E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urgjenca për planifikimin e rrugës Morinë-Prishtinë-Merdare


Kur në prill 2003 si prioritet i prioriteteve kryesore,në një trajnim në fushën e Planifikimi Hapësinor të Kosovës e përcaktuam ndërtimin e autostradës Prishtinë-Durrës, gjegjësisht daljen e Kosovës në det, edhe planerët ndërkombëtar u befasuan me të gjitha përfitimet, përparësitë e ndërtimit të kësaj rruge në të gjitha aspektet duke filluar nga aspekti gjeostrategjik e gjerë te ai kryesori ekonomik dhe mbarëkombëtar. Atë kohë erdhëm në përfundim se të gjithë indikatorët hapësinor favorizonin ndërtimin e kësaj rruge që është duke u realizuar, përfunduar nga njëra anë e kombit tonë.
Ide dhe ideatorë të ndryshëm si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë kemi pasur gjatë periodave të ndryshme historike. Materializimi i kësaj ideje ishte pika më e dobët e tërë këtij procesi shumë të komplikuar financiar për kushtet specifike mbarë shqiptare. Këtë e arriti pushteti aktual në Tiranë, së bashku me ndihmën financiare ndërkombëtare.
Fillimi i punimeve në segmentin më të vështirë të rrugës Durrës-Kukës, ai i tunelit të Kalimashit, i cili filloi të ndërtohet falë aftësisë për huamarrje nga ana e shtetit shqiptar dhe mundësive të kreditimit nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare, ishte një fitore e madhe drejt integrimeve evropiane të gjithë hapësirës shqiptare e posaçërisht të Kosovës, edhe ashtu të izoluar e njëherësh shkas domethënës për vazhdimin e kësaj rruge në anën kosovare.
Politizimi i projektit nuk ishte i domosdoshëm, duhen shikuar vetë eksperiencat e shteteve të rajonit e ma gjerë gjatë shekullit të kaluar për të gjykuar drejt. Le të anashkalohen interesat e grupeve të caktuara të mashtruesve dhe të të mashtruarve si dhe të grupeve mafioze. Të shikohet së pari interesi ekonomi e pastaj ai integrues duke mos harruar qëllimet e mirëfillta gjeopolitike mbarëkombëtare pasi jemi të vonuar shumë në të dy anët e kufirit. Me vëmendje të posaçme jam duke përcjellë punimet në këtë aks rrugor nga faza e parapërgatitjeve, fillimit, vazhdimit dhe shpresoj të përfundimit të punimeve.
Sa është interesi i Kosovës për ndërtimin e kësaj rruge është e tepërt të diskutohet pasi të gjitha analizat nga aspekti i planifiktmit hapësinor tregojnë një gjë të tillë. Të gjithë indikatorët hapësinor tregojnë një qasje konstruktive për ndërtimin e kësaj rruge shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për Evropën Jug Lindore në tërësi, pa marrë parasysh “prishjen e dhimbshme” të disa monopoleve të huaja. Të gjitha këto elemente janë të inkorporuara në propozim-Planin Hapësinor të Kosovës, i cili ende nuk është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe shpresoj se pas kompletimi do të aprovohet.
Në pjesën kosovare të rrugës (Mërdare-Vërmicë) deri me tani janë shpenzuar shumë para vetëm për përpilimin e mangët të dokumentacionit teknik. Bartësi apo përpiluesi i këtyre dokumenteve ishte MTPT (Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit) e cila fare nuk ka qenë transparente së paku me strukturat tjera qeveritare të asaj kohe. Si ishte e mundur të manipulohet për qëllime politike për këtë ndërmarrje jetike për Kosovën. Me ndryshimet qeverisëse pas zgjedhjeve të vitit 2007, Ministri aktual i  MTPT njofton opinionin se projekti ka mangësi qenësore siç është “gjeomekania”, pa të cilën është e pamundur përpilimi i ndonjë projekti e posaçërisht autostradave, e për këtë do të ketë pengesa serioze.
