E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet monedha evropiane

 

Monedha evropiane ka fituar terren ndaj lekut. Dje në agjencitë e këmbimit valutor një euro u ble me 125.4 lekë dhe u shit me 125.9 lekë, duke pësuar rritje krahasuar me pak ditë më parë. Ndërsa monedha e gjelbër amerikane u ble dje me 94.2 lekë dhe u shit me 94.7 lekë. Zhvlerësimi i lekut ka ardhur si pasojë e largimit të emigrantëve. Ndërkohë sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008 është vënë re një theksim i tendencës rënëse të mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut, një tendencë kjo e vërejtur që nga fillimi i tremujorit të dytë të këtij viti. "Dobësimi i lekut në fund të tremujorit të tretë dhe fillim të tremujorit të katërt ka pasqyruar zhvillimet e tregut të brendshëm si dhe ecurinë e raportit euro/USD në tregjet ndërkombëtare", thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Nënçmimi i lekut kundrejt monedhës evropiane ka ardhur si rezultat i kërkesës së lartë për këtë të fundit. Kjo kërkesë është përqendruar kryesisht në dy periudha. Fillimisht gjatë muajit shtator, kur kërkesa për valutë ka ardhur si rezultat i konvertimit të fitimeve nga kompanitë e huaja dhe pas një korrektimi të këtij efekti; dhe në tetor nga kërkesa e lartë për valutë kryesisht jashtë sistemit bankar. Sipas BSH-së, në tetor leku është dobësuar në terma vjetorë kundrejt euros dhe dollarit, përkatësisht me 0.6 dhe 7.6 pikë përqindjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›