E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Mjekët të vlerësohen me kredite

Mjekët duhet të vlerësohen nëpërmjet krediteve, në kurset e ndryshme që ata zhvillojnë nga një qendër e posaçme". Ka qenë ky opinioni i djeshëm i shprehur nga ana e drejtueses së Ministrisë së Shëndetësisë, Anila Godo. Ajo ka pohuar faktin se në vendin tonë është ngritur një qendër e tillë, që merret me edukimin e vazhdueshëm dhe trajnimin e bluzave të bardha, por sipas saj, deri tani ka munguar vlerësimi me kredite që duhej t‘u bëhej të gjithë këtyre mjekëve në fund të trajnimeve, apo kurseve. Një reformim i sistemit të shëndetësisë koncepton sipas drejtuesve të saj edhe një vlerësim të ri për kapacitetet e bluzave të bardha. Këto deklarata shefja e Shëndetësisë shqiptare, Godo, i bëri dje ndërsa merrte pjesë në kursin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me shoqatën e mjekëve të hipertensionit dhe mjekët kardiologë të QSUT-së.

Në këtë trajnim është diskutuar me detaje rreth sëmundjeve që shkaktojnë hipertensionin arterial në botë dhe në Evropë. Ndërkohë që është evidentuar fakti se në vendin tonë shifrat kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit.

Mjekët e pranishëm në këtë takim kanë konfirmuar faktin se tensioni i lartë ose hipertensioni arterial mbetet shkaku kryesor i vdekshmërisë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e zhvilluara të Perëndimit. Edhe pse nuk flitet shumë për hipertensionin e lartë, kanë vënë në dukje ata, kjo sëmundje pas viteve 2000 është vlerësuar nga mjekët si vrasësi kryesor. Sipas një studimi të realizuar nga mjekët, në vendin tonë rreth 22 për qind e shqiptarëve vuajnë nga tensioni i lartë.

Prevalenca e prekjes nga kjo sëmundje dhe rreziku i saj rritet me kalimin e moshës, pasi 40 për qind e shqiptarëve që vuajnë janë mbi 45 vjeç. Specialistët e kësaj fushe theksojnë gjithashtu se hipertensioni shkakton një numër të madh sëmundjesh kardiake, duke nisur nga ato koronare e deri në infarkte akute. Në botë çdo vit vdesin shtatë milionë njerëz.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›