Arsyetimet në mungesën e ligjeve nuk qëndrojnë pasi ato ekzistojnë. Do të ketë vështirësi të shumta si nga aspekti organizativ edhe nga ai financiar. Posaçërisht do të ketë vështirësi të pritura me zbatimin e ligjit të shpronësimit, zbatimi i të cilit kushton duke respektuar ekonomin e tregut dhe transparencën si elementet qenësore për tërë procesin. Përfitimet e mëdha në të gjitha aspektet ekonomike dhe gjeostrategjike në pjesën kosovare të rrugës i arsyetojnë ato në të gjitha aspektet. Kaptin e veçante shumë e vështirë do të jetë sigurimi i mjeteve materiale (kreditimi, koncesionet etj) për realizimin e projektit. Përkrah pa rezervë entuziazmin e madh për fillimin e punëve me mjetet e buxhetit të Kosovës në vitin 2008, këto veprime me vëmendje janë duke u përcjellë nga faktori  vendimmarrës ndërkombëtar. Nëse do të ketë menaxhim korrekt të investimeve ekzistuese jam i bindur se nuk do të mungojë edhe përkrahja financiare për realizimin e projektit jetik për tërë Kosovën e për këtë duhet pasur kujdes dhe angazhime maksimal të gjithë neve e posaçërisht bartësve kryesor të projektit (MTPT-së).    
Pjesës kosovare të rrugës (Vërmicë-Merdare) më shumë se kurdoherë i nevojitet nivel i lartë profesional dhe punë shumë e përkushtuar për realizimin e tij çka vetvetiu imponon të kemi politika konstruktive zhvillimore në Kosovë. Angazhimi i ekspertëve të shumtë kosovarë duhet bërë në baza profesionale e kurrsesi partiake, nevojitet një mobilizim gjithëpërfshirës i tërë spektrit politik dhe profesional kosovar.
Qytetarët e Kosovës kanë përgjegjësi të madhe për veprimet e  pushtetarëve aktual që kjo rrugë të fillojë të ndërtohet. Duke marr në konsideratë trajtimin e shoqërisë civile me anën e të cilës qytetarët e Kosovës duhet të apostrofonin problemet që i shqetësojnë, nga ana e pushtetit aktual duhet të presim rezultate pozitive në këtë drejtim. Trajtimi i qytetarëve të Kosovës në pjesëmarrjen në procese zhvillimore si është rasti i rrugës është minimal pasi nuk ekziston bashkëpunimi profesional ndërministror e sa për pjesëmarrjen e qytetarëve as që mundemi të imagjinojmë.
Të gjitha debatet e ndryshme parlamentare dhe joparlamentare të cilat janë duke u zhvilluar në Shqipëri rreth kësaj rruge me vëmendje jam duke i përcjellë, por nuk po mundëm të paramendoj imagjinatën destruktive të disa individëve të cilët nuk po zgjedhin mjete për të minuar përfundimin e këtyre punimeve. Të gjitha këto përplasje janë joserioze, favorizimi i veriut apo margjinalizimi i jugut të Shqipërisë janë vetëm pjellë e imagjinuar opozitare nga Tirana e një grupi të kufizuar të njerëzve ndaj të cilëve me forcën e argumenteve duhet me iu kundërvënë. Edhe po desh dikush t’i ndërpresë punimet e rrugës, nuk do ta ketë atë fuqi përkundër atyre synimeve shekullore ekonomike të kundërshtarëve të kësaj rruge, pasi rrota e historisë nuk mundet të kthehet mbrapa. Më duhet të citoj një mendimtar të vjetër i cili në mllef pati thënë se ju mundeni të thoni çka të doni, por rruga do të ndërtohet. Nëse ka keqpërdorime financiare siç pretendon opozita në parlament këtë i duhen përcjell nga organet ekzekutive të shtetit shqiptar, atë po e ofron shumica në parlament. Konfirmimi apo demantimi i pohimeve për keqpërdorime financiare duhet përcjellë gjatë tërë kohës së zhvillimit të punimeve si dhe në fazën e eksploatimit të sajë. Respektimi i kontratave të nënshkruara me kompanitë ekzekutuese të punimeve është obligues për të gjithë pjesëmarrësit në ndërtimin e kësaj rruge jetike për zhvillimin e veriut të Shqipërisë dhe të Kosovës. Të njëjtët kritere duhet të vlejnë edhe për pjesën kosovare të rrugës së ëndrrave për të gjithë shqiptarët.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›