Universitetet, sfidat e formulës së re për buxhetin
zirina llambro
Efektive, angazhuese dhe aktuale. Me këto fjalë e përkufizon kryetari i konferencës së rektorëve e njëkohësisht kreu i Universitetit Politeknik Jorgaq Kacani. Formula e re e ndarjes së buxhetit të universiteteve do të nxisë konkurrencën e do të rrisë kapacitetet e shkollave të larta. Në një intervistë për gazetën "Panorama", ai gjykon gjithashtu, edhe mbi sfidat që duhet të kalojnë këta institucione për ta adaptuar më së miri.
Ndarja e buxhetit të universiteteve, këtë vit do të bëhet sipas një formule të re, e cila në thelb konsiston te projektet që paraqesin vetë universitetet për të thithur investime. Si e gjykoni ju këtë formulë?
Formula për shpërndarjen e fondeve për institucionet e arsimit të lartë për vitin 2009 përcakton shpërndarjen e transfertës së pakushtëzuar që garanton barazi, drejtësi dhe transparencë.
Kjo formulë në përbërje të saj përcakton të gjithë elementet e shumës së transfertës së pakushtëzuar, e cila nga ana e saj merr parasysh: shumën për rrogat dhe sigurimet, shumën për mallrat dhe shërbimet për arsimin dhe funksionimin, shumën për kostot specifike institucionale dhe shumën për funksionimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së kërkimit. Pra, formula teorikisht është e plotë dhe nuk ka mangësi. Në këtë kuadër unë e shoh si një hap cilësor, së pari në zbatimin e ligjit përsa i përket investimeve dhe, së dyti, dhënia e tij nëpërmjet grantit mbi bazën e të gjithë elementeve përbërës, që në tërësinë e tyre përcaktojnë të gjithë aktivitetet e mundshme të një institucioni të arsimit të lartë.
A do të jetë e lehtë për t'u vënë në zbatim kjo formë e re e ndarjes së buxhetit?
Si një formulë e re financuese ajo kërkon implementimin e saj, i cili do të nxjerrë në pah se sa është e modeluar kjo skemë për të përballuar situata të ndryshme që mund të kenë universitetet e ndryshme të vendit në kuadër të specifikave të tyre mësimore, shkencore, rajonale. Në këtë kuadër mendoj se edhe kjo formulë ligjore financimi, do të kërkojë kohën e vet të implementimit dhe të përvetësimit. Gjithaq besoj se shpejt ajo do të kthehet në një metodologji standarde, mbi bazën e së cilës do të punojnë të gjithë universitetet për të patur një kohezion metodologjik.
Për të arritur këtë është i detyrueshëm një sistem i organizuar mirë dhe i drejtuar nga MASH, trajnimi me pjesëmarrje të kancelarëve të universiteteve, të këshillave të administrimit, anëtarë të senateve, të këshillave të fakulteteve, të cilët janë të rinj apo të rikonfirmuar sipas ligjit të arsimit të lartë.
Nga ana e universiteteve është mirë që të organizohet një tavolinë e rrumbullakët me rektorët, kancelarët, kryetarët e këshillave të administrimit për njohjen më nga afër të kësaj formule.
Mendoni se kjo skemë do të jetë efektive e do të nxisë universitetet të bëhen menaxhues më të mirë të fondeve të tyre?
Mendoj se formula do të jetë efektive, pasi duke marrë parasysh të gjithë elementet përbërës të aktiviteteve të institucioneve të arsimit të lartë, ajo do të jetë promotor për realizimin e aktiviteteve dhe njëkohësisht për shpenzimin e fondeve respektive. Kërkesat për zgjerim të aktiviteteve të institucioneve dhe njëkohësisht për shtrirje të mëtejshme të tyre, detyrimisht do të kërkojë parashikimin e përfshirjes në formulën e shpërndarjes së transfertës së pakushtëzuar dhe të elementeve të këtyre zgjerimeve. Duke e kthyer formulën në një metodologji standarde dhe përvetësimi zbatues i saj, padyshim që do të rrisë shkallën e cilësisë menaxheriale.
Po në rastet kur një universitet nuk ka projekte, a preken studentët sa i përket cilësisë së arsimit që do t'u ofrohet edhe pse nuk janë ata përgjegjës për mungesën e tyre?
Transferta me konkurrim për investime mendoj se është shumë aktuale, ajo është konkurruese, angazhuese, kërkuese dhe realizuese. Pra, e thënë ndryshe, ajo kërkon një angazhim total të stafeve drejtuese të universiteteve, që mbi bazën e strategjisë së zhvillimit progresiv të institucioneve që drejtojnë të përcaktojnë në rrjedhën kohore, me synim ngritjen cilësore edukuese, të gjitha etapat synuese të investimeve.
Kjo do të realizohet vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi dhe kordinimi të investimeve ndërmjet universiteteve dhe MASH-it, duke patur parasysh edhe strategjinë zhvilluese të arsimit të lartë dhe ajo çka është shumë e rëndësishme të rritjes së fondeve investuese nga ana e qeverisë. Duhet të kemi parasysh se jemi në fazën e rritjes cilësore të edukimit, gjë e cila domosdoshmërisht kërkon një angazhim gjithëpërfshirës të të gjithë aktorëve investues të arsimit të lartë, ku rritja e fondeve nga ana e institucioneve përgjegjëse është kërkesë e padiskutueshme.
Cilat janë projektet kryesore të Universitetit Politeknik që ju drejtoni, të cilat do të vihen më së miri në zbatim me formulën e re?
Eshtë përgatitur Plani Strategjik për zhvillimin e UPT-së për 10-15 vitet e ardhshme, ku vëmendja do të përqendrohet në ngritjen e kampusit universitar të UPT-së. Kampusi universitar parashikon një rritje të sipërfaqes ndërtuese në 70 mijë metra katrorë, e cila do të fillojë me ngritjen e shtesës pranë godinës qendrore të këtij universiteti dhe pastaj me godinat e reja në të dy krahët e korpusit ekzistues. Ngritja e këtij kampusi është në përputhje me planin francez të rregullimit të qytetit të Tiranës i miratuar në KKRT. Kampusi i ri do të çojë në dyfishimin e numrit të studentëve, të stafit akademik dhe mbi të gjitha në rritjen cilësore të përgatitjes së inxhinierëve me të gjitha kërkesat e nevojshme bashkëkohore. Natyrisht, zgjerimi dhe shtrirja e universitetit tonë në një kohë kaq të shkurtër, po shoqërohet me kërkesat dhe nevojën për të patur edhe hapësirat e nevojshme për auditorët dhe laboratorët. Dyfishimi i studentëve dhe stafit akademik e administrative kërkon edhe dyfishim të ambienteve. Po bashkëpunojmë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, duke paraqitur projekte konkrete për zgjidhjen e këtij problemi.