E Shtunë, 31 Tetor 2026

A mos duhet të jetë dytësore përzgjedhja e përkthimeve tona?

Ende s’ka pushuar jehona e përkujtimit të 17 janarit, 541-vjetorit të vdekjes së njërës prej figurave më të ndritshme të kohës së Mjesjetës. Shqipëria e ka nderuar me krenari të përligjur heroin e saj, Skënderbeun.  Që kur shkroi, nga të parët, Marin Barleti, e gjer në ditët tona. Të gjithë e kanë ngritur në piedestalin e lartë shqiptar. Sepse Ai i bashkoi shqiptarët në një luftë të lavdishme 25-vjeçare.  
Bibliografia mbi veprimtarinë e Skënderbeut, si një luftëtar i paepur, si një strateg i talentuar në luftën për çlirimin e popullit të vet, si një diplomat i shquar për krijimin e aleancave të shëndosha dhe të qëndrueshme, si një mbrojtës i paepur i krishterimit përkundër invazionit që shtrihej në mënyrë rrënuese nga Lindja në Perëndim, - një mori librash, pra, për këtë hero jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera të pushtuara e të shkretuara, - përbën një bashkësi të madhe librash, veprash të rëndësishme kujtimesh, historish, poemash, veprash muzikore.
Rreth 600 vepra kanë për objekt figurën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Një pjesë e këtyre veprave kanë humbur. Mjafton të përmendim  operën e muzikantit më të madh të muzikës baroke (të sh. XVII-XVIII), me titullin “Skënderbeu”,   të Antonio Vivaldit. Monumentet e Skënderbeut ndodhen të shtrira gjeografikisht në të gjitha kryeqytetet e rëndësishme të Europës, e më tej. Bustet dhe pllakat përkujtimore janë të pambarueshme. Arbëreshët e Italisë nuk lënë rast pa e kujtuar dhe pa zbuluar lapidaret. Në Hungari dhe në Europën juglindore, kur përmendin Gjon Huniadin, nuk lënë kurrë mënjanë pa vënë në dukje miqësinë me heroin tonë dhe bashkëveprimtarinë e tyre për një qëllim fisnik të përbashkët .
Tani serbët, si shovinistë të thekur, kërkojnë baraspeshën e domosdoshme me Gjergj Kastriotin, pas disa përçapjeve qesharake për ta quajtur edhe Skënderbeun, serb! (ashtu siç po mundohen edhe disa ekzemplarë në Greqi për ta quajtur Jorgos apo Jorgaqis!). I pandehuri i Hagës, Sllobodan Millosheviçi, e festoi 600-vjetorin e ndeshjes me turqit (1389), në Fushën e Mëllenjave, në Kosovo Polje. Duhej ngritur si figurë madhore princi Llazar Hrebljanoviç, të cilin e quajti Car Llazari. Në të vërtetë ia ngriti ofiqet. Sepse ishte princ Llazari. Dhe librat serbë të hershëm e quanin knjaz, jo car.  Sidoqoftë, ajo që duam të themi është se ky knjaz është i pakrahasueshëm për kah madhështia me Skënderbeun. Sllobo, aq më tepër, u bë një panegjirik i pabesueshëm në atë fjalim provokues ndaj shqiptarëve, për arsye se Llazari u mund keqazi në luftim me turqit dhe u vranë 150 kalorës serbë. Ndërkaq Sulltan Bajaziti I, mori për grua të bijën e Car Llazarit, Despinën. Dhe nuk vonoi që Serbia të pësonte pushtimin shekullor të Turqisë. Për çfarë kishte për t’u mburrur  Millosheviçi në atë fjalim të zjarrtë që u bë pikënisja e masakrës së 1999-s?
Një gjë e ngjashme pati vend edhe me Nënë Terezën, në kohën e shenjtërimit të saj. Disa qarqe maqedonase i përgatitën nju bust për ta vendosur në një vend jugor të Italisë. Piedestali ishte përgatitur me shkronja sllave, sllavisht.  Por duket se Nënë Tereza i përgënjeshtroi me shkrim përvetësuesit e kombësisë së saj: “Jam shqiptare”, ishte gjetur në njërin nga kujtimet e saj, me shkrimin e vet, qartësisht dhe shkoqur . Puna përfundoi pa zhurmë, me disa tallje të mediave italiane!  
Kjo mani për të tjetërsuar identitetin e figurave tona të madhërishme, zgjoi kritika të ashpra në shumë mjedise historike dhe intelektuale të vendit tonë ndaj veprës së pak kohëve më parë të Oliver Schmitt-it, për Skënderbeun. Ata që qëmtojnë  faqet enciklopedike të  internetit, do të gjejnë në Google, për shembull, emrin e babait të heroit, të shënuar në Giovanni dhe, në kllapa: Gjon. Po marr versionin italian. Në frëngjisht: Jean. E kështu në vijim. Por fakti që vihet edhe shqip në kllapa ka domethënien e vet. Tani Shmiti na përdor emrin Ivan, në sllavisht!
Por kjo nuk përbën pjesën e rëndësishme të problemit, sipas mendimit tim. Në qindra vepra të shkruara për Skënderbeun, nuk ka rëndësi nëse njëra (apo disa) ia vënë në diskutim identitetin, nën emblemën e një rigoroziteti historik (apo një mitomanie për të qenë origjinal, ose i bujshëm). Ky mendim vetjak i Oliver Shmittit mund të quhet si infinitezimal -  po të përdorim një term matematik, që mund ta bëjmë të kuptueshëm, duke e shpjeguar si një thërrmijëz të parëndësishme, po të krahasohet me morinë e pallogaritshme të veprave, në kahen e mirëkuptuar nga shqiptarët. 
Në të vërtetë, ky libër nuk është botuar as në gjermanisht, që është gjuha e autorit. Tani na vjen i përkthyer në shqip. Pyetja është për përkthyesin: Nga ai mal me vepra për Skënderbeun, ky u zgjodh si më i përshtatshmi? Sikur serbët ta përkthejnë në gjuhën e tyre, si do të ndjehesh ky përkthyes? (Emrin nuk është nevoja t’ia cekim përkthyesit, aq shumë është lakuar kohët e fundit). Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që pëlqejnë serbët është e papëlqyeshme për ne. Por puna ndryshon në këndvështrimet që marrin ngjyresë politike apo ideologjike.
A i kanë rënë në sy përkthyesit këngëtaret e talentuara kosovare, që nuk bëjnë duet me serbët? Jo se ato janë ksenofobe. Nuk kanë asnjë paragjykim ndaj së huajës. Por secila prej tyre e ka të gjallë krimin serb në shfarosjen e këtij populli shqiptar të martirizuar, popullit të Kosovës. Është e rrallë që këto talente të muzikës shqiptare (dhe të muzikës së huaj, natyrisht), të mos kenë ndonjërën nga viktimat e Arkanit apo të Millosheviçit, që të rëndojë dhimbshëm në kujtesën e tyre.
Pra, është e përligjur pyetja: A mos duhet të jetë dytësore përzgjedhja e përkthimeve tona?
Apo jemi të kapluar nga një dukuri që majtizmi ynë nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël që ta shuajë, si një të keqe që po na zvarrit. Një këngë e Al Banos dhe e Rominës e ka titullin, që mund ta përvetësojmë edhe ne, në kuptimin që po na rrënon, por duke e zhveshur nga përmbajtja erotike e këngës së famshme: “Nostalgia canaglia”  (Nostalgji rezile).

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›