E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, çmimet e trojeve në bregdet

 

BLEDAR HOTI

Shpallen çmimet e reja të trojeve në zonat turistike në Durrës dhe në Kavajë. Pas vendimit të qeverisë për rishikimin e trojeve në Fletoren Zyrtare, janë botuar vlerat e reja në zonën më të lakmuar të Shqipërisë në bregdetin e Durrësit. Gjithashtu, janë miratuar edhe çmimet e zonave në rrethinat e Tiranës. Çmimi më i lartë i trojeve në zonat me përparësi turizmin është 19 mijë lekë për metër katror. Zona e Rrushkullit, Lalzit, Hamallajt vërtitet një çmim i tillë, që përfshin deri në 200 metër larg bregut të detit. Ndërsa zona ku përfshihet autostrada Tiranë-Durrës ka një çmim që shkon 12 mijë lekë të reja për metër katror. Kjo pjesë e cilësuar si zonë industriale mban këtë vlerë deri në 200 metër katrorë larg autostradës kryesore të vendit. Ndërsa në zonën e Qerretit, çmimi i tokës në zonën e bregdetit shkon 12 mijë lekë për metër katror. Për zonat Golem, Kryemëdhenj dhe Qerret është i përfshirë një çmim i tillë i trojeve.
Çmimet në Farkë dhe në Dajt
Vlera e tokës në zonën e Dajtit, sipas vendimit të Qeverisë, do të llogaritet me 8 mijë lekë për metër katrorë. Ndërsa në zonën e Farkës, ku po ndërtohen pallate të shumta, vlera e tokës nga ana e shtetit do të llogaritet 11.000 lekë/m2. Ndërsa në Kashar çmimi i vendosur nga shteti është 12 mijë lekë/m2. Sipas vendimit të qeverisë në Paskuqan çmimi shkon në 3,750 lekë/m2, në Pezë shkon në 3,500 lekë/m2, në Ndroq shkon në 9,500 lekë/m2; në Vaqar shkon në 12,000 lekë/m2; Bërxull shkon në 7,500 lekë/m2; Shëngjergj shkon në 3,000 lekë/m2; në Baldushk shkon në 2,250 lekë/m2; në Kërrabë vlera është 1,600 lekë/m2; në Bërzhitë vlera është 8,000 lekë/m2; në Zall-Bastar vlera e tokës është 1,400 lekë/m2; në Petrelë vlera shkon në 6,250 lekë/m2; në Prezë vlera shkon në 4,000 lekë/m2 dhe në Zall-Herr vlera shkon në 1,550 lekë/m2. Këto shifra priten të përdoren edhe gjatë procesit të legalizimit të zonave iformale. Çmimet e përcaktuara nga ana e qeverisë nuk janë të njëjta me tregun e shitjes së pronave të paluajtshme nga privati. Rishikimi i çmimeve të trojeve u bë pasi Kryeministri Berisha i cilësoi ato si të fryra në krahasim me vlerën reale të tyre.

Çmimet e reja, AKKP s’ka vendim për t'i aplikuar

Në Fletoren Zyrtare janë publikuar çmimet e reja të trojeve në disa rrethe të Shqipërisë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ende nuk është njohur me çmimet e reja të vendosura nga ana e qeverisë dhe të botuara në Fletoren Zyrtare. Drejtues të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shprehen se ende nuk është janë njohur me çmimet e reja në Fletoren Zyrtare dhe nuk kanë asnjë njoftim nga ministria për të aplikuar çmimet e reja, për ndarjen e fondit prej 500 milionë lekësh. Nëse çmimet e reja të trojeve në rrethet e Shqipërisë janë në Fletoren Zyrtare atëherë AKKP-ja është e detyruar t'i zbatojë në ndarjen e fondit të vitit 2009. Ndërsa burime pranë AKKP-së theksuan se "presin Ministrinë e Drejtësisë, që të japë ndonjë sqarim në lidhje me çmimet që do të aplikohen". Ndërsa bëhet e ditur se ndarja e fondit me çmimet e reja nuk është ndonjë procedurë bllokuese, pasi aplikohet një formulë e posaçme kompjuterike. Çmimet e reja janë ulur ndjeshëm në krahasim me ato që janë aplikuar në vitet e mëparshme. Kjo mund të sillte edhe një rritje të numrit të ish-pronarëve që pretendojnë të përfitojnë nga fondi i parashikuar për t'u shpërndarë në vitin 2008. Ndërsa mësohet se AKKP-ja nga java e ardhshme do të nxjerrë emrat e fituesve për fondin prej 500 milionë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›