Milani, paradë yjesh në Tiranë
Dash Frashëri
Futbolldashësit shqiptarë do të përjetojnë emocione të mëdha të martën e ardhshme, më 12 maj, kur Milani - klubi rekordmen përsa i përket trofeve ndërkombëtarë - do të luajë për herë të dytë në “Qemal Stafa”. Fansat më të guximshëm e sigurisht më fatlumë do të kenë mundësinë t’u marrin autografe emrave më të mëdhenj të futbollit botëror si Bekam, Kaka, Gatuzo, Pato, Ronaldinjo, Shevçenko, Inzagi, Zambrota, të cilët do të jenë të pranishëm në edicionin e dytë të trofeut “Taçi Oil Albania Reads”, që tashmë ka marrë ngjyra ndërkombëtare, duke qenë i vetmi i këtij lloji që luhet në Shqipëri.
PARADË YJESH
Zyra për median pranë kompanisë lider e karburanteve në Shqipëri, “Taçi Oil International” zyrtarizoi listën e 23 yjeve të Milanit, që do të vijnë në Tiranë, ku padyshim epiqendra e vëmendjes do të jetë Rikardo Kaka, pasi zor se braziliani do të ketë rast tjetër të vijë me përfaqësuesen e Brazilit për të luajtur kundër Kombëtares sonë. Ndryshe nga hera e parë në tetor të vitit të kaluar, kur mungonin për shkak të impenjimeve ndërkombëtare shumë prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, këtë herë 17-herë kampionët e Italisë do të jenë me të gjithë efektivin e tyre “Qemal Stafa”. Kështu, këtë herë, përveç Ronaldinjos dhe Shevçenkos do të jenë edhe Kaka dhe Pato (në tetor të dy ishin të grumbulluar me kombëtaren braziliane). Por këtë herë risia është mesfushori anglez, i famshmi Devid Bekam. Për të ardhja në Shqipëri nuk është hera e parë, teksa Bekam ka qenë pjesëtar i kombëtares angleze kur ajo luajti në “Qemal Stafa”, në vitin 2002 me Shqipërinë. Përveç tre “topave të artë”, siç janë Kaka, Ronaldinjo dhe Shevçenko, në Tiranë pritet të vijnë edhe të paktën katër kampionë bote, që kanë fituar kampionatin e fundit botëror me Italinë në “Gjermani 2006”: Inzagi, Pirlo (ishin herën e parë), Zambrota e Gatuzo.
KOMBËTARJA SHQIPTARE
Edhe pse nuk është publikuar ende një listë zyrtare e lojtarëve që do të përbëjnë ekipin shqiptar, disa nga emrat janë bërë të njohur nga mediat. Sipas burimeve nga FSHF-ja në “Kombëtaren B” priten të luajnë edhe legjionarë të tillë si Klodian Duro, Jahmir Hyka, Isli Hidi, Dorian Bylykbashi, Ervin Bulku, Kristi Vangjeli apo Hamdi Salihi. Artan Bushati, trajneri i Kombëtares U-21 të futbollit, mund të jetë tekniku i “seleksionit” kuqezi, që do të përballet në miqësoren e bujshme me Milanin. Presidenti Duka, pas refuzimit të kroatit Branko Ivankoviç, ende nuk ka zbardhur emrin e teknikut të ri të përfaqësueses A.
NDESHJA
Ndeshja miqësore do të luhet në orën 19:00 në impiantin më të madh sportiv të vendit, që si për koincidencë është projektuar nga arkitektë italianë. Kompania “Taçi Oil” me organizimin e këtij aktiviteti ka për qëllim jo vetëm t’i dhurojë një spektakël të paharrueshëm sportdashësve shqiptarë por me fondet e mbledhura të cilat do të shkojnë në dobi të fëmijëve ne nevojë, të sensibilizojë shoqërinë për më shumë kujdes dhe dashuri për ta. Kundër përfaqësueses “alternative” shqiptare do të luajnë tre “topa të artë”, duke e shndërruar trofeun “Taçi Oil Albania Reads”, në një ngjarje që kalon përmasat sportive. Ato yje që i kanë parë gjithnjë nga televizioni shqiptarët do t’i shikojnë tani direkt në fushë. “Më vjen shumë mirë që një eveniment kaq i madh do të ndodhë për herë të dytë dhe sigurisht edhe në vazhdim”, - ka deklaruar përpara disa ditësh, presidenti i kompanisë “Taçi-Oil”, Rezart Taçi që bën të mundur risjelljen e këtij klubi të madh në vendin tonë.
