E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatura që mund të ndajë Europën

Nëse Europa Lindore shkon poshtë, mund të marrë me vete edhe Bashkimin Europian

Luhatje të mëdha të kurseve të këmbimit, deficite të larta të llogarive korente, frikë për huanë në monedhë të huaj dhe rënie e trazuar ekonomike, këto mund të duken si elementet e një krize të largët borxhi të vendeve të treta nga vitet 1980 dhe 1990. Por në Europë, çorba është gatuar afër shtëpisë, në vendet e Europës Lindore, shumë prej të cilave janë tani anëtare të Bashkimit Europian, - shkruan “The Economist”. Një pasojë është se shtetet e vjetra të BE-së mund ta gjejnë veten duke paguar faturën për rregullimin e situatës.
Shumë europianë perëndimorë, që po përballen me rënien e rëndë ekonomike në shtëpitë e tyre, do ta shohin këtë si tepër të padrejtë. Europianolindorët i janë gëzuar zhvillimit të nxitur nga investimet e huaja, dëshirës për të arritur standardet perëndimore të jetesës dhe shpresës që shumë shpejt do të mund të hyjnë në monedhën e përbashkët euro. Kritikët argumentojnë, dhe kanë një farë të drejte, se disa vende të Europës Lindore janë të keqpërgatitura për anëtarësimin në BE; ato kanë bërë reforma të cunguara ose të njëanshme; dhe se i kanë humbur milionat e tyre në ndërtim dhe nxitjen e konsumit. Tani duhet të paguajnë çmimin për çmendurinë e tyre?
Por, në rast se vende si Hungaria ose ndonjë nga tre vendet e Baltikut shkojnë poshtë, Europa Perëndimore do të ishte ndër të parat që do të vuante. Banka nga Austria, Italia dhe Suedia, të cilat kanë investuar dhe kanë kredituar ndjeshëm në Europën Lindore, mund të shihnin humbje katastrofike në rast se vlera e aktiveve të tyre do të ulej. Rreziku i mosshlyerjes së kredisë, i kombinuar me instinktet proteksioniste që po vijnë nga e gjithë Europa, mund të dëmtonin me lehtësi arritjen më të madhe të BE-së, tregun e saj unik.
Në fakt, rënia e Lindjes mund të ngrinte me lehtësi pikëpyetje për të ardhmen e BE-së në vetvete. Mund të destabilizonte euron— disa anëtarë të euros, si Irlanda dhe Greqia, nuk janë në gjendje shumë më të mirë se Europa Qendrore. Dhe mund të zvogëlonte çdo shans për një zgjerim të mëtejshëm të BE-së, duke ngritur dyshime të reja rreth perspektivës së ardhshme të Ballkanit Perëndimor, Turqisë dhe disa vendeve nga ish-Bashkimi Sovjetik.
Pasojat politike nëse Europa Lindore do të lihet të bjerë, mund të jenë edhe më të rënda. Një nga aktet më të mëdha të Europës në 20 vitet e fundit ka qenë ribashkimi paqësor i kontinentit pas rënies së perandorisë sovjetike. Rusia është vetë në probleme të mëdha eknomike, por drejtuesit e saj mbeten të prirur të shfrytëzojnë çdo shans për të ringritur ndikimin e tyre në rajon.

