E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: “Protesta e LSI-së më 15 mars për të kërkuar largimin e Sali Berishës”

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së flet për protestën “Berisha ik” që do zhvillohet më 15 mars.

Shaban Sulçe

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka deklaruar se LSI-ja do të organizojë një protestë madhështore më 15 mars, për të përkujtuar tragjedinë e Gërdecit si dhe për të kërkuar fuqishëm largimin e kryeministrit Sali Berisha. Vasili tha se motoja e kësaj proteste do të jetë “Berisha ik”, pasi janë të shumta arsyet që e bëjnë të domosdoshëm këtë largim të kreut të qeverisë.

Gërdeci
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se tragjedia e Gërdecit ishte kulmi i skandaleve të qeverisë “Berisha”. Vasili tha se LSI-ja kërkoi me ngulm largimin e Berishës një ditë pasi ndodhi kjo tragjedi, dhe po me kaq forcë do të kërkojë largimin e tij edhe në protestën që do të organizojë më 15 mars. “Berisha ik sepse Gërdeci ishte kulmi tragjik i kësaj qeverie të dështuar e të mbuluar vetëm nga jehona dhe zhurma e skandaleve të njëpasnjëshme të saj. Kjo qeverisje, që po shpërbën vendin dhe është një rrezik shumë i madh për të sotmen dhe të ardhmen e tij. Qëndrimi i prerë ndaj kësaj qeverisjeje është edhe një provë e vërtetë për çdo opozitar të vërtetë dhe për këtë arsye ‘Berisha ik’ është motoja e vetme e çdo shqiptari të mirë dhe që e do realisht vendin e tij. E kemi kërkuar qartë, prerë dhe me zë të lartë edhe një vit më parë një ditë pas tragjedisë dhe do të vazhdojmë ta kërkojmë pa u lodhur që Berisha të ikë, sepse i gjithë ky vit qe i zi dhe më i zi se vetë Gërdeci. Më 15 mars të gjithë ata që duan veten dhe familjet e tyre duhet të bashkohen vetëm me një moto: Berisha ik”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.

Protesta
Vasili tha gjithashtu se protesta e 15 marsit “Berisha ik” do të organizohet nga LSI-ja jo vetëm për të përkujtuar viktimat e tragjedisë së Gërdecit, por edhe për të shprehur indinjatën ndaj plagëve të mëdha që i ka hapur vendit qeverisja e dështuar dhe e korruptuar e kryeministrit Sali Berisha. Vasili tha se është kjo qeveri që ka shkaktuar varfërinë ekstreme të shqiptarëve, ka vjedhur milionat e shqiptarëve me privatizimet grabitqare, ka shkatërruar shtëpitë dhe bizneset e banorëve të Jalës dhe ka qenë e implikuar në dhjetëra skandale. “Vendi ndodhet në një situatë shumë të vështirë ekonomike, me mijëra familje shqiptare sot luftojnë me varfërinë e tejskajshme e po mbushin listat me borxhe vetëm për të blerë bukën e përditshme, vetëm për të mbushur barkun. Kriza ekonomike botërore ka trokitur prej kohësh në vend dhe mijëra vende pune kanë humbur, mijëra të tjera janë në rrezik ndërkohë që Sali Berisha dhe ministrat e tij, për shkak të paaftësisë qeverisëse për ta zgjidhur krizën, vazhdojnë të rrinë në pushtet duke mashtruar se nuk ka krizë apo nuk ka dhimbje nga varfëria në Shqipëri. Më 15 mars ne do të drejtojmë një protestë madhështore me thirrjen Berisha ik! Berisha ik sepse Shqipëria, për shkak të tij është sot në konflikt me institucionet ndërkombëtare dhe po sillet me to si në kohën e diktaturës. Berisha ik sepse ishte ai që shkatërroi me dorën e dhëndrit të vet, në mënyrë të paligjshme, dhjetëra biznese e shtëpi në bregdetin e Jalës. Berisha ik sepse janë të panumërta abuzimet me fondet publike të denoncuara nga dhjetëra skandale. Berisha ik sepse u tall dhe nëpërkëmbi mijëra pensionistë shtoi papunësinë dhe varfërinë e mijëra familjeve në nevojë. Berisha ik sepse shkeli mbi mundin dhe sakrificën e mijëra ushtarakëve që aq shumë dhanë për vendin”, - tha Vasili.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›