E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra/Koha për një ligj lustracioni edhe në Kosovë

Poeti dhe mësuesi nga Kukësi, Havzi Nela është njëri prej shumë viktimave të Shqipërisë që në vitin 1988 u ndëshkua politikisht prej pushtetarisë komuniste shqiptare. Ai u sakrifikua për dinjitetin njerëzor dhe fati i tij nuk ishte gjë tjetër përveçse fati i njeriut në diktaturë. Krimi ndaj Nelës është një nga dëshmitë më tronditëse se si komunistët kishin  vepruar mbi njeriun që nuk kërkonte asgjë më shumë sesa lirinë e vendit të tij. Intelektuali Nela nga vrasësit komunistë në Shqipëri, merrej si shembull i ndëshkimit. Gjykata e Kukësit më 24 qershor 1988, kishte marrë vendim për varjen në litar të tij. Me 10 gusht 1988, kryejnë ekzekutimin në Kukës, përkatësisht te sheshi i agjencisë së udhëtarëve. Ramiz  Alia kishte mundur të parandalonte marrjen e jetës së H. Nelës, biografia e të cilit për shkak të mospërshtatjes me regjimin u paraqit e errët dhe armiqësore. Pavarësisht se fati i jetës së tij kishte mbetur në duart e një vendimi kriminale, Nela vazhdonte të shprehte urrejtjen e tij  ndaj komunizmit. “Sa për Enver Hoxhën, balta e zezë shumë shpejt ka me ia mbulue emnin, edhe në rast se ia përmendë kush, ka me ia përmendë me përbuzje. Punët janë për mirë. Ky regjim do të përmbyset fort e shpejt... Do të hyjmë shpejt në Bashkimin Evropian. S’do ketë ma kufij, por do jenë vetëm formalë. Edhe në Kosovë kemi me hy shpejt lirisht”, qe shprehur Nela, i cili edhe përkundër kërkesës  që te jepej  drejtësia që i takonte nuk i kishte shpëtuar varjes në litar. Veprimi ndaj Nelës, ishte  një nga aktet më të jashtëmoralshme të drejtësisë së kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri.
Njëzetenjë vjet mbas mbytjes në litarë të H. Nelës, ekipi vrasës i tij, ende nuk ka shfaqur  asnjëherë pendesë për krimin e bërë ndaj këtij intelektuali të Shqipërisë. Mandej, në vitin 2002, ish-kreu i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, F. Abdiu, që shqyrtoi çështjen “Nela” në vend të turpërimit dhe kërkim-faljes, “trimërohej” për veprën kriminale që kishte bërë ndaj Nelës. Vrasësit e Nelës, pas rrëzimit  të komunizmit në Shqipëri në vend të dënimit u shpërblyen për  krimin që kishin bërë  mu në fushën e “drejtësisë”. Kjo s’është gjë tjetër, veçse një dëshmi se Shqipëria fatkeqësisht vazhdon të vuan nga krimet e  komunizmit dhe nga përmbytja e moralit. Për 21 vjet me radhë shteti i Shqipërisë,  asnjëherë nuk ka shpallur në kërkim njerëzit të cilët kryen krime naziste mbi popullin e vet gjatë kohës së komunizmit. Në dhjetor të vitit të kaluar pas një varg debatesh, Kuvendi i Shqipërisë, miratoi të ashtuquajturin Ligj të Hapjes së Dosjeve të Spiunëve. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përkundër  reagimeve të shumta, madje edhe nga faktori ndërkombëtar është shprehur i vendosur që të hapen dosjet e atyre që gjatë kohës së komunizmit torturuan, burgosën dhe vranë në mënyrën më mizore popullin e vetë. Varja në litar i intelektualit nga Kukësi, Havzi Nela, është dëshmia më e mirë që duhet të forcojë mendimin dhe vendimi për hapjen e dosjeve të atyre që bën krime të tilla.
Por dhimbje dhe forcë. Nuk mendoj se me hapjen e dosjeve duhet ta shembim njeriun. Përkundrazi, hapja e tyre duhet të shërbejë vetëm që helmi të zbrazet nga plagët. Hapja e dosjeve nuk duhet të shikohet si thirrje për varje tek sheshi, të atyre që duke i shërbyer regjimit komunist, burgosën dhe vranë njerëzit vetëm pse kërkonin të drejtat e tyre jetësore. Debati rreth çështjes së hapjes së dosjeve, përveçse në Shqipëri është aktualizuar edhe në Kosovë. Edhe aty, deri më tash nuk janë hapur hetimet ndaj atyre që kanë qenë pjesë të sistemit komunist të ish-Jugosllavisë. Numri i tyre fatkeqësisht nuk është i vogël. Nuk fillon me Fadil Hoxhën, Ali Shukrinë, por as nuk përfundon me Hilmi Zhitin. Hapja e dosjeve edhe në Kosovë, padyshim që duhet të shikohet në kontekstin pozitiv, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndriçohet historia e errët e sistemit komunist të ish-Jugosllavisë së Titos. Edhe në Kosovë gjatë viteve 1945-1989, nga sistemi komunist i Jugosllavisë u burgosën, torturuan dhe u vranë në mënyrën më mizore qindra njerëz, të cilat deri më tash ende nuk janë ndriçuar. Prandaj, hapja e dosjeve edhe në Kosovë duhet të shikohet në kontekstin pozitiv në mënyrë që të ndriçohen vrasjet çnjerëzore që ndodhën në kohën e kolonizimit  të ish-Jugosllavisë. Ekonomisti i njohur kroat dr. Brako Horvat një ndër intelektualët e parë dhe të rrallë të ish-Jugosllavisë, i cili  pati kurajon të ngrihet në mbrojtje të çështjes shqiptare në kohën e vërsuljeve më të mëdha serbe-shoviniste kundër çdo gjëje shqiptare, me të drejtë pat thënë se ngjarjet historike nuk “anulohen” dhe nuk  “ringjallen”. “Ato thjesht kanë ndodhur dhe si të tilla   duhet të studiohen e të nxirret mësim prej tyre”, pat thënë  Horvat.
Nuk mund të ketë përparime dhe integrime në BE me njerëz që ende mbajnë në xhep “librezë të  kuqe”. Me hapjen e dosjeve, përveç që do të ndriçohen vrasjet e kohës së komunizmit, siç është rasti i H.Nelës në Shqipëri dhe shumë viktimave të tjera të bëra nga ish Jugosllavia në Kosovë, dy shteteve do t’u  hapet rruga e  zhvillimit dhe integrimit. Prandaj, me standarde të ligjeve të lustracionit, Shqipëria dhe Kosova do tè shpëtojnë nga historia dhe ideologjia e tëmerrshme komuniste.    
Botohet me shkurtime

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›