E Shtunë, 31 Tetor 2026

A mund të shformohet një lloj “supermacie”!?

Rexhep Meidani 

Klasifikimi i qeverisjes:  Në një kategorizim klasik të qeverisjes, mund të veçohen: 1 -organizimi politik, p.sh., ai federal apo unitar; 2 - organizimi ekonomik, p.sh., ai kapitalist, ai socialist apo ai me ekonomi të përzierë; 3 - përqendrimi apo shpërndarja e fuqisë, si p.sh. ajo demokratike (përfaqësuese apo e drejtpërdrejtë), autoritare apo totalitare; 4 - tipi i qeverisjes, p.sh. forma monarkike apo republikane, sistemi presidencial e gjysmë-presidencial apo sistemi parlamentar etj. Ky kategorizim vlen dhe për rastin e Shqipërisë. Kështu, p.sh., sipas Kushtetutës, nënvizohet se: “1. Shqipëria është republikë parlamentare; 2. Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm; 3. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Ndërsa, sipas nenit 2 kemi: “1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit; 2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti; 3. Për ruajtjen e paqes dhe të interesave kombëtarë, Republika e Shqipërisë mund të marrë pjesë në një sistem sigurimi kolektiv, në bazë të një ligji të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Po ashtu, në nenin 7, thuhet p.sh., se: “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”...

Dy parime bazë
    Për qeverisjen demokratike janë thelbësore dy parime themelore: parimi i ndarjes së pushteteve dhe ai i kontroll-balancimit midis tyre. Krahas tyre veçohet në shtetin modern edhe parimi i decentralizimit të pushtetit, që në rastin tonë ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore (neni 13). Në shumicën e sistemeve politike, në kuadër të dy parimeve të ndarjes dhe kontroll-balancimit, konstatohet një “interferencë” apo “sintezë” midis degës ekzekutive dhe asaj legjislative, e cila më shpesh shprehet si llogaridhënie e qeverisë (e degës ekzekutive) në legjislaturë (në Parlament). Kjo është në vetvete dhe e ashtuquajtura Supermaci Parlamentare. P.sh., një supermaci e tillë parlamentare është tepër e dukshme në rastin e Britanisë së Madhe, aq më tepër që aty në mungesë të një kushtetute të shkruar kjo supermaci parlamentare nuk mund të “konkurrohet” qoftë dhe pjesërisht nga Supermacia Kushtetuese. Rasti ekstrem i supermacisë kushtetuese është ai i SHBA-së. Aty, në përputhje me Kushtetutën, bëhet një ndarje tërësore e ekzekutivit nga legjislatura. Gjë që natyrisht kompensohet aty nga një zbatim në thellësi e gjerësi i parimit të kontroll-balancimit.
    Konkretisht, në kushtetutën amerikane, dega ekzekutive realizon disa elementë specifikë kontrolli mbi degën legjislative. E tillë është vetoja apo iniciativë ligjvënëse e presidentit, dërgimi i buxhetit federal në kongres, emërimi i zyrtarëve federalë që përgatisin apo zbatojnë ligjet etj. Ndërsa, në degën juridike elementë të këtij kontrolli janë emërimi i gjykatësve në Gjykatën e Lartë apo i gjykatësve në sistemin federal të gjykatave. Po ashtu, presidenti ka të drejtën e faljes, të amnistisë për një klasë krimesh etj. Shumë i rëndësishëm është dhe kontrolli i degës legjislative mbi degën ekzekutive (kongresi hedh poshtë veton presidenciale me 2/3 e votave të dy dhomave, senati mund të hedhë poshtë traktate të propozuara, apo emërimet presidenciale të zyrtarëve dhe gjykatësve federalë. Kongresi mund të nisë procesin e “impeachment” për presidentin dhe heqjen e tij. Në raste të tilla, Dhoma (House) e Përfaqësuesve shërben si prokurori, ndërsa Senati si zhuri). Brenda funksionimit të parimit të kontroll-balancimit është dhe kontrolli i degës legjislative mbi degën juridike (kongresi mund të krijojë gjykatat më të ulëta, senati mund të refuzojë emërimet për gjykatat federale/ Gjykatën e Lartë, Kongresi mund ta amendojë Kushtetutën për të hedhur poshtë vendimet e Gjykatës së Lartë, ai mund të nisë procedurat e largimit të gjykatësve dhe heqjen e tyre). Me vlera thelbësore, në kuadër të supermacisë kushtetuese, është vetë kontrolli i degës juridike mbi dy degët e tjera. Pra, ajo kontrollon degën ekzekutive (Gjykata e Lartë mund të shfrytëzojë fuqinë e rishikimit juridik për të vlerësuar veprime të caktuara presidenciale si jo kushtetuese) apo ajo kontrollon njëkohësisht degën legjislative dhe ekzekutive (Gjykata e Lartë mund të shfrytëzojë fuqinë e rishikimit juridik për t’i deklaruar ligje të dhëna si jo kushtetuese, apo për t’i konsideruar traktate të caktuara si jo kushtetuese)...
Supermacia parlamentare dhe supermacia kushtetuese
    Në Evropë, duke e parë në përgjithësi, supermacia parlamentare, në shumicën normale të rasteve, lidhet gati në mënyrë të pazgjidhshme me praninë e kryeministrit në legjislaturë, me veprimin dhe angazhimin e tij tërësor parlamentar, me lobingun konkret, me energjinë, dinamizmin e karizmën e tij etj. Sidoqoftë, nuk mohohet që një organizim i mirë politik-parlamentar e redukton deri në minimum, pse jo dhe të panevojshëm, ngërçin konkret, të krijuar diku më shumë dhe diku më pak, në mungesë të një përfaqësimi parlamentar të vetë kryeministrit! Pa harruar dhe raste të tilla, si ai në Francë, në të cilat, megjithëse kryeministri është i pranishëm në parlament (si individ dhe si përfaqësuesi kryesor i shumicës politike), zërin imponues e ka sot aty presidenti i republikës...   
     Ndryshe është puna në kushtet e një supermacie kushtetuese, si në rastin e SHBA-së. Madje, sipas kushtetutës amerikane, ekzekutivi (presidenti si kryeministër, dhe ministrat e tij) nuk mund të jenë pjesë e legjislativit, me përjashtim të zëvendës-presidentit që konsiderohet si president i senatit dhe që lejohet aty të votojë.
     Parë në këtë këndvështrim, duket qartë se modeli perëndimor (evropian) i supermacisë parlamentare ndryshon nga modeli amerikan i supermacisë kushtetuese. E para nënkupton funksionimin nëpërmjet llogaridhënies në Parlament, e dyta funksionimin e mbështet në mënyrë tërësore tek mekanizmi kushtetues i kontroll-balancimit. Në këtë kuptim, modeli amerikan nuk mund dhe as nuk arrin të shfrytëzohet si referencë për zgjedhjet shqiptare politike. Megjithatë, nuk vlen të mendohet me receta të gatshme. Bile, çdo individ politik bën zgjedhjet e veta sipas interesave konkrete, qofshin ato individuale, apo kolektive. Kur përputhja e tyre bëhet sa normale, po aq dhe e ndërsjellë, mbështjellëse e interferuese, në mënyrë të natyrshme mund të pritet jo thjesht arritja e një rezultati shumë më të mirë, por suksesi i padiskutueshëm. Në kushte të tjera, tej reales, kërkohet natyrisht më shumë bindje, mund e mobilizim! Por dhe nxitet, në një mënyrë  apo tjetrën, mosbesimi, hezitimi e apatia, që e “trembin” në vetvete dhe fitoren...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›