E Diel, 1 Nëntor 2026

A ka vepruar në kundërshtim me ligjin rektori Shaska?

Kohët e fundit, shtypi i shkruar nuk ka informuar aspak në mënyrë të drejtë publikun lidhur me regjistrimet e studentëve në Universitetin e Vlorës, të cilët kanë mbyllur studimet e tyre në shkollën e mesme me notën mesatare më të vogël se 6. Fatkeqësisht, thelbi i problemit është shmangur në mënyrën më të padrejtë, duke e konsideruar refuzimin e regjistrimit të kësaj kategorie të studentëve në universitetin e Vlorës si një padrejtësi që u bëhet këtyre studentëve, si një mosrespektim i të drejtave të tyre për studime universitare, si një kundërvënie e padrejtë e drejtuesve të Universitetit të Vlorës ndaj rregullave të njohura të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për të mos i zbatuar ato etj. Natyrisht, një trajtim i tillë i problemit shkakton një shqetësim serioz, jo vetëm për drejtuesit dhe stafin e Universitetit të Vlorës, por edhe më gjerë. Sepse e vërteta e refuzimit të regjistrimit të kësaj kategorie studentësh nuk mund të përcaktohet kurrsesi me argumentet e mësipërme. E vërteta është një vendim i marrë nga Senati i Universitetit të Vlorës më 5 qershor të vitit 2008, sipas të cilit në këtë universitet do të regjistrohen për të vijuar studimet universitare vetëm studentët me notë mesatare mbi 6. Por a mund të konsiderohet ky vendim si një akt arbitrar që penalizon studentët me argumentimet e mësipërme? Sigurisht që jo, sepse kushdo që ka një logjikë elementare do të kërkojë arsyet e sakta pse është marrë një vendim i tillë.

Për studentët që "penalizohen" nga ky vendim, për familjarët e tyre, por edhe për punonjësit e Drejtorisë së Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit, si dhe për lexuesit e shtypit duhet të sqarojmë se detyra primare e arsimit të lartë është sigurimi i cilësisë së produktit të tij. Kjo do të thotë se detyra parësore e çdo institucioni të arsimit të lartë, siç janë universitetet, është përgatitja e specialistëve të lartë që do ta njohin shumë mirë fushën ku kanë studiuar dhe të kenë fituar aftësitë e mjaftueshme për t‘i përdorur këto njohuri me kompetencë në aktivitetet e tyre të ardhshme, në punën që do të kryejnë pas diplomimit të tyre. Kjo detyrë primare i vë institucionet e arsimit të lartë para përgjegjësisë së madhe që ato duhet të kenë ndaj shoqërisë sonë, që të ndërtojnë, të projektojnë dhe të realizojnë një veprimtari akademike studimore dhe shkencore të tillë që të jetë shumë efektive dhe e frytshme, duke përdorur me mjeshtëri arritjet e shkencës bashkëkohore.

Këtë detyrë parësore të arsimit të lartë duhet ta kryejë me sukses çdo universitet me organet drejtuese të tij. Ligji i Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë, miratuar nga Parlamenti Shqiptar në vitin 2007, përcakton qartë dhe pa ekuivok se senati i një institucioni të arsimit të lartë "është organi kolegjial vendimmarrës që përcakton politikat e zhvillimit të të gjitha aktiviteteve të këtyre institucioneve" (neni 14, pika 1 e tij). Në po këtë nen, pika 2. ë), ligji saktëson se senati akademik "vlerëson, garanton dhe mban përgjegjësi për sigurimin e brendshëm të cilësisë në institucion, në përputhje me standardet shtetërore".

