E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëkryqi i demokracisë dhe Ponc Pilatët e PS

Dritan Ylli 

Studimi më i fundit i prestigjiozes "The Economist", që rendit Shqipërinë për të dytin vit radhazi përkrah vendeve me regjim hibrid, jo demokratik të mirëfilltë, vetëm sa "certifikon" realitetin e përditshëm që jetojnë shqiptarët, por që nuk arrijnë ta perceptojnë atë në mënyrë kaq të përmbledhur. Vendosja e Shqipërisë në një regjim hibrid, që pak a shumë është një ndërthurje e regjimit demokratik dhe atij autoritar, fatkeqësisht qëndron larg edhe të ashtuquajturave demokraci joliberale, ku përfshihen një pjesë e mirë e vendeve demokratike të globit. Shqipëria evropiane renditet përkrah disa vendeve të Afrikës, të cilat më shumë janë afër diktaturave, sesa demokracisë. Madje edhe përkrah Venezuelës të liderit autoritar Çavez apo Irakut të dhjetëra vrasjeve të përditshme, duke mbetur i vetmi vend në rajonin tonë, me mungesë të plotë progresi në rrugën e zhvillimit të demokracisë.  
Qytetarët shqiptarë e kuptojnë se diçka nuk po funksionon me demokracinë, kur prej 18 vitesh në prag zgjedhjesh dëgjojnë të njëjtin refren, se "procesi zgjedhor duhet të jetë i lirë dhe i ndershëm", sikurse të njëjtin përfundim pas zhvillimit të tyre, "me shumë probleme, por të pranueshme". Ndërkohë që shqiptarët menduan se lanë pas procese zgjedhore të kontrolluara nga sistemi njëpartiak dhe me rezultate të paravendosura, ata u përballën me procese të njëpasnjëshme të manipuluara në tentativë për të prodhuar rezultate gjithaq të paravendosura.  
Sot, në vitin 2008, 18 vite pas rrëzimit të sistemit totalitar dhe diktatorial, përballemi me konkluzione të dhimbshme nga "The Economist" apo "Freedom House", sipas të cilave në Shqipëri nuk garantohen plotësisht të drejtat dhe liritë civile të qytetarëve. Këto institucione që janë dhe barometër të lirive të individëve kudo në botë, konkludojnë në studimet e tyre se, megjithëse regjimi totalitar është lënë prapa, pluralizmi është ende formal. Dhe sigurisht që faji për këtë nuk është aspak i popullit, por i klasës politike, i politikanëve dhe liderëve autoritarë, që nuk njohin as të majtë dhe as të djathtë, "përtej vetvetes" dhe realizimit të interesave të "unit" të tyre.
Po pse Shqipëria renditet tek vendet me regjim hibrid?
Proceset elektorale, të manipuluara
Arsyeja e parë dhe më e rëndësishme, ka lidhje me parimin kryesor të funksionimit të demokracisë që nga lashtësia. Një demokraci fillon tek vota e lirë dhe ajo çka ne sot quajmë demokraci është një qeveri e dalë nga zgjedhjet, në të cilat çdo qytetar i rritur mund të votojë. Por, jo çdo votim mund të sjellë një qeveri demokratike. Pasi, siç thotë edhe studiuesi Fareed Zakaria, edhe diktatorë të tillë si Mubaraku i Egjiptit apo Robert Mugabe i Zimbabves bëjnë çmos dhe bëjnë shpenzime të mëdha për të organizuar zgjedhje, ku të gjithë të votojnë, por të cilat pa dyshim që ata i fitojnë pa ndonjë problem. Në Shqipërinë pluraliste nuk është organizuar ende një proces zgjedhor që të ishte i lirë dhe i ndershëm. Vota e popullit nuk ka qenë e garantuar të shkojë aty ku është shprehur vullneti i votuesit. Madje politikanë të ngjashëm si dy pika uji, për nga tiparet autoritariste, si Berisha i vjetër, por edhe ky "i riu" Rama, arrijnë madje edhe të luajnë me vullnetin e qytetarëve, duke e trajtuar votën e tyre si piruet për të realizuar përfitime politike dhe personale, në mënyrë aspak demokratike. Këtë bënë edhe në fund të vitit që shkoi, kur Parlamenti miratoi dy ligje, të cilat së bashku me ndryshimet kushtetuese që u bënë pa pyetur fare popullin, i dhanë një grusht të fortë demokracisë dhe liberalizmit kushtetues. Ky bashkim i paprinciptë votash të PS dhe PD, duke injoruar krejtësisht vullnetin e atyre që i kanë votuar, u bë përmes një marrëveshjeje të pistë, antidemokratike dhe u shit se gjoja u bë në emër të reformave. Eshtë fjala për Kodin Zgjedhor dhe ligjin për Prokurorinë. Kodi Zgjedhor i miratuar në fund të vitit, bazohet mbi një sistem ku vullneti i një pjese të mirë të popullsisë i shprehur përmes votës së lirë, do të mbetet thjesht në kuti. Mijëra vota do të shkojnë dëm përmes këtij Kodi Zgjedhor, që do të rezultojë diskriminues për votën e mijëra qytetarëve. Në këtë mënyrë ekzistenca e pluralizmit do të kthehet thjesht formale dhe vendimmarrja nuk do të jetë një mundësi për të gjithë, por do të jetë nën kontrollin e një diktature me dy pole. Sikurse edhe ligji për Prokurorinë nuk bën asgjë tjetër veçse e vendos integritetin e Prokurorisë nën darën e Qeverisë, duke e mbërthyer keq atë për të mos i lënë dorë të lirë hetimeve të aferave qeveritare. 
 Qeverisje e dobët, me "gardianë" të shitur
Qeveritë që vijnë në pushtet nga procese të manipuluara dhe të deformuara zgjedhore, rrjedhimisht nuk janë të interesuara për vendosjen e shtetit ligjor dhe krijimit të shanseve të barabarta për qytetarët. Ndaj dhe këto lloj qeverisjesh kanë makthe që të kenë nën kontroll institucionet e pavarura. Ata synojnë të vënë nën kontroll kryesisht drejtësinë dhe mediat, duke mbajtur nën fre si rrjedhojë edhe lirinë e shprehjes. Qeveri të tilla, përmes instrumenteve të paligjshme dhe kushteve që bien në kundërshtim edhe me lirinë ekonomike dhe të tregut, krijojnë monopole ekonomike. Favorizimi i tyre dihet që pasuron një kastë të caktuar, duke varfëruar skajshëm për rrjedhojë shumicën e qytetarëve, për të pasur kështu mundësi më të madhe kontrolli të ekonomisë, në shërbim të qëllimeve të ruajtjes së pushtetit duke tentuar blerjen e tij. Ata mendojnë se kjo është gjithnjë një siguri më shumë për të fituar edhe zgjedhjet e ardhshme. Kjo është konkretisht dhe situata aktuale politike në Shqipëri, që për rrjedhojë e vendos atë përkrah vendeve thellësisht të prapambetura, si Burundi apo Uganda.
Qeveria Berisha, e cila është në fund të mandatit të saj, nuk ka aspak bilanc të mirë në marrëdhëniet e saj me shtetin ligjor dhe Kushtetutën. Pavarësisht një kujdesi që ka treguar që të mos njehsohet me një qeveri që është kundër mediave, kryeministri Berisha ka treguar, veçanërisht kohët e fundit, se nuk arrin dot të bashkëjetojë politikisht me median e lirë dhe veçanërisht me atë pjesë të medias që është kritike ndaj tij dhe aferave të qeverisë që ai drejton. Ndërkaq media raporton çdo ditë për krijime të monopoleve të fuqishme, kur shumë ndërmarrje falimentojnë duke hedhur në rrugë qindra punonjës, të cilët vihen në vështirësi për përballimin e jetesës përballë rritjes  galopante të çmimeve.
Përkundrejt revanshit 4-vjeçar të Berishës kundër demokracisë dhe dështimit në luftën kundër korrupsionit dhe varfërisë, ka pasur një apati në rastin më të mirë dhe bashkëveprim monstër në rastin më të keq, kundër shtetit ligjor dhe Kushtetutës, të një pjese të opozitës, e cila duhet të ishte "gardiane" e veprimeve të gabuara të Qeverisë. Lidershipi i Partisë Socialiste nuk mund të lajë duart si "ponc pilati", duke mos marrë përgjegjësitë e saj, që vendi ndodhet në këtë udhëkryq demokratik të rrezikshëm, por jo të pashpresë. Bashkëveprimi i pamoralshëm i lidershipit të saj, përmes ndryshimeve në Kushtetutë dhe në kurriz të shtetit ligjor, me qëllim instalimin e një sistemi "monopol me dy koka", ka vënë në rrezik vërtet të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Shqiptarët duhet të distancohen nga të tillë politikanë autoritaristë, që të mos renditen më në krah të vendeve më të prapambetura të botës. Zgjedhjet e ardhshme janë mundësia më e mirë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›