E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka një problem djathtas?

Skënder Minxhozi 

Sherret mes të majtëve kanë qenë tradicionalisht gjahu më i shijshëm për mediat dhe opinionin publik në Shqipëri. Historikisht është njohur dhe pranuar se ky krah politik ka qenë i destinuar të japë "spektakël" me ndarjet e tij të bujshme, me deklarimet publike të njërit kundër tjetrit dhe më në fund, në prag të zgjedhjeve që e zbritën PS në opozitë, edhe me ndarjen prej saj të LSI. Përballë këtij imazhi kaotik ka qëndruar një e djathtë monolite, ku fjalët thuheshin dhe thuhen me zë të ulët dhe me "frena dore", ku Berisha kishte dhe ka kontrollin, duke bërë kohën e mirë e të keqe për partinë dhe ata që mbulon streha e saj.
Ky është një peisazh politik që ka moshën e vetë demokracisë shqiptare, pra të më shumë një dekade e gjysmë. Por mesa duket zgjedhjet e këtij viti rrezikojnë ta prishin me të vërtetë këtë ndarje klasike fizionomish politike në spektrin e sotëm të partive. Nëse majtas ndarja PS-LSI do të vazhdojë të përbëjë një pikëpyetje të krahasueshme me atë të vitit 2005, megjithëse vështirësisht të përsëritshme në të njëjtat përmasa, djathtas duket se po ndodh në heshtje dhe pa bujë një proces që pas zgjedhjeve të verës, mund të rezultojë në zhvillime jo më të përmbajtura dhe gjysmë të padukshme. Fjala është për rolin që gjithnjë e më shumë po merr Presidenti Topi në lojën institucionale dhe, për pasojë, edhe në jetën politike të vendit dhe të partisë që dikur e drejtonte së bashku me Sali Berishën.
Aktualisht zoti Topi dhe një numër institucionesh që e gjejnë veten në orbitën e influencës së tij, po krijojnë, jo pa fërkime e përplasje, një distancë gjithnjë e më të perceptueshme, nga maxhoranca aktuale dhe vetë Kryeministri Berisha, apo edhe Kuvendi i drejtuar me frymë primitive partiake nga zonja Topalli. Shumëkush kujton sot sesa e largët është tashmë dita kur Berisha investohej djathtas dhe majtas për zgjedhjen e nënkryetarit të tij në postin e Presidentit të Republikës, me shpresën se duke marrë Presidencën, ai do t'i kishte fituar de facto të gjitha institucionet që kishin një farë vlere në këtë vend. Shumëkush kujton gjithashtu se çfarë pesimizmi e përçarjeje futi ky proces në radhët e opozitës së sotme, e cila kujtoi se e humbi një pjesë të mirë të luftës me Berishën. Pasi Topi në atë kohë identifikohej veçse me Berishën dhe më askënd tjetër.
Ja pra që mesa duket janë gabuar të gjithë. Themi mesa duket, sepse dinamika e jetës politike në Shqipëri ka treguar se asgjë dhe askush nuk është përjetësisht i qëndrueshëm në ato që thotë dhe që bën. Sidomos në një vend ku politikanët kanë kërcyer shpesh nga një degë në tjetrën. Megjithatë duket se me afrimin e zgjedhjeve, për Berishën po rritet dhe po merr përmasë problemi i kontrollit (në kuptimin që Doktori i jep këtij termi), të Presidencës dhe të bujtësit të saj, së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme dhe pjesën tjetër të sistemit të drejtësisë që ndodhet në autoritetin e kreut të shtetit.
Zoti Topi e kaloi në heshtje siglimin e ligjit për dosjet. Kjo lëvizje (në fakt kjo mos-lëvizje) mund të lexohet në gjithfarë mënyrash, përveçse si përkrahje dhe miratim për nismën ligjore të qeverisë dhe vetë Berishës. Në sfondin e kësaj klime ndodhen aktualisht një numër dosjesh të nxehta hetimore, të cilat duket se nuk do të pengohen në ndonjë farë mënyre nga kreu i shtetit, në rrugën e tyre drejt zbardhjes së disa të vërtetave që qeveria dhe maxhoranca do të donin të mos dilnin kurrë në sipërfaqe. Afrimi i zgjedhjeve dhe kjo marrëdhënie delikate mes presidentit dhe kryeministrit, projekton një fazë post-elektorale po kaq, në mos më shumë të komplikuar brenda vetë PD-së. Në rastin e një humbjeje politike, pozita e Berishës dhe ajo e Topit do të pësonin përkatësisht një rënie të lirë dhe një ngjitje të bujshme, sipas të gjitha gjasave. Një kryetar me moshën, reputacionin dhe shkallën e konsumimit të Berishës, do ta kishte të pamundur të kontrollonte më partinë, nëse do të rrëshqiste në opozitë në 28 qershor. Automatikisht kjo do të sillte në axhendën e ditës për PD, çështjen e suksesionit dhe përtej ambicieve të Topallit apo Bashës, që të dy të identifikuar fort me Berishën, Topi do të ishte ndoshta pretendenti më serioz për të marrë në dorë partinë. Situata do të ishte më e lehtë për t'u zgjidhur në favor të kryeministrit nëse ai do t'i fitonte zgjedhjet, porse kjo duket e vështirë përballë faktit që në zgjedhjet e fundit ai humbi të gjitha qytetet e mëdha të vendit, që përballë bilancit aspak rozë që kjo qeveri po le pas shpine në fund të mandatit të saj katërvjeçar.
Prezenca e Topit në PD, jo më ajo fizike, por më shumë ajo institucionale e politike, është sot pengesa kryesore në rrugën e kryeministrit jo vetëm për të dominuar shtetin, por edhe për të fituar zgjedhjet dhe zbardhur regjistrin penal të njerëzve pranë tij. Në ndryshim nga sherri me ish-presidentin Moisiu, ky nuk është një konflikt me një person të papërfshirë në skemën partiake të PD-së. Topi është mjaft i ri për të dalë në pension pas mbarimit të mandatit presidencial, ashtu si Berisha është shumë i vjetër për të qëndruar mbi kalë pas humbjes eventuale në zgjedhjet e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›