E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, lëvizje edhe me dokumente të skaduara

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali, tashmë do të kenë mundësi që të lëvizin lirisht gjatë gjithë vitit, edhe nëse kanë dokumente të skaduara. Kjo lëvizje e tyre pa probleme në drejtim të atdheut dhe më pas në kthimin drejt jetës italiane, nuk do të lejohet vetëm për festa e ditë të shënuara, por përgjatë 12 muajve. Specialisti i emigracionit në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi, shpjegon se "në të shkuarën, Ministria e Brendshme italiane nxirrte qarkore ‘ad hoc‘, që i mundësonin të gjithë të mërguarve, në pritje të ripërtëritjes së lejes së qëndrimit, të riktheheshin përkohësisht në Shqipëri me rastin e festave si Krishtlindje, Pashkët, Viti i Ri, madje edhe për pushimet verore". Sipas Hatibit, jashtë periudhave të lejuara të specifikuara në ato qarkore, nuk ishte i mundur rikthimi në Itali. Kjo, pasi "cedolino" e lëshuar nga Kuestura nuk ishte një titull "i legjitimuar" për rihyrjen në Itali, pas paraqitjes së praktikës për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit. Tashmë, bëhet e ditur se edhe për këta persona, që janë në pritje të ripërtëritjes së dokumenteve, ka mundësi të lëvizin përkohësisht në atdhe dhe të rikthehen në Itali, në çdo kohë të vitit.

Në vijim të marrëveshjes, mes Ministrisë së Brendshme të vendit fqinj dhe "Poste Italiane", kërkesat për lëshimin e lejes së parë të qëndrimit dhe ripërtëritjen e tyre u paraqitën drejtpërdrejtë pranë zyrave postare të autorizuara. Këtu përjashtohen vetëm disa raste të parashikuara taksativisht. Këto zyra lëshojnë një "ricevuta", të pajisur me disa karakteristika të veçanta kundër falsifikimit. Ky dokument, së bashku me pasaportën dhe lejen e skaduar të qëndrimit, ligjëron faktin që mbajtësi të qëndrojë në Itali, deri në marrjen e vendimit. Me Direktivën e Ministrisë së Brendshme të 5 gushtit 2006 dhe të 12 dhjetorit 2007 synohej të vendosej një rregull i përgjithshëm: shtetasit nga vende jo anëtare të BE-së, (përfshi shqiptarët) në pritje të ripërtëritjes së dokumenteve, ruajnë të gjitha të drejtat e qëndrimit si në Itali. Po kështu, ruhet edhe mundësia për t‘u larguar nga Italia dhe për t‘u rikthyer, rregullisht. Ky rregull vlen edhe për ata që presin ripërtëritjen e lejes së qëndrimit për motive punësimi, si punëmarrës, të vetëpunësuar, apo për ribashkime familjare. Kjo lëvizje shoqërohet me disa kushte: dalja dhe rihyrja në Itali duhet të bëhen përmes të njëjtës pikë të kontrollit të kalimit kufitar; duhet të paraqitet pasaporta, apo dokumenti i barasvlefshëm i udhëtimit, i njohur nga shteti italian, bashkë me "ricevuta-n" e lëshuar nga Poste Italiane, si dhe leja e skaduar e qëndrimit; personeli i vendosur në pikat e kontrollit të kalimit kufitar duhet të vendosë vulat në dokumentin e udhëtimit dhe "ricevuta-n". Edhe pse normativa në këtë kuptim është e qartë, rëndom ndodh që punonjësit në pikat e kontrollit të kalimit kufitar të refuzojnë të vendosin vulat në çastin e daljes apo të hyrjes në territorin italian. Kjo, sepse "ricevuta" postare e ripërtëritjes së lejes së qëndrimit nuk do të përfaqësonte një titull të vlefshëm. Për të shmangur telashet rekomandohet që në valixhe të zinte një vend "të merituar" edhe një kopje e direktivës së Ministrisë së Brendshme e 12 dhjetorit 2007. Për të miturit nën 14 vjeç, të regjistruar në lejen e qëndrimit të njërit prej prindërve, përpara udhëtimit është mirë që të kërkohet një leje qëndrimi e përkohshme në Kuesturën kompetente për të shmangur çdo telash në pikat e kontrollit të kalimit kufitar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›