Kaka dhe Bekam
Nëse në konferencën e parë për shtyp të Milanit në Tiranë, të organizuar në “Hotel Sheraton”, përveç Galianit dhe Ançelotit, kanë qenë prezent edhe dy lojtarët e Milanit, Ronaldinjo dhe Maldini, këtë herë në këtë konferencë për shtyp (ora 16:30), është braziliani Rikardo Kaka dhe i dyti anglezi Devid Bekam.
12 orët e kuqezinjve
Milani do të zbresë në orën 11:45 në aeroportin “Nënë Tereza” dhe do të niset menjëherë për në hotel “Sheraton” ku do të akomodohet. Pas ndeshjes që do të nisë në orën 19:00 në “Qemal Stafa”, do të organizohet një mbrëmje “Gala” ku do të zhvillohet një ankand me disa prej bluzave të lojtarëve kuqezi.
Lista zyrtare
Milani në Tiranë
Paolo Maldini
Rikardo Kaka
Alesandro Pato
Andrea Pirlo
Klarens Sedorf
Masimo Ambrozini
Devid Bekam
Ronaldinjo
Filipo Inzagi
Xhanluka Zambrota
Xhenaro Gatuzo
Marek Jankulovski
Zeljko Kalac
Filip Senderos
Andrij Shevçenko
Tiago Da Silva
Matjë Flamini
Daniele Bonera
Matias Kardiaçio
Mateo Darmian
Tabare Viudez
Felipe Mationi
Filipo Peruçini
Trajner: Karlo Ançeloti
Zëvendëstrajner: Mauro Tasoti
“Milan Junior Camp”
Kampingu do të zhvillohet nga data 6 korrik deri më 10 korrik në Tiranë. Në këtë kamping do të marrin pjesë fëmijë nga mosha 8 deri në 16 vjeç. Nga 300-400 fëmijët që do të marrin pjesë, pesë prej tyre do të shkojnë në “San Siro” në fund të muajit gusht.
Vizitë në “San Siro”
Pesë fëmijë të kampingut shqiptar të Milanit gjatë vitit të kaluar, Andriko Gurma, Dean Lici, Mikel Brahlika, Erli Çupi dhe Alketo Gjipali, morën pjesë në shoun e madh të “Milan Junior Day” (MJC), të organizuar në Milano nga data 18 e 19 tetor.
“Milan Camp”
Në datat 16 e 17 maj në sheshin “Nënë Tereza” do të ngrihet kampi “Milan Park Tirana”, ku të gjithë fëmijët se bashku me miqtë e familjet e tyre do të kenë mundësi të argëtohen falas me lojëra të ndryshme virtuale apo dhe karuselë e trena.
Çmimet e biletave
Biletat e tribunës kryesore A, të cilat sezonin e shkuar kanë qenë 15000 lekë, këtë herë do të jenë 10000 lekë. Biletat e tribunës karshi, pra D1 dhe D3, që do të jenë 4000 lekë, ato prapa porte pritet të jenë 2000 lekë.
Tirana
Tirana fitoi 2-1 kundër Milanit të madh, falë golave të Daniel Xhafës e Gjergji Muzakës, ndërsa për Milanin golin e nderit e shënoi Ronaldinjo në fundin e takimit. Tirana, që drjetohej atëherë nga trajneri boshnajko-kroat Bllazh Slishkoviç fitoi kështu trofeun e parë “Taçi Oil Albania Reads”.
Bilanci
Milani është sinonim jo vetëm i lavdisë italiane e futbollit spektakolar, por nga viti 1899 (vit i themelimit) ka në muzeun e tij 17 kampionate në Serinë A, 7 Liga Kampionësh, 3 Kupa Interkontintetale, 1 Botëror për klube, 4 Superkupa Europiane, 5 Superkupa të Italisë, 3 Kupa të Italisë dhe 2 Kupa të Kupave.
8 Maj 2009