E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anashkalimi i Sejdiut dhe mesazhi i Topit

Ylber LILI 

Askush nuk mund të bëjë  një njeri qesharak sesa ai veten. Ky parim m’u kujtua teksa ndodhte drama në kokat e politikanëve shqiptarë të Maqedonisë (Ahmeti dhe Selmani) që përpiqeshin ta arsyetojnë kreun e shteti maqedonas Ivanov dhe veten e tyre për skandalin dhe pjesëmarrjen në këtë lojë. Siç dihet presidenti i sapozgjedhur maqedonas e pa të udhës që të organizojë një ceremoni glamuroze (e rastin) që simbolizonte përurimin e tij zyrtar si president i shtetit.  Sipas një tradite të pashkruar ai që e bën dasmën e harton edhe listën e të ftuarve dhe jo e kundërta, të ftuarit nuk mund të imponojnë kriteret e tyre në hartimin e listës. Mirëpo, Maqedonia është vend i çudirave dhe ky absurd ndodhi. D.m.th, lista e të ftuarve është bërë sipas preferencave dhe shijeve të president serb Tadiç, për këtë  askush nuk duhet të ketë dilema. Presidenti serb e ka kushtëzuar pjesëmarrjen  e tij në këtë alla ceremoni përuruese me mungesën e presidentit të Kosovës, z.Fatmir Sejdiu. Në këto raste nikoqiri i thërret të gjithë që i sheh të udhës dhe pak rëndësi ka kush vjen dhe jo, apo kujt i mbetet qejfi dhe kujt jo. Sipas një tradite të ngulitur të inferioritetit të maqedonasve ndaj serbëve, hatërmbetja e Tadiçit rëndonte më shumë në kandarin e Ivanovit sesa ajo e Fatmir Sejdiut. Mirëpo kjo është çështje e vendimmarrjes së personit të zgjedhur. Fundja, askush nuk duhet të çuditet për maniret e nacionalizmit serbo-maqedonas, as për qëndrimet e Beogradit dhe Shkupit zyrtar ndaj Kosovës, madje as për logjikën e veprimit të pushtetit aktual maqedonas ndaj çështjes shqiptare në Maqedoni dhe në tërësi. Për ne është tejet e rëndësishme pozicionimi i faktorit politik shqiptar. Në këtë kuptim, për t’i shpëtuar cirkut politik serbo-maqedonas, apo “dasmës” së Ivanovit që u dirigjua nga Tadiç, si dhe për të treguar pak dinjitet, faktori politik shqiptar i ka patur të gjitha mundësitë për të përdorur disa modele veprimi:
- të kishte “mirëkuptim” për hamendësimet maqedonase dhe të ndikonte që faktorit shqiptar të Kosovës të mos i mbetet qejfi;
- të kërkonte nga pala maqedonase që të jetë konsekuente në qëndrimet e saj lidhur me Kosovën, ngaqë ajo tanimë e ka njohur pavarësinë e Kosovës;
- të heshte dhe
- të bojkotonte këtë manifestim në shenjë proteste.
Shtrohet pyetja çfarë ndodhi me subjektin politik shqiptar në Maqedoni pas anashkalimit të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe si u pozicionuan partitë veç e veç. PDSH (opozita shqiptare) e drejtuar nga Menduh Thaçi paralajmëroi se do të bojkotonte këtë manifestim dhe ashtu ngjau. Ky refuzim i opozitës shqiptare u argumentua me faktin se presidenti i sapozgjedhor maqedonas nuk e fitoi legjitimitetin e shqiptarëve. Pra pati koherencë qëndrimesh qysh prej përfundimit të zgjedhjeve dhe deri tek dita e inaugurimit. Natyrisht se qëndrimi i prerë refuzues   i kësaj partie u pasuan me revoltën për anashkalimin e kryetarit të shtetit të Kosovës. Pra, shikuar në planin politik dhe moral, Thaçi pati argumente të mjaftueshëm për të bojkotuar evenimentin. Por, ky qëndrim i një pjese të politikës shqiptare nuk gjeti përkrahje edhe tek dy partitë e tjera parlamentare.

