A ka Qeveria plan për Veriun?
Një ditë pas njoftimit të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës se plani për integrimin e Veriut është duke u finalizuar, partitë opozitare thonë se nuk dinë asgjë se çfarë po përgatisin autoritetet e vendit për atë pjesë.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se askush nuk i ka pyetur për planin që ekzekutivi i vendit është duke e përmbyllur.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri për më tepër është shprehur skeptik të shtunën rreth ekzistimit të ndonjë plani për pjesën veriore.
Sipas tij, deklarimi i këshilltarit politik të Kryeministrit, Dukagjin Gorani “paraqet thjesht një formalitet”.
“Këtë po e them nga arsyeja e thjeshtë, që ne sigurisht që nuk jemi të informuar për këtë plan, se kjo Qeveri punon në mënyrë jotransparente dhe bën plane si duket vetëm sa për vete, në mënyrë formale që të grumbullojë pikë te bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Beqiri.
Deklaratat e Goranit nuk kanë bindur as Burim Ramadanin e AAK’së, e as Visar Ymerin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Si Aleancë, nuk jemi pjesë e ndonjë procesi, apo ndonjë konsulte për ekzistimin e ndonjë plani të tillë dhe besojmë fuqishëm se nuk ekziston plan për Veriun, të paktën jo plan që do të mundësojë sundimin e ligjit dhe investimet ekonomike në atë pjesë”, ka thënë Ramadani.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)