Durrës, “gjuajtësi” gjigant ngec në bregdetin e Currilave
DURRES - Bllokohet në cektësirën e Currilave gjuajtësi kinez i Republikës së Shqipërisë. Anija patrulluese e Rojës Bregdetare të Shqipërisë, e cila ka në bord edhe dy topa artilerie zihet “mat” në cektësirën argjilore të plazhit të Currilave. Ka qenë ora 15:15, kur e shtyrë nga një erë e fortë me drejtim jugu luftanija “P 115”, e cila kishte si destinacion Bishtin e Pallës ka ngecur në argjilë. Ka qenë e kotë manovra e marinarëve për t’i dhënë motorit indietro me të gjithë forcën e mundshme, pasi veç tymit të zi, që u çlirua për 10 minuta rresht nga sforcimi i motorit asgjë nuk u bë për lirimin e mjetit detar. Luftanija ishte ngulur fort në argjilë, në një distancë afro 200 metra larg bregut të detit. Me ta parë punën pisk ushtarakët kanë kërkuar ndihmë nga porti i Durrësit. Motovedeta patrulluese “Iliria” e mbërritur së fundmi nga Holanda në kuadër të modernizimit të flotës sonë detare hyri në aksion në orën 17:30. Për të shmangur ngecjen e anijes që vinte në ndihmë transporti i cimës është kryer me anë të një motoskafi të lehtë. Operacioni ka vijuar për shumë orë rresht, por pa sukses. Skafi i gjuajtësit është ngulur thellë në argjilë, duke e bërë të padobishme tentativën e “Iliria”-s për rimorkim. Në atë pjesë të gjirit të Durrësit relievi nëndetar formon një “rrafshnaltë”, e cila për më shumë se 500 metra lartësohet, duke krijuar një grackë fatale për anijet. Cektësira në disa vende arrin deri në 30 centimetra, duke e bërë mjaft të vështirë operacionin për nxjerrjen e mjetit të rëndë detar. Kjo lloj gracke që ndodhet nga shëtitorja “Taulantia” e deri tek zona e “Bërryl-Currilave” ka bërë që në të bien anije që nga kohërat antike e deri në shekullin e 21. Vetëm gjatë 25 viteve të fundit në këtë pjesë të detit kanë ngecur një anije transporti jugosllave, një greke, një numër i madh velierash dhe së fundmi edhe gjuajtësi-patrullues, i cili tashmë lundron me flamurin shqiptar dhe atë të NATO-s në bord. o.u