Duke pasur parasysh këtë orientim të Ligjit të Arsimit të Lartë, si dhe detyrën parësore të institucioneve të arsimit të lartë para shoqërisë, Senati i Universitetit të Vlorës më datën 5 qershor të vitit 2008 mori një vendim për të pranuar si studentë të rinj të vitit të parë vetëm ata që kanë notën mesatare të shkollës së mesme mbi 6. Pra, ky vendim u mor me dëshirën e mirë që të rritet cilësia e përgatitjes së studentëve në këtë universitet, në përgjigje të realizimit cilësor të përgatitjes së specialistëve të lartë. Me këtë vendim askush nuk ka të drejtë të abuzojë duke e konsideruar atë si një masë diskriminuese kundër nxënësve të shkollave të mesme. Stafi akademik i Universitetit të Vlorës është i bindur se mund të organizojë një punë mësimore dhe shkencore me cilësi të lartë vetëm me studentët që janë aftësuar që në shkollën e mesme për të përballuar kërkesat e arsimit të lartë, sidomos në kushtet e sotme kur ky arsimim organizohet mbi bazën e Kartës së Bolonjës. Gjithashtu, ky staf akademik është i bindur edhe nga përvoja e punës së vet të viteve të fundit se nxënësit me notë mesatare nën 6 nuk kanë arritur të fitojnë njohuritë bazë, si dhe nivelin e kënaqshëm për të vazhduar studimet në këtë universitet.

Për të informuar sa më saktë opinionin publik po përmendim edhe faktin tjetër se ky ligj i miratuar vetëm dy vjet më parë, në nenin 3, ku përcaktohen parimet bazë të autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë, sanksionon "të drejtën (e tyre) për të caktuar kritere të pranimit të studentëve në programet e studimeve" (pika 2. c); por në mënyrë më të plotë kjo e drejtë e këtyre institucioneve përcaktohet në pikën 2 të nenit 33, dhe sidomos në pikën 5, ku thuhet shprehimisht: "Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të përcaktojnë kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët kanë mbaruar Maturën Shtetërore, për t‘u pranuar në ciklin e parë të studimeve. Këto kritere bëhen publikisht të njohura nga institucionet e arsimit të lartë të paktën një vit para fillimeve të pranimeve të radhës në institucion"….

Përveç kësaj, ligji i arsimit të lartë i njeh të drejtën ministrit të Arsimit të shfuqizojë çdo vendim të organeve drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë kur ato bien ndesh me këtë ligj. Por një gjë e tillë nuk është bërë nga Ministria e Arsimit, sepse në të vërtetë në vendimin e Senatit të Universitetit të Vlorës nuk ka asnjë shkelje të ligjit. Studentët dhe familjarët e tyre që protestojnë para dyerve të universitetit, me sa duket nuk i dinë këto gjëra dhe iu duket një padrejtësi që u bëhet për mosregjistrimin e tyre. Por është krejtësisht e pafalshme deklarata e drejtoreshës së arsimit të lartë në këtë ministri, e cila e quan të padrejtë dhe të pazbatueshëm vendimin e senatit të Universitetit tonë pa treguar asnjë arsye pse ky vendim shpërfillet dhe nëpërkëmbet në mënyrë kaq arbitrare dhe flagrante. E tillë është edhe deklarata e saj në formë urdhri se studentët e shpallur në listat e APRIAL janë detyrimisht të regjistruar në universitet.

Nenet e Ligjit të Arsimit të Lartë që cituam më lart e detyrojnë atë dhe këdo tjetër të veprojë në përputhje të plotë me to. Deklarata e saj për moszbatim të ligjit, pra për mosnjohje të autonomisë së universiteteve, për mosnjohje të autoritetit dhe vendimeve ligjore të një organi kolegjial e drejtues, siç është senati i universitetit është nxitje për mos respektim të institucioneve të arsimit të lartë, është nxitje për kaos në punën e këtyre institucioneve dhe kjo është e dënueshme ligjërisht. Është shumë e çuditshme dhe krejtësisht e papranueshme se si punonjësit e një institucioni qendror siç është Ministria e Arsimit të mos respektojnë dhe të mos zbatojnë ligjet e vetë institucionit të tyre, të përgatitura prej tyre dhe të miratuara nga Parlamenti, në një kohë që Kryeministri deklaron me shumë të drejtë se në veprimtarinë e tyre punonjësit e shtetit duhet të mos cenojnë kurrsesi parimet e shtetit ligjor. Pra problemi i regjistrimit apo jo të studentëve në Universitetin e Vlorës nuk ka një karakter thjesht kapriçoje apo nuk është një akt kokëfortësie e anëtarëve të senatit të Universitetit të Vlorës apo të rektorit të këtij universiteti, siç po paraqitet në mënyrën më të deformuar në media, por ky problem, në thelbin e vet, qëndron në çështjen nëse administrata shtetërore, punonjësit e institucioneve të arsimit të lartë dhe mbarë shoqëria jonë a do të mësohet të zbatojë ligjet e shtetit të vet, të miratuara nga Parlamenti apo do t‘i nëpërkëmbë ato, duke nxitur dhe krijuar kaos në veprimtarinë e tyre.

