E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, vend me demokraci hibride

Kastriot Islami 

Revista më prestigjioze në botë për ekonominë "Economist", ka publikuar indeksin e demokracisë për 165 vende të botës, të ndarë në katër grupe, i) grupi i parë i demokracive të plota, ii) grupi i dytë i demokracive me defekte, iii) grupi i tretë i demokracive hibride, pra me elementë autoritare, iv) dhe grupi i fundit i sistemeve autoritare. Shqipëria është midis 165 vendeve të botës dhe të 49 vendeve evropiane në grupin e tretë. Pra, shqiptarët në fund të vitit 2008 jetojnë në një demokraci hibride, demokraci në formë të përzier me elementë autoritarë në përmbajtje. Dhe kjo nuk ka ndryshuar që nga viti 2006 kur është kryer ky studim për herë të parë. Në grupin e fundit të regjimeve autoritare futen Kuba, Koreja e Veriut, Bjellorusia, Ruanda e tjerë.
Grupi ku bën pjesë Shqipëria ....
Më e rënda është se vendi ynë ndodhet në një grup me: Irakun, territoret e Palestinës, Bangladeshin, Zambian, Libanin, Mozambikun, Kamboxhian, Kenian e Kirkistanin, Etiopinë dhe Venezuelën. Pra me vendet i) ku zhvillohen luftime disavjeçare si në Irak e territoret e Palestinës, ii) ose më të varfrat në botë si Etiopia e Bangladeshi, iii) ose më të korruptuarat në botë, si Kirkistani, iv) apo ku media goditet më shumë në botë si Venezuela e Çavezit. Në këtë grup futet në 2008-ën edhe Shqipëria me qeverisjen e Berishës, për të cilën Kryeministri deklaron se "Po ndryshon...", se është vendi i parajsës fiskale, se është vendi me rritjen më të lartë ekonomike, e tjerë, e tjerë mashtrime pa fund.
Vendet e rajonit janë
në grupin e dytë...
Të gjithë vendet e rajonit tonë, të tilla si Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania dhe Bullgaria, janë në grupin e dytë. Bile edhe Serbia që ka pasur ende probleme me mbeturinat e regjimit te Millosheviçit apo ultranacionalistët. Në këtë grup janë edhe Moldavia e Ukraina, e deri Mongolia. Po kështu këtu bëjnë pjesë edhe Kolumbia, Benini e Nikaragua. Nga vendet e rajonit vetëm Bosnja e Hercegovina ndodhet në një grup me ne. Po kështu edhe Turqia. 
Treguesi i qeverisjes
është më i ulëti nga të gjithë treguesit e tjerë...
Për të bërë këtë klasifikim janë përdorur 5 tregues: 1) pluralizmi dhe procesi zgjedhor, 2) liritë civile, 3) funksionimi i qeverisë, 4) pjesëmarrja në politikë e qytetarëve, dhe 5) kultura demokratike. Nga të gjithë këto tregues Shqipëria ka më të ulëtin treguesin e funksionimit të qeverisjes, pra atë që Berisha e mburr me të madhe në sloganin "Shqipëria po ndryshon". Shqipëria e ka treguesin e funksionimit të qeverisë të njëjtë me Bangladeshin, Mozambikun, Senegalin, Zambian, Malavin, Butanin, deri me Kubën, që ndodhet në grupin e vendeve autoritare. Për të lexuar sesi klasifikohet Qeveria e Berishës po ju lexoj se çfarë thuhet në internet për vendet e këtij grupi: 1) Kuba, shqiptarët e njohin mirë regjimin e Fidel e Raul Kastros, që rezulton me tregues për sa i përket funksionimit të qeverisë me atë të Berishës, 2) Bangladeshi, një nga "...vendet më të varfra në botë, pas një vale dhune në janar të vitit 2007 ka zhvilluar zgjedhjet nën drejtimin e një qeverie kujdestare me mbështetje ushtarake. Vendi vuan nga një korrupsion ekstensiv, dhunë politike dhe çorganizim total..". 3) Kirgistani, aktualisht, "...Presidenti Bakiev akuzohet për qeverisje korruptive dhe korrupsion familjar..". 4) Senegali, është "...mbërthyer aktualisht nga kriza e urisë më e madhe në botë pavarësisht gënjeshtrave të përditshme për mirëqenie në rritje nga Presidenti i vendit Uade...", 5) Malavi karakterizohet si "...vendi që vuan nga korrupsioni dhe sida...", 6) Zambia cilësohet një nga "...vendet me të varfra në botë ku mbi 51 për qind e popullsisë jeton me më pak se një dollar në ditë, me një borxh mbi 6 miliardë dollarë dhe ku sida bën kërdinë...", e tjerë.
