për të gjithë qytetarët për t’iu bashkuar manifestimit që do të zhvillohet më 15 mars e që nis në Gërdec, pikërisht në orën e shpërthimit vrastar. Kryetari i PS-së, Rama, teksa ka qenë në këtë fshat, është përballur me dëshmi tronditëse të banorëve, për dëmet shpirtërore dhe materiale që u shkaktoi tragjedia e Gërdecit. Por interesant është fakti se kryetari i PS-së është përballur gjithashtu edhe me dëshmi të tilla, që flasin hapur për diskriminim partiak për shkak të bindjeve. Banorët e Marqinetit kanë pohuar se kush ka qenë demokrat ka marrë dëmshpërblim, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë dëmshpërblim për banorët që njihen si mbështetës së Partisë Socialiste. Rama ka bërë thirrje që të gjithë të protestojnë ditën e përvjetorit të parë të kësaj tragjedie, që tronditi gjithë Shqipërinë. “Ne, në orën 12:20, në orën e shpërthimit vrastar të Gërdecit, do të bëjmë një ceremoni përkujtimore te vendi i tragjedisë. Të mblidhemi të gjithë, të kujtojmë ata që ikën dhe të mos harrojmë këto plagë që janë hapur, të cilat janë plagë në trup, në shpirt, në familje, të cilat do t’i shërojmë bashkërisht”, - tha kreu i PS-së Edi Rama. Gjatë takimit me banorët kreu i PS-së premtoi se me qeverisjen e dalë nga vota e 28 qershorit do të shërohen plagët fizike e shpirtërore të krimit shtetëror të Gërdecit.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›