Dobrusha: Drejtorët e shkollave shpërdorojnë fondet
Kreu i konfederatës së arsimit, Xhaferr Dobrusha, ka akuzuar dje drejtorët e shkollave se kanë abuzuar me fondet. Ai nuk ka përmendur asnjë emër drejtuesi apo shkolle, por ka përgjithësuar se nën dijeninë e drejtorëve të arsimit, drejtorët e shkollave stimulojnë veten dhe disa mësues, sipas preferencave personale. Në bazë të një vendimi të MASH-it për decentralizmin e kompetencave, drejtorëve të shkollave iu lihet për menaxhim një fond i vogël. Bëhet fjalë për shkollat e mëdha, që kanë mbi njëmijë nxënës. Pikërisht ky është fondi që është shpërdoruar sipas kreut të konfederatës së arsimit. Sipas tij, shkollat nuk po zbatojnë kontratën kolektive të punës, një kontratë e nënshkruar mes shtetit dhe shoqatave për punën e arsimtarëve. "Ne kërkojmë një shpërblim mbi baza të drejta të mësuesve në të gjithë vendin", tha dje Xhaferr Dobrusha për mediat. Ndërkohë, ai nuk ka folur për emërimet dhe shkarkimet e mësuesve apo probleme të tjera që shqetësojnë mësuesit. Kreu i konfederatës i është referuar vetëm një fondi minimal të drejtorëve të shkollave, që jepet për të stimuluar investimet brenda komunitetit të shkollës. Përpos mësuesve, ai ka akuzuar edhe drejtorët e arsimit që nuk kanë evidentuar këto shkelje të vartësve të tyre. Po kështu, Dobrusha nuk ka cekur as temën më të debatuar të arsimit parauniversitar, atë të ndryshimit të sistemit nga 8-vjeçar, në 9-vjeçar.