Partia shqiptare në ekzekutivin maqedonas e përfaqësuar nga Ali Ahmeti bëri veprime që askush nuk i priste. Përmes një tentative për të thurur alibi të rrejshme, partia shqiptare në pushtet kërkonte të kapej pas hiçit për të justifikuar pjesëmarrjen në ceremoni. Bie fjala, deklaratat e papërgjegjshme dhe qesharake të përfaqësuesve të BDI-së i kalonin caqet e gënjeshtrës. Ata prodhuan lojëra fjalësh që shërbyen vetëm si ushqim mediatik deri diku edhe njollosës. Nga njëra anë ishin rreshtuar zërat e partisë së Ahmetit që thoshin se i është dërguar ftesa z. Sejdiu. Ndërkaq nga Prishtina vinin lajme që e demantonin një gjë të tillë. Presidenti i Kosovës u deklarua se nuk ka marrë asnjë ftesë nga ana e autoriteteve të Shkupit. Në këtë rast gënjeshtari është i verifikueshëm, mosprezenca e z. Sejdiu në inaugurimin e presidentin maqedonas vërteton se nuk bëhet fjalë për ftesë. Kjo është njëra anë e medaljes, sepse pjesëmarrja e BDI-së në ceremoninë e inaugurimit binte ndesh me verdiktin e popullit shqiptar në Maqedoni, të cilët në zgjedhjet e fundit presidenciale votuan 1-2% dhe e dyta në vend të protestës ndaj skandalit zgjodhën rreshtimin nën hyqmin e Gruevskit për të mos rrezikuar pushtetin. Deklarata e z. Ahmeti se ceremonisë së inaugurimit të Ivanovit të mos i jepet konotacion politik ishte një tentativë e kotë për të justifikuar kapitullimin para faktorit maqedonas. Në fakt, lideri i BDI-së ka kohë që merret me punë të kota. Ai, tashmë është infektuar dhe lëngon nga sindroma e megalomanisë dhe pandeh se çdo fjalë e tij është ilaç që zgjidh çdo kontekst. Por, me këtë terapi ai arrin sukses vetëm duke i viktimizuar, apo bërë kompromis në kurriz të shqiptarëve.
Bashkudhëtarë i logjikës së absurdit, ishte edhe Imer Selmani (DR). Ky grup i stisur politik iu bashkuan korit të përfaqësuesve të BDI-së, madje duke tentuar të hedhin dyshime në kredibilitetin e z. Sejdiu. Selmani dhe shpura e tij e treguan fytyrën e vërtetë para opinionit shqiptar, duke mohuar në mënyrë arrogante deklaratën shumë të qartë të presidentit të Kosovës, Sejdiu, i cili deklaroi se nuk e ka marrë ftesën. Me këtë manipulim me opinionin ai në fakt e mohoi kredibilitetin moral, sinqeritetin e presidentit kosovar dhe me këtë çmim mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit, mirëpo la përshtypje shumë të keqe në opinion. Edhe pse disa ditë para kësaj ceremonie të hirtë ai paralajmëronte se do të bojkotojë këtë eveniment nëse nuk ftohet Sejdiu, Selmani i gëlltiti gënjeshtrat dhe u soll si “lule dielli”. Mbase kjo sjellje do të jetë edhe vula e politikës së tij në të ardhmen.  Emëruesi i përbashkët i dy partive shqiptare BDI dhe DR është kompleks. Të dyja partitë shërbejnë si paradhoma të pushtetit absolut të Gruevskit, asnjëra prej tyre nuk heq dorë nga gjakimi për pushtet. Në rastin konkret të dyja së bashku u munduan të luajnë me kredibilitetin e presidentit të Kosovës. Është fakt se këto dy subjekte politike morën pjesë në “dasmën” e Ivanovit, duke manipuluar në mënyrë të neveritshme anashkalimin e z. Sejdiu.
Të gjitha këto gabime u përpoq t’i ndreqë me një fjalor të matur, të qartë, por edhe kritik presidenti i Shqipërisë z. Bamir Topi. Në këto kushte kreut të shtetit shqiptar nuk mund t’i bëhen vërejtje se ka marrë pjesë në këtë ceremoni dhe as për sjellje në deklaratat që ai i dha në Shkup. Z. Topi para opinionit maqedonas e mbrojti idenë se është e pakuptueshme që fqinjin e parë të Maqedonisë, pra presidentin e Kosovës të mos e thërrasin. Kjo vërejtje ishte e logjikshme në kohën dhe vendin e duhur, paçka se ka krijuar ndoshta dhimbje tek elitat sllavo maqedonase. Mediat maqedonase më shumë i dhanë hapësirë refuzimit të Topit që të ulet në një tavolinë me presidentin serb sesa mesazhet që ai dha në konferencën për shtyp. Si përfundim, atë që nuk e bëri subjekti politik vendor, e bëri në mënyrë dinjitoze me formulime të sakta politike Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Ky qëndrim duhet inkurajuar ngaqë ndër të tjera është sinjal se institucionet e shtetit shqiptar duhet të divorcohen nga deklaratat standarde, përgjithësuese në thelb shterpe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›