Përfundime të
përgjithshme të studimit....
Disa nga konkluzionet e studimet që implikojnë Shqipërinë janë: 1) konkluzion 1: "...Ka pasur reagim të dobët nga vendet e Lindjes së Mesme për t'u demokratizuar..", dhe Shqipëria ndodhet në një grup me Libanin dhe Territoret e Palestinës nga ky rajon, 2) konkluzion 2: "...Premtimet e "revolucioneve me ngjyra" në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik mbetën të parealizuara dhe tendencat autoritare karakterizuan Rusinë..", dhe Shqipëria ka të njëjtin tregues demokracie me Gjeorgjinë e Kirgistanin si dhe me Rusinë, 3) konkluzion 3: "...Liritë e medias kanë filluar të erodohen në vendet e Amerikës Latine dhe kanë ardhur në pushtet forca populiste me kredenciale demokratike të dyshimta..", dhe Shqipëria ka tregues demokracie me vende të tilla të këtij rajoni si Venezuela e Ekuadori.
Pozicioni i Shqipërisë
sipas pesë treguesve...
Pozicioni i Shqipërisë kuptohet qartë po t'i referohemi analizës së mëposhtme: i) nga 165 vendet e botës, gjysma janë vende demokratike pra me "demokraci të plotë" dhe "demokraci me defekte" dhe Shqipëria nuk futet në këto kategori; ii) në gjysmën e vendeve që mbeten, 51 vende janë "regjime autoritare" dhe 36 janë "demokraci hibride" dhe në këtë kategori të fundit futet Shqipëria; iii) Treguesin e "kulturës politike" Shqipëria e ka më të ulët sesa në territoret palestineze (vend në luftë), vendet afrikane të tilla Mozambik, Zambia, Uganda, Kenia, Etiopia, Burundi, Nepal, Taxhikistani apo deri Zimbabve e Mugabes, iv) Dhe akoma më keq paraqitet Shqipëria për sa i përket treguesit të "pjesëmarrjes në politikë" të shtetasve, ky treguesi për Shqipërinë është i ulët sesa në Venezuelën e Çavezit, apo në vendet afrikane të tilla si Tanzania, Kenia, apo Etiopia dhe i njëjtë me vende të tilla si Bangladeshi e Gana e deri edhe me vende të klasifikuara autoritare të tilla si Xhibuti, Irani, Burkina Faso e Ruanda apo të tilla të klasifikuara në tre vendet e fundit si Uzbekistani e Turkmenstani.
Përfundime jo të mira për Shqipërinë e shqiptarët...
Përfundimet e studimit janë të qarta, nuk kanë nevojë për analizë tjetër. Nga ky studim rezulton se i) shqiptarët kanë qeveri që funksionon keq, në formë demokratike dhe në përmbajtje me elementë autoritarë, ii) dhe më shqetësuesja, se shqiptarët konsiderohen me "kulturë të ulët demokratike" dhe me "pjesëmarrje të ulët në demokraci". Dhe kjo bën që në Shqipëri dhe në të gjithë vendet e grupit me demokraci hibride, liderët e tyre të përdorin gënjeshtrat e mashtrimet për të fshehur mosfunksionimin e qeverisë së tyre. Kështu i) të gjithë liderët e vendeve afrikane, aziatike e amerikano-latine i gënjejnë vendet e tyre me shifrat e rritjes ekonomike, ndërkohë që mirëqenia e tyre përkeqësohet, varfëria rritet, rinia zhgënjehet; ii) të gjithë liderët e vendeve të këtij grupimi mburren për progres ekonomik e grumbullim të taksave dhe ndërkohë, përdorin metoda autoritare për të fshehur korrupsionin qeveritar e familjar; iii) të gjithë liderët e këtyre vendeve kur ndjehen keq nga kritikat për korrupsion godasin me mjete të ndryshme përfaqësues të opozitës dhe të medias; iv) dhe së fundi liderët e këtij grupimi kur ndjehen keq e në fund të mandatit të tyre përkeqësojnë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtare, largojnë institucionet ndërkombëtare, manipulojnë zgjedhjet e nxisin tensionet politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›