Në shkrimet e botuara në shtyp kohët e fundit vihet re një zell i fortë për të nxirë punën e rektorit, Prof. Tanush Shaska, sikur Universiteti i Vlorës dhe arsimi i lartë në përgjithësi po "dhunohet" nga "veprimet e paligjshme" të tij dhe për këtë renditen një varg shpifjesh të ulëta. Themi shpifje, sepse në asnjërin rast nuk argumentohet me fakte ku qëndron "dhunimi", cili ligj është shkelur e kështu më radhë. Në fakt, është për të ardhur shumë keq kur bëhen përpjekje të zellshme për të hedhur baltë mbi punën e tjetrit, e sidomos të një intelektuali të mirëfilltë që ka bërë diçka shumë të mirë. Veprime të tilla të ulëta janë karakteristikë e njerëzve mediokër, e njerëzve që nuk meritojnë aspak respekt, por vetëm përbuzje.

E vërteta është se zoti Shaska ka arritur suksese të padiskutueshme në studimet e tij shkencore në Amerikë, gjë që dëshmohet nga botimet e tij në shtypin e mirëfilltë shkencor në fushat më të rëndësishme të matematikës. Zoti Shaska me dëshirën e tij për të kontribuar për zhvillimin e arsimit të lartë në vendin e tij, në Shqipëri, ndërmori detyrën e vështirë për të drejtuar Universitetin e Vlorës, ku kandidoi dhe u votua bindshëm. Në themelin e programit të vet, dallohej qartë përkushtimi i tij i vendosur për të rritur cilësinë e punës edukative dhe shkencore, egoja e tij për ta ngritur Universitetin e Vlorës në nivelet më të larta, për ta renditur atë ndërmjet universiteteve më të mira në Shqipëri dhe më gjerë. Puna e rektorit Tanush Shaska në këto dy vite tregoi qartë se programi i tij nuk ishte një deklarim bosh demagogjik, një tymnajë që shpesh bëhet për të fituar detyrën, por ajo po i jep frytet e saj më të mira. Sot Universiteti i Vlorës ka marrë fizionominë e një universiteti modern. Ai ka sot një infrastrukture si në asnjë universitet tjetër tek ne dhe këtë mund ta dallojë kushdo që dëshiron të hyjë në website-in e tij, ku mund të shohë në çdo çast se çfarë bëhet në atë universitet. Është një meritë e padiskutueshme e rektorit Tanush Shaska, aktivizimi i specialistëve të rij shqiptarë që kanë arritur rezultate shumë të mira shkencore jashtë vendit për të marrë pjesë gjallërisht në aktivitetet shkencore dhe akademike në Universitetin e Vlorës. Kështu aty po bëhet një punë shumë e mirë për rritjen cilësore të të gjithë veprimtarisë akademike dhe shkencore dhe për të realizuar këtë qëllim është marrë edhe vendimi aq i përgojuar dhe i deformuar në thelbin e vet, për të cilin po bëhet padrejtësisht një zhurmë e madhe keqinformuese. Puna që po bëhet në Universitetin e Vlorës nuk ka nevojë për avokat, ajo flet dhe dëshmon vetë.

Arsimi i lartë ka një mision fisnik dhe kushdo që e pengon atë nuk meriton aspak respektin e shoqërisë.

Eustrat Zhupa, Ervin Ruci, Jorgo Mandili, Lulëzim Hajnaj, Petrit Taraj etj...

Universiteti i Vlorës "Ismail Qemali"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›