E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: “Do apelojmë vendimin për 21 janarin”

09-02-2013 / Gazeta 55

Organi i akuzës do ankimojë vendimin e Gjykatës që çoi në lirimin e gardistëve.
Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e kryesuar nga gjyqtari, Besnik Hoxha i cili shpalli të pafajshëm ish komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale, Agim Llupo të akuzuar për vrasjen e tre prej katër manifestuesve që u qëlluan me armë zjarri gjatë protestave të dhunshme të opozitës në 21 Janar të vitit 2011, pas rrethimit 5 orësh të selisë së Këshillit të Ministrave, prokuroria është vënë në lëvizje për të ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit.
Prokurorët e çështjes Blerim Tominaj dhe Adriatik Camaj kanë formular ankimin që do të dorëzohet në Gjykatën e Apelit mëngjesin e së hënës.
“Ne do të bëjmë apelin pavarësisht vendimit ende të pazbardhur nga gjykata. Ankimi do të jetë i bazuar mbi ato pika që citoj gjykata në seancën e djeshme. Në momentin që do të zbardhet i argumentuar vendimi, ne do të bëjmë përsëri ankimin plotësues mbi argumentet e renditur nga gjykata në vendimin përfundimtar”, thanë prokurorët.
Sipas institucionit të akuzës, do të kundërshtohen të gjitha pikat e pretenduara nga gjykata si shkak për pafajësinë e tyre.
“Ne do paraqesim provat dhe argumentet tona në apel, duke mbështetur pretencën për dënimin e Ndrea Prendit dhe Agim Llupos. Do t’i provojmë gjykatës se asnjëri nga të pandehurit nuk kanë qenë të kërcënuar nga viktimat e vrarë. Të gjithë ishin duar në xhepa kur janë ekzekutuar. Ne i quajmë vrasje me dashje, pavarësisht që viktimat nuk ishin të shënjestruar. Gjithashtu, edhe vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, nuk ka asgjë të përbashkët me rastin e vrasjeve të 21 janarit”, thonë prokurorët të cilët edhe në apel do të kërkojnë dënimin e Prendit me 23 vjet burg dhe për Llupon 25 vjet heqje lirie.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›