Presidenti Topi takon ministrin italian të Ekonomisë, Skajola
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në një takim në Pallatin e Brigadave ministrin italian për Zhvillimin Ekonomik, Klaudio Skajola. Në bashkëbisedim e sipër, Presidenti Topi dhe ministri Skajola vlerësuan lart nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha sferat mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe shprehën interesimin e përbashkët për thellimin dhe intensifikimin e tyre të mëtejshëm.
Kryetari i shtetit vuri në dukje se, “Italia është partneri gjeostrategjik dhe investitori më i rëndësishëm për Shqipërinë dhe se bashkëpunimi dhe partneriteti me të janë dhe do të vazhdojnë të jenë prioriteti ynë”. Në këtë kontekst, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë italiane për vendin tonë, edhe në kuadër të realizimit të suksesshëm të aspiratës tonë për integrimin në Bashkimin Europian dhe anëtarësimin me të drejta të plota në NATO. Në vijim të bisedës, Presidenti i Republikës bëri një panoramë të zhvillimeve në Shqipëri, duke vënë theksin në përmirësimin e klimës së biznesit këtu tek ne, gjithashtu dhe për investimet direkte, si dhe në mundësitë e mëdha që ofron vendi ynë për investitorët e huaj, sidomos përsa i përket sigurisë ndaj investimeve pas hyrjes së Shqipërisë në NATO. Kryetari i shtetit nënvizoi se shteti shqiptar mbështet rritjen e investimeve italiane në Shqipëri, që favorizohen dhe nga një seri faktorësh të tjerë siç janë afërsia gjeografike dhe ajo shpirtërore mes dy vendeve dhe popujve tanë. “Ne ju ofrojmë seriozitetin e miqësisë sonë duke qenë të interesuar dhe të angazhuar maksimalisht në nxitjen e bashkëpunimit në fushën e turizmit, të energjisë, infrastrukturës, transportit, tregtisë, bujqësisë, etj.”, – u shpreh Presidenti Topi. “Në këtë kuadër është i domosdoshëm përqendrimi i vëmendjes në çështjen e qarkullimit të lirë të njerëzve”, - theksoi Presidenti, duke shtuar se “lehtësira të mëtejshme duhen krijuar për qyetarët shqiptarë në këtë drejtim”. Në këtë pikë, kreu i shtetit theksoi rëndësinë e Korridorit 8 duke vënë në pah edhe rolin e madh që mund të luajë Italia, së bashku me Bullgarinë, për thithjen e fondeve që do të mundësojnë realizimin e kësaj arterieje jetësore infrastrukturore. Nga ana e tij, ministri Skajola shprehu mirënjohjen për “mikpritjen e përzemërt dhe miqësore” të rezervuar nga Presidenti Topi. Ai vlerësoi disa prej zhvillimeve të ekonomisë shqiptare sipas standardeve të tregut të lirë. Në këtë prizëm, ministri Skajola vuri në dukje se në funksion të rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik më eficient, “do të nënshkruhet një marrëveshje mjaft e rëndësishme në fushën e energjetikës – Marrëveshja për zhvillimin dhe integrimin elektrik dhe të gazit natyror”.
11 Mars 2009