Si të shmanget katastrofa
Çështja për drejtuesit e Europës Perëndimore është se si ta shmangin këtë katastrofë. Megjithëse tregjet shpesh e trajtojnë Europën Lindore si një njësi ekonomike, çdo vend në rajon është i ndryshëm. Tre grupe të mëdha dalin në pah. I pari përfshin vendet që kanë ende një rrugë të gjatë për të hyrë në BE, si Ukraina. Këtu institucionet europiane mund të ndihmojnë financiarisht ose me këshilla, por barra mund të bjerë mbi Fondin Monetar Ndërkombëtar. Këto vende do të duhet të marrin mjekimin e FMN-së për ristrukturimin e borxhit dhe shtrëngimin e politikave fiskale, që është ndarë shumë shpesh në krizat e mëparshme të tregjeve në zhvillim.
Gjërat janë të ndryshme për të gjitha vendet tej në Perëndim, të gjithë anëtarët e BE-së për të cilat unioni duhet të marrë përgjegjësi parësore. Një mjekim është të përshpejtohet rruga e tyre për në euro, ose ndoshta dhe të lejohen që ta përshtasin menjëherë këtë monedhë. Kjo mund të ketë kuptim për katër vende me kurse këmbimi të varura tek euro: trio baltike e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, plus Bullgaria. (Sllovenia dhe Sllovakia kanë hyrë tashmë në euro). Asnjë nga këto vende nuk do të arrijë të përmbushë kriteret e Traktatit të Mastrihtit në një të ardhme të afërt. Por ato janë të vogla (vendet baltike kanë një popullsi që me zor arrin në 7 milionë) ndaj të lihen ato të hyjnë në euro nuk duhet as të krijojnë ndonjë precedent të pakëndshëm për të tjerët dhe as nuk do ta dëmtojnë besimin në monedhën e vetme. Por Banka Qendrore Europiane dhe Komisioni Europian e kundërshtojnë me vendosmëri këtë formë “euroizimi”, megjithëse dy vende ballkanike si Mali i Zi dhe Kosova e përdorin tashmë euron.
Përshtatja e njëanshme ose përshpejtimi i hyrjes në euro do të kishte më pak kuptim për një grup të vendeve më të mëdha me kurs të luhatshëm këmbimi: Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Rumania. Asnjë nga këto nuk është gati për disiplinën e ashpër të monedhës së vetme që përjashton çdo zhvlerësim të ardhshëm. Hyrja e parakohshme mund ta dobësonte fatalisht euron. Por teksa monedhat e tyre po bien, dobësitë e mëdha për polakët, hungarezët dhe rumunët, veçanërisht, rriten si rrjedhojë e borxhit të marrë nga firmat dhe konsumatorët në monedhën e huaj, kryesisht nga bankat në pronësi të huaj.

Ndalimi i rënies
Prioriteti i parë për këtë do të ishte të ndalej rënia e mëtejshme e monedhave. E dyta është të mbështeten bankat e përgjegjshme për kreditë e dhëna në monedhë të huaj që po shkojnë keq. Dhimbja e kësaj duhet të ndahet në katër mënyra: midis bankave dhe debitorëve të tyre, dhe midis qeverive, si të vendeve huamarrëse, ashtu dhe huadhënëse. Nga jashtë, këto dy detyra do të kenë nevojë për ndihmë nga disa burime: Banka Qendrore Europiane, po ashtu FMN-ja, komisioni i fondeve strukturore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe ndoshta Banka Europiane e Investimeve. Duke pasur parasysh shkallën e problemit, mungesa e koordinimit midis këtyre njësive ka qenë skandaloze. Një synim i tretë duhet të jetë nxitja e vendeve të Europës Lindore për të rifilluar reformat strukturore, të cilat i kishin shmangur deri tani.

Rrugëzgjidhjet

Për momentin, problemi më i madh duket rënia e monedhave. Paradoksi është se për vende me kurse të luhatshme këmbimi, zhvlerësimi në situata normale do të ishte një mënyrë e mirë për të përballuar një goditje të jashtme, si rënia e tregjeve të eksportit, që po godet ish-ekonomitë komuniste. Zhvlerësimi rrit konkurrueshmërinë dhe së bashku me norma më të ulëta interesi krijon kushtet për një rikthim te rritja. Qeveritë me financa publike të shëndosha mund të konsiderojnë gjithashtu të ndjekin një politikë fiskale më liberale në mënyrë që të kundërveprojnë ndaj rënies.
Për pjesën më të madhe të vendeve në rajon, një përgjigje, sipas teorisë së tillë, është e pamundur. Disa kanë kurse të varura ose të fiksuara këmbimi. Në shtetet baltike këto kanë qenë epiqendra e politikave ekonomike për më shumë se 15 vjet. Braktisja e tyre nuk do të çonte vetëm në falimentimin e njësive të mëdha të ekonomisë që kanë marrë hua në euro. Do të ishte gjithashtu një goditje e rëndë psikologjike ndaj besimit publik në të gjithë zonën. Këto vende kanë vuajtur pjesën më të dhimbshme të të qenit në euro—pamundësinë për të zhvlerësuar dhe rifituar konkurrueshmërinë—pa marrë të gjitha përfitimet.
Vendet me kurs të luhatshëm këmbimi kanë pak më shumë hapësirë për manovra. Problemi i tyre (i madh për Hungarinë dhe më pak për Rumaninë dhe Poloninë) është se rënia e kursit të këmbimit mund të falimentojë firmat dhe konsumatorët, të cilët në vitet e kaluara kanë marrë hua jo të zgjuara në monedha të huaja, kryesisht në euro dhe frangën zvicerane. Kjo ishte, në fakt, një lojë e konvergjencës. Në rast se ju besonit se vendi juaj po shkonte drejt eurozonës në pesë vitet e ardhshme, atëhere pse të mos merrej përparësia e interesave të ulëta atje sesa të përballonin interesat të larta në monedhën vendase?
Ai që dukej një rrezik i vogël dikur, tani është kthyer në një gabim të dhimbshëm. Për ata që i kanë të ardhurat në forinta ose zlotyn polak, rënia e monedhave vendase në javët e fundit i ka rritur ndjeshëm pagesat e kësteve. Zloty ka rënë 28% dhe forinta me 22% kundrejt euros, që nga mesi i vitit të kaluar. Në rast se kriza e Azisë Lindore e 1997-s mund të përbëjë një lloj guide, këto dhe monedha të tjera mund të bien ende.
Rreziku i rënies së monedhave mund të kufizojë mundësitë e veprimit për vendet përkatëse. Deri tani, shumë vende të mëdha të Europës Qendrore i kishin ulur në mënyrë agresive normat e interesit duke u përpjekur për të nxitur ekonomitë e tyre—Banka Qendrore e Polonisë uli përsëri normën e interesit javën e kaluar. Por dobësia e monedhave do të kufizojë mundësitë e tyre për këto manovra. Bankat Qendore të Çekisë, Hungarisë dhe Polonisë lëshuan një deklaratë të përbashkët dy javë më parë duke theksuar se ato do të mund të ndërhynin për të mbështetur kurset e tyre të këmbimit. Por kjo mënyrë është pak e rrezikshme. Rusia ka shpenzuar gjysmën e rezervave në një sërë përpjekjesh të pasuksesshme për të ngritur rublën.
Shpenzimet dhe politikat e taksave mund të ishin një mënyrë tjetër e frenimit të rënies. Por, ato janë të kufizuara gjithashtu. Këto vende me një shans për të hyrë në euro po përpiqen të reduktojnë deficitet e tyre të buxhetit për të arritur në linjën e 3% të PBB-së, një objektiv i vënë nga Traktati i Mastrihtit. Kjo e rëndon problemin. Rreziku për Letoninë dhe Ukrainën është një spirale rënëse, ku ulja e shpenzimeve publike dëmton ekonominë në të njëjtën mënyrë që e ndihmon për të kufizuar deficitin.
Deri tani, kriza ekonomike nuk është përkthyer në politika populiste dhe proteksioniste. Janë vendet e Europës Lindore që kanë kërkuar që vendet e tjera të BE-së t’u përmbahen rregullave të ekonomisë së tregut. Gjatë viteve të fundit, ato janë zhvilluar në sajë të lëvizjes së lirë të kapitalit, mallrave dhe punës.
Por, kjo përqasje nuk do të vazhdojë përgjithmonë, në rast se gjërat përkeqësohen. Villem Buiter, një ekonomist, beson se është vetëm çështje kohe para se ish-vendet komuniste të vendosin kontrollin e kapitalit. Kjo, në teori do t’u mundësonte atyre të përqendrojnë ose stabilizojnë ekonomitë e tyre pa u mërzitur shumë rreth vlerës së jashtme të monedhave të tyre.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›