E Diel, 1 Nëntor 2026

Irlandezët "votojnë" Lisbonën. Këtë herë, i thonë "po" traktatit

Votuesit irlandezë duket se i kanë thënë "po" Traktatit të Lisbonës. Ky është njoftimi i Ministrisë së Jashtme irlandeze. Një vit më parë, në të njëjtin referendum, ata i kishin thënë "jo
dokumentit" që, sipas kundërshtarëve, i jep pushtet shumë të madh qendror Brukselit. Pas kësaj humbjeje, BE kërkoi përsëritjen e votimit në Irlandë me shpresën se këtë herë irlandezët do të ishin pro. Pas një fushate me shumë probleme, duket se çështja e irlandezëve është mbyllur dhe vëmendja e të gjithëve është drejtuar te Polonia dhe Çekia. Këto vende kanë liderë shumë euroskeptikë dhe ata tani janë pengesa e vetme për kthimin e projektit në një ligj në të 27 vendet e Bashkimit. Rezultatet e këtij referendumi përbëjnë edhe fitoren e madhe të Kryeministrit irlandez, Brian Cowen, dhe koalicionit të tij të qendrës së majtë. "Irlanda është në një situatë shumë të rëndë ekonomike dhe ky rezultat është një hap përpara drejt zgjidhjes së problemeve", bëri të ditur ministri i Financave. Pjesëmarrja në votime ishte 59% bazuar në rezultatet e ditës së shtunë krahasuar me 53% të referendumit të kaluar. Rezultati ishte një fitore për Kryeministrin Cowen, i cili po përpiqet që të nxjerrë nga kriza njërën prej ekonomive që ka shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike gjatë viteve të fundit. Gjatë fushatës, e cila është karakterizuar nga shkelje të ndryshme të rregullave, votuesve iu tha se, nëse edhe këtë herë do të votonin "jo", atëherë vendi do të rrezikonte izolimin ekonomik. Bashkimi Europian, që gjatë gjithë kësaj kohe bëri një presion shumë të madh ndaj Dublinit, për të mbajtur një referendum të dytë, i ofroi gjithashtu Irlandës garanci në lidhje me disa çështje të ndryshme, të tilla si sovraniteti kombëtar që ishte edhe një nga shqetësimet e votuesve gjatë referendumit të kaluar. Grupimet antimarrëveshjes, të cilat shpresonin se edhe këtë herë irlandezët do të thoshin "jo", e pranuan se situata ndryshoi shumë në krahasim me një vit më parë dhe tani u bënë thirrje presidentëve euroskeptikë të Polonisë dhe Çekisë që të luftonin kundër aprovimit të traktatit. "Shpresoj jashtëzakonisht shumë se Klaus do t‘ia dalë mbanë", deklaroi Declan Ganley, një nga figurat kryesore të "jo"-së. Ai shprehu habinë për shumicën e irlandezëve që votuan "po"-në. Por disa nga ekspertët politikë mendojnë që Klaus do të firmosë, edhe pse ai personalisht e konsideron marrëveshjen si një hap përpara shkeljes së sovranitetit kombëtar. Vota e djeshme e Irlandës pasoi paralajmërimet e figurave të njohura, politikanëve dhe liderëve të biznesit se një tjetër "jo" do t‘i kushtonte vendit mbështetjen e Bankës Qendrore Europiane dhe Brukselit për të dalë nga vështirësitë në të cilat